INTERVISTA/ Ditmar Halla: Na mungon infrastruktura, pasioni e ngriti dhe e mban sportin e regbisë

814
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” lojtari i sportit më të ri në Shqipëri, ja si e përshkruan rrugën në ngritjen e skuadrës shqiptare në këtë sport
Si ju lindi ideja që të ishit protagonist në ngritjen e skuadrës së parë të Regbisë në Shqipëri?
Kemi rreth 6 vite që e aplikojmë regbinë në Shqipëri. Në vitin 2012, e nisëm si një argëtim, por një vit më vonë, kur më 3 gusht 2013, luajtëm këtu në Tiranë ndeshjen e parë në histori për sportin e regbisë, atëherë si grup, menduam se duhet ta shtrinim më gjerë aktivitetin tonë. Në fillimit tona në vitin 2013, trajner ishte Xhino Drangu, i cili kishte një eksperiencë modeste në Regbi, gjatë qëndrimit të tij në Angli për rreth 5 vjet.

Duke qenë një sport që nuk aplikohet në Shqipëri, keni ndeshur në vështirësi për ngritjen e këtij ekipi?
Si në çdo fillim të ri, e në këtë rast në një sport të ri në Shqipëri, edhe ne kishim dhe kemi vështirësitë tona. Ato janë të mëdha, por më shumë mbeten në karakterit infrastrukturor, dhe ne kemi ngritur një bord për menaxhimin e të gjitha punëve. Kur shtetit tonë i kërkon ndihmë, duket sikur po i “lyp” para.

Po vështirësitë e mosnjohjes si sport në Shqipëri, si i keni kapërcyer?
Ndoshta nga fakti se ne e nisëm fillimisht si një argëtim, vështirësitë dukeshin në planin e dytë. Ndërkohë, kur menduam që ta shtrinim aktivitetin tonë më gjerë, atëherë e pamë se se ato ishin prezent. Mosnjohja e këtij sporti në vendin tonë, i shton më tepër vështirësitë tona. Megjithatë, afrimi dhe ndihma e OSCE na e kanë bërë punën tonë paksa më të lehtë.

Gjithsesi, nga i gjithë ekipi juaj, në këto kushte është pasioni që ju mban në aktivitet, apo keni ndonjë arsye tjetër?
Të gjithë ne e kemi nisur këtë sport për pasion, dhe ai na mban edhe sot gjashtë vite pasi jemi formuar si ekip. Në kushtet që ne stërvitemi aktualisht në ish-Kompleksin Sportiv “Dinamo”, dhe nga vetë lloji i këtij sporti, pasioni është primar për të gjithë.

Nga sa vetë përbëhet ekipi juaj, që tashmë është i pari dhe i vetmi për sportin e regbisë në Shqipëri?
Në ekip jemi 25 vetë, ndërsa si trajner kemi anglezin Adam Vernon, i cili ka luajtur me përfaqësuesen e Anglisë në këtë sport, që në moshën 18 vjeç. Edhe ai është njeri shumë i përkushtuar, e po jep një kontribut shumë të madh në ekip.

Keni në plan ndonjë anëtarësim në Federatë apo shoqatë, apo edhe në ndonjë veprimtari?
Vitin e kaluar, morëm pjesë në Konferencën Evropiane për sportin e regbisë. Ne aplikonim lojën 15X15, por na u afruan disa serbë e na ndihmuan për lojën 13X13. Për këtë jemi duke punuar, pasi në muajt prill e qershor, do të luajmë dy ndeshje ndërkombëtare në Balkanika Superligë.

Si e mendoni vazhdimësinë tuaj e skuadrës suaj, nisur nga gjithçka që përshkruat në këtë bisedë?
Ne synojmë që të ngremë një skuadër kombëtare, dhe si fillim, të përfaqësohemi në të gjitha kompeticionet Evropiane, në lojën 13X13, sepse kjo na jep më shumë mundësi.

Duke qenë se ende nuk ju është dhënë mbështetja institucionale, e keni një apel për Ministrinë e Sporteve?
Patjetër që po. Ndoshta duket pak e vështirë, por ne kërkojmë që ky sport fillimisht të futet edhe në shkolla, vetëm në disiplinat për shkollorët (Regby me Tach). Ndërsa pas konsolidimit tonë këtë vit, gradualisht do të bëjmë prezent edhe kërkesat tona si ekip.
Me fillimin e sezonit të ri, në shtator 2016, ekipit iu bashkua edhe Marty Lusty në rolin e drejtorit të regbisë shqiptare. Marty është njeriu që e ngriti dhe e zhvilloi sportin e regbisë në Malin e Zi. Përpos regbisë, ekipi ynë ka marrë pjesë dhe në lojën e parë dhe të dytë të cricket, e organizuar këtu në Shqipëri nga pjesëtarë të Ambasadës Angleze dhe të “Crown Agents”
HISTORIKU
“Tirana Rugby Club” është klubi i parë i sportit të regbisë në Shqipëri. Ekipi u formua në muajin gusht të vitit 2013, por regbija kishte filluar të luhej më parë në vitet 2010-2011. Më 5 gusht 2013 u luajt ndeshja e parë demonstruese e regbisë në Shqipëri, e organizuar nga pjesëmarrës në radhët tona, dhe nga disa shqiptarë që luanin regbi në Itali. Ndeshja e parë është zhvilluar kundër ekipit të regbisë nga Kosova. Më 28 nëntor 2015 ne arritëm dhe fitoren tonë të parë, kundrejt ekipit nga “Kosovo Roosters Rugby Club”, në një turne me tre ekipe: Kosova, Belgjika e Shqipëria. Gjatë vitit 2015, “Tirana Rugby Club” zhvilloi dy ndeshje kundër një ekipi nga Mali i Zi, (Podgorica Rugby Club ), shumë të vlefshme sa i përket eksperiencës dhe formimit të ekipit. Më 16 maj 2016, në Elbasan, luajtëm ndeshjen e parë të regbisë mes dy skuadrave shqiptare, Tirana Rugby Club-Klubi i regbisë Ilirët, e cila përfundoi me rezultatin 0-12 në favor të Ilirëve. Gjatë kësaj periudhe, janë zhvilluar disa ndeshje të tjera, për të përfunduar në muajin prill 2018 me takimin Rainos Greqi-Shqipëri, dhe në qershor 2018 Nish Serbi-Shqipëri.
5 vite
Më 5 gusht 2013 u luajt ndeshja e parë ekzibicionale e regbisë në Shqipëri, e organizuar nga pjesëmarrës në rradhët tona, dhe nga disa shqiptarë që luanin rugby në Itali. Ndeshja e parë është zhvilluar kundër ekipit të rugby nga Kosova
Sigal