INTERVISTA/ Dhori Kalluci: Suksesi i Luftëtarit ka tri vite i projektuar, trajneri Lika e “zbardhi” projektin

522
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” Mjeshtri i Merituar i Sportit, ja si e përshkruan situatën në këtë skuadër për 31 javët e luajtura ish-sulmuesi gjirokastrit
Kjo situatë në kreun e renditjes pas 31 javëve, ishte e pritshme për ju si specialist futbolli?
Nëse do ta nisim me Luftëtarin që nga fillimi i Kampionatit, kjo situatë nuk ishte e pritshme, sepse gjatë fazës së parë, skuadra diskutonte mbijetesën. Merkato e verës, kryesisht te trajnerët nuk solli efektivitetin e pritur, por me ndryshimin e bankinës dhe me merkaton e janarit, rritja erdhi graduale.

Çfarë mendoni se ka ndryshuar tek Luftëtari që kjo rritje erdhi graduale?
Ndryshimi i trajnerit është treguesi i parë, sepse Hasan Lika e ndryshoi boshtin e skuadrës dhe i përshtati mirë lojtarët aty ku ata jepnin më shumë. Dhe për statistikë, nga data 10 dhjetor 2017 e deri në javën e 31-të, Luftëtari ka humbur vetëm 2 ndeshje

Mundet të themi se “trekëndëshi” President-Trajner-Lojtarë ka funksionuar mirë në këtë sukses të Luftëtarit?
Natyrisht që po, por do të thosha se secili ka pjesën e vet. Presidenti Tavo është serioz, dhe merret vetëm me trajnerin në gjithçka që ai kërkon te skuadra. Ndërsa trajneri Lika është ai që merret me futbollistët, jo vetëm për stërvitje e ndeshje. Kjo harmoni e punës së tyre solli këtë situatë në renditje.

Nëse sot këtë Luftëtar e krahasojmë me atë të kohës suaj, kanë mbetur ende evidente teknika dhe sulmi?
Realisht kanë mbetur, por kanë shumë ndryshim mes tyre. Në kohën tonë, ne ishim të gjithë autoktonë, ndërsa sot mendoj se është një rastësi e përzgjedhjes që është bërë në këto tri vitet e fundit. Thuajse të gjithë nuk janë “prodhimi” ynë, por trajneri ka ditur të shfrytëzojë cilësitë e tyre.

Mbetet edhe 5 javë deri në mbyllje të Kampionatit, mendoni se Luftëtari do të qëndrojnë në vendin e 3-të në renditje?
Pritshmëria është, por ekzistojnë edhe vështirësi. Duke e parë kalendarin, Luftëtari ka tre ndeshje jashtë fushës së tij: Me Kamzën, me Kukësin e Lushnjen, ndërsa me Partizanin e Skënderbeun luan në Gjirokastër. Në ndeshjen e javës së 33-të me Partizanin vendoset kjo renditje.

Po nga skuadrat që luftojnë për mbijetesë, cilën e mendoni më të rrezikuar të zbresë në Kategorinë e Parë?
Nëse do të nisem pas barazimit të Teutës 3-3 me Kamzën, skuadra durrsake rrezikoi shumë, ndërsa Vllaznia u shkëput me fitoren që arriti ndaj Laçit. Në 5 ndeshjet e mbetura janë edhe 15 pikë në lojë dhe gjithçka mund të ndodhë, por surprizat në këtë zonë duken të largëta.

Në ndeshjet e mbetura, priten lëshime apo aleanca nga skuadrat?
Unë këto i kam quajtur “keqardhje”. Më vjen keq që në këtë situatë janë dy skuadra të mëdha, Vllaznia e Teuta, dhe nuk kam asgjë me Kamzën, por të tria besoj se do të jenë në këtë “valle” që është luajtur si “çel e mbyll” në çdo sezon të Kategorisë Superiore.

Në këtë bisedë nuk i përmendët arbitrat, e keni një vlerësim për gjykimet e tyre në këto 31 javë?
Unë nuk jam specialist gjykimi, por në këndvështrimin tim, me përjashtime të vogla, arbitrat mendoj se kanë qenë në lartësinë e profesionit. Për mua, gabimet e tyre kanë qenë më shumë njerëzore, por nëse ka patur edhe të qëllimshme, kjo nuk do ti bënte mirë këtij futbolli.
Ndryshimi i trajnerit është treguesi i parë, sepse Hasan Lika e ndryshoi boshtin e skuadrës dhe i përshtati mirë lojtarët aty ku ata jepnin më shumë. Dhe për statistikë, nga data 10 dhjetor 2017 e deri në javën e 31-të, Luftëtari ka humbur vetëm 2 ndeshje
Ndeshjet-Java e 32-të
Të shtunën, 5 maj 2018 
Kamza-Luftëtari 16:00
Kukësi-Lushnja 16:00
Laçi-Skënderbeu 16:00
Flamurtari-Vllaznia 19:00
Partizani-Teuta 19:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 31 69
2. Kukësi 31 55
3. Luftëtari 31 50
4. Partizani 31 46
5. Laçi 31 43
6. Flamurtari 31 43
7. Kamza 31 38
8. Vllaznia 31 36
9. Teuta 31 34
10. Lushnja 31 11
Sigal