INTERVISTA/ Faruk Sejdini: Vazhdimi i Kampionatit, duhet të jetë një ekuacion me shumë të panjohura

133
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” ish-futbollisti e ish-trajneri i Dinamos e Kombëtares, ja si e përshkruan situatën e skuadrave në Superiore
Në këndvështrimin tuaj, si i përshkruani 24 javët e luajtura në Kategorinë Superiore?
Them se bukurinë këtij Kampionati ia dha lufta që po bëjnë skuadrat për në zonën e Evropës, por ua ka shtuar këtë bukuri edhe rivaliteti i dy skuadrave të mëdha në fundin e renditjes. Natyrisht që në këtë këndvështrim, Skënderbeu mbetet i veçantë në të gjithë treguesit.

Janë shprehur skuadrat tërësisht në vlerat e tyre gjatë këtyre javëve të luajtura?
Unë mendoj se pjesa më e madhe e skuadrave kanë treguar oshilacione në lojën e tyre, dhe në këtë hapësirë, nuk mund të thuhet se cilat janë vlerat reale të tyre. Them kështu për Flamurtarin në vendet e kreut të renditjes, e po kështu Vllaznia e Teuta në zonën e mbijetesës.

Si e përshkruani situatën e Flamurtarit në javët e fundit?
E mendoj një situatë problematike këtë që po kalon Flamurtari në javët e fundit. Ndërkohë, problemet që ka pasur kjo skuadër me arbitrat, ose janë të qëllimshme, ose rastësi. Nëse do të ishin të qëllimshme, do të ndikojnë për keq në futbollin e Superiores. Nëse janë të rastësishme, besoj se shpejt do të dalë nga kjo situatë.

Cilën skuadër e veçoni në këtë periudhë të sezonit?
Natyrisht që është Skënderbeu. Deri tani ka treguar stabilitet, si në Kampionat, ashtu edhe në Kupë, e kështu duket skuadra më e kompletuar e këtij sezoni në Kategorinë Superiore. Kam konsideratë edhe për skuadrat e tjera, të cilat kanë personalitetin e tyre, por jo psikologjinë e korçarëve.

Në zonën e Evropës në tabelën e renditjes janë tre-katër skuadra, ju cilat i mendoni më pranë?
Të gjitha janë të denja për të luajtur në Evropë, por nga renditja aktuale, duket se Kukësi e ka siguruar një vend në Evropë për sezonin e ardhshëm. Flamurtari, Laçi, Partizani e Flamurtari, do të jenë rivalë për skuadrën e vendit të tretë. Do të renditet më mirë, skuadra që do të gabojë më pak në 12 ndeshjet që kanë mbetur për tu luajtur. 

Dy skuadrave që luftojnë për mbijetesë, Vllaznisë e Teutës, mund tu bashkohet ndonjë skuadër tjetër?
Çdo gjë mund të ndodhë, sepse janë në lojë edhe 36 pikë. Këtu bëhet fjalë vetëm për 3 pikë, ku nëse Kamza do të gabojë në tre ndeshjet e fazës së tretë, në fazën e katërt mund të jetë edhe ajo në vallen e mbijetesës, së bashku me Vllazninë e Teutën.

Mendoni se arbitrat kanë qenë faktorë në ndeshje të ndryshme gjatë kësaj periudhe në Kampionat?
Puna e arbitrave është bërë si një gangrenë në futbollin shqiptar, e cila duhet shkulur me rrënjë. Për deri sa ata varen ende nga FSHF-ja dhe Liga Profesioniste duket e largët, do të ketë kontestime ndaj tyre. Mendoj se duhet një Veting për këtë element të futbollit tonë.

Mos është kjo një ide paksa e ekzagjeruar për arbitrat?
Unë nuk e mendoj të ekzagjeruar, sepse, për deri sa këta arbitra gjykojnë mirë në Evropë, dhe këtu në Shqipëri kontestohen, është një ndryshim 180 gradë i tyre. Sepse këtu ata diku influencohen nga të “fortët” në struktura shtetërore, dhe Liga Profesioniste mbetet barriera kryesore ndaj mangësive të arbitrave.

Veçoni të tjera dukuri në futbollin e Superiores gjatë këtij sezoni në vazhdim?
Po, dhe veç arbitrave, problem është mungesa e spektatorëve në stadiume. Ata duken si një gjë e akullt, e cila ngrin dhe shkrin në çdo moment. Dihet roli që kanë sportdashësit në progresin e lojës së futbollit, ndaj për këtë Liga Profesioniste mund të bëjë korrigjimin më të mirë.

Nesër (sot) luhen ndeshjet e javës së 25-të, si i shikoni përfundimet e tyre?
Janë të gjitha ndeshje të forta e të vështira, madje edhe ajo Lushnja-Laçi. Kampionati është futur në zonën më të nxehtë të tij, dhe duhet që të të dalë nga ekuacioni me dy të panjohura, dhe rezultatet të jenë si një ekuacion me shumë të panjohura. Kështu, ai bëhet edhe më i bukur.
Kampionati është futur në zonën më të nxehtë të tij, dhe duhet që të të dalë nga ekuacioni me dy të panjohura, dhe rezultatet të jenë si një ekuacion me shumë të panjohura. Kështu, ai bëhet edhe më i bukur 
Ndeshjet-Java e 25-të 
Sot, 14 mars 2018 
Lushnja-Laçi 14:00
Luftëtari-Kukësi 14:00
Vllaznia-Partizani 14:00
Teuta-Skënderbeu 17:00
Flamurtari-Kamza 17:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 24 56
2. Kukësi 24 42
3. Laçi 24 36
4. Flamurtari 24 36
5. Partizani 24 35 
6. Luftëtari 24 34
7. Kamza 24 33
8. Vllaznia 24 26
9. Teuta 24 22
10. Lushnja 24 10