INTERVISTA/ Bledar Devolli: Fitorja me Tiranën nuk është rastësi, Kamza e këtij sezoni e ndërtuar si rivale, jo inferiore

1258
Sigal

Nga Agron KAJA

Në premierën e parë në bankinën e Superiores arrin fitoren, ja si e përshkruan për “Telegraf” trajneri i Kamzës

Në bankinën e Kamzës jeni rikthyer në Kategorinë Superiore dhe me fitore, si ndjeheni në këtë start?

Nuk mund ta fsheh këtë kënaqësi, në kuptimin profesional. Sepse kjo ishte ndeshja ime e parë si trajner në Kategorinë Superiore, dhe një fitore ndaj skuadrës më të madhe në futbollin shqiptar. Ky është një rikthim në familjen time sportive, ndaj e falënderoj Presidentin Naim Qarri.

Para sfidës me Tiranën, e kishit menduar se do të merrnit tri pikët ndaj 24 herë Kampionëve të Shqipërisë?

Unë e falënderoj Zotin për fitoren. Kujtoj se, që nga momenti kur unë kam marrë drejtimin e Kamzës, kam thënë që ne do të luajmë ndeshje pas ndeshje, duke kërkuar gjithmonë fitoren. Edhe për Tiranën, deklarova se shkojmë me besim për fitore, skuadra dhe fati e shpërblyen.

Kishte ndonjë të veçantë kjo fitore e Kamzës ndaj Tiranës të shtunën?

E veçanta ka të bëjë me përbërjen e skuadrës së Kamzës. Ne ende nuk e kemi kompletim e plotë në skuadër, por në raport me kundërshtarin nuk u treguam inferiorë. Kjo është një fitore morali më shumë për skuadrën, e cila duhet të forcojë besimin për vazhdimësinë.

Jeni një ish-futbollist i Tiranës në vite me të cilën keni fituar edhe trofe, si u ndjetë kur e mundët nga bankina?

Emocionet ishin të forta, jo vetëm se për mua ishte ndeshja e parë në bankinë në Kategorinë Superiore, por edhe për faktin se isha kundër ekipit më të madh që në karrierën si futbollist më ka dhënë shumë emër dhe emocion. Por në këtë rast, profesionalizmi e mundi nostalgjinë.

Përpos kësaj fitoreje në javën e parë, si është situata në skuadrën e Kamzës?

Unë kam drejtuar disa ekipe në futbollin shqiptar dhe në Kosovë, por këtu te Kamza jam befasuar nga harmonia që ekziston në ekip, dhe puna shumë e mirë në grup. Ndjehem me fat që e drejtoj këtë skuadër në një situatë kaq të mirë, dhe shpresoj që në rezultate, të vazhdojmë kështu.

Pas startit me fitore, ndryshuan objektivat e Kamzës për këtë sezon, apo i qëndroni atyre të publikuar më parë?

Objektivi primar i Kamzës është që, të jetë gjatë mes skuadrave të Kategorisë Superiore. Por, objektivat lëvizin ndeshje pas ndeshje dhe fazë pas faze, ndaj do të nënkuptoja se ne gjithmonë synim kemi fitoren në ndeshjen e radhës. Kështu edhe për sfidën e radhës me Partizanin.

Deri më 31 gusht që do të mbyllet merkatua e Kategorisë Superiore, prisni ndonjë kompletim të fundit?

Së pari, presim Orelesin që nuk mundi të ishte me skuadrën në ndeshjen e parë të Kampionatit. Me Presidentin Qarri i kemi bërë planet tona të merkatos që kur unë u ula në bankinën e Kamzës, dhe nuk është sekret ta them se, e pres si dhuratë një goditje të fundit në merkato nga drejtuesit.

Nuk është e rastësishme fitorja me Tiranën, pasi kemi bërë një punë të shkëlqyer në gjashtë javë. Unë kam në duar një grup fantastik, ku të gjithë sakrifikojnë dhe luajnë për skuadrën, ndaj i falënderoj të gjithë për atë që dhanë në fushë në këtë fitore të madhe ndaj Tiranës

KATEGORIA SUPERIORE

Ndeshjet-Java e parë

Të premten, 17 gusht 2018

Skënderbeu-Partizani  1-0

Të shtunën, 18 gusht 2018

Luftëtari-Kastrioti       0-1

Tirana-Kamza              0-1

Dje, datë 19 gusht 2018

Kukësi-Laçi                 1-1

Teuta-Flamurtari         0-0

RENDITJA

Skuadrat        Nd       P

1.Kamza          1          3

2.Kastrioti       1          3

3.Skënderbeu  1          3

2.Kukësi          1          1

4.Laçi              1          1

6.Flamurtari     1          1

7.Teuta            1          1

8.Partizani       1          0

9.Luftëtari       1          0

10.Tirana         1          0

Ndeshjet-Java e dytë

Të premten, 24 gusht 2018

Tirana-Teuta                19:45

Të shtunën, 25 gusht 2019

Kamza-Partizani          16:45

Laçi-Luftëtari              16:45

Të dielën, 26 gusht 2017

Kastrioti-Skënderbeu  16:45

Flamurtari-Kukësi       19:45