INTERVISTA/ Artur Çobani: Dënimi i Skënderbeut me impakt në futbollin tonë, tetë skuadra në ethet e renditjes

533
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Dinamos dhe Kombëtares, ja si e analizon situatën e Kategorisë Superiore në 26 javë
Kategoria Superiore rinis pas dy javësh ndërprerjeje, çfarë iu ka mundësuar skuadrave kjo hapësirë pa ndeshje zyrtare?
Për çdo trajner, kjo ndërprerje nuk mund të ketë ndonjë ndikim të madh, ndërsa ndihmon në rikuperimin e ndonjë dëmtimi që mund të kenë lojtarë të veçantë, por edhe në anën fizike të skuadrave. Ndërsa ato që janë më të konsoliduara, këtë ndërprerje nuk e kanë pritur mirë.

Si ka qenë ecuria e garës në këto 26 javë të luajtura, në gjithë treguesit e saj?
Gara ka shumë tregues, e në mesin e tyre ndeshjet janë luajtur me rivalitet, duke përjashtuar Skënderbeun që bëri diferencën, por edhe Lushnjen që doli nga gara shumë shpejt. Në gjysmën e dytë të tij, ky Kampionat ka pasur rivalitet nga të gjitha skuadrat, kështu e mendoj deri në fund.

Në këndvështrimin tuaj, çfarë do të evidentonit si më të veçantë në këto javë të luajtura?
Natyrisht që ka shumë, por më evident është dominimi i skuadrës të Skënderbeut, e cila ka treguar se është e konsoliduar. Njëherësh do të veçoja edhe rivalitetin në tërësinë e ndeshjeve të luajtura nga të gjitha skuadrat, ndërsa loja e mirë e Laçit dhe e Flamurtarit më kanë bërë shumë përshtypje.

Nëse flasim nga pozicionet që kanë skuadrat në renditjen aktuale, mendoni se ato janë shprehur tërësisht në vlerat e tyre?
Për të shprehur vlerat, koha ka qenë e mjaftueshme. Me ndonjë përjashtim të vogël, mendoj se të gjitha skuadrat e meritojnë renditjen që kanë. Luftëtarin e mendoja më sipër në renditje, nisur nga përbërja që ka me futbollistët më të mirë të këtij Kampionati. Nëse do ta kishte që në fillim menaxhimin e Hasan Likës, do të rivalizonte me Skënderbeun në krye.

Sa do të ndikojë situata e Skënderbeut pas dënimit që i dha këto ditë UEFA?
Mendoj se situata e Skënderbeut është shumë e rëndë. Që në raportin e parë që dhanë inspektorët e këtij organizmi, ndjeva diçka të rëndë që do të na ndodhte. Kjo goditje do të ketë impakt në futbollin tonë, dhe çuditem se dikush e merr si me shaka, por është shumë serioze. Nuk dua ta predikoj këtë vendim, por do të dëshiroja tjetër vendim, edhe pse jam skeptik. 

Nisur nga ky aktualitet, cila skuadër është më afër Ligës së Kampioneve, në vend të Skënderbeut?
Një mendim rreth kësaj situate, më shumë e imponon renditja aktuale e skuadrave. Kështu, Kukësi është kandidati i parë, e më pas nuk duhen nënvleftësuar Laçi, Luftëtari e Partizani, ndërsa Flamurtari nuk më bind për të shkuar deri aty. Gjithsesi, javët në vazhdim do të flasim më qartë.

Edhe zona e Evropës në renditje, rreth këtyre skuadrave do të përafrohet?
Arsyetimi teknik kështu të orienton, por në këtë zonë të UEFA Europa Ligë, ndoshta do të ketë rivalitet edhe Flamurtari, duke pasur parasysh se vendi i 3-të dhe i 4-t do të luajnë në këtë kompeticion. Nga pesë skuadra, tre prej tyre do ta kenë mundësinë të luajnë në Evropë.

Po në zonën e mbijetesës, mundet që Teutës e Vllaznisë ti afrohet edhe Kamza?
Mendoj se edhe Kamza është e rrezikuar të zbresë në zonën e mbijetesës në Kategorinë Superiore. Ajo është 7 pikë sipër Vllaznisë, dhe kjo nuk është distancë e madhe, duke pasur parasysh se Kamza ka lëshuar shumë në lojën e saj, e kjo ndoshta do ta ndëshkojë. Edhe këtu do të ketë luftë sportive e rivalitet.

Cila është prognoza juaj për ndeshjet e javës së 27-të të Superiores?
Të gjitha çiftet e kësaj jave janë të forta, por edhe interesante. Luftëtari, Laçi, Kukësi e Partizani do të luftojnë fort për rezultat pozitiv, e po kështu paraqitet situata për Vllazninë, Teutën e Kamzën. Do të kemi një javë edhe me ndonjë surprizë, përjashtuar çiftin Luftëtari-Lushnja.
Situata e Skënderbeut është shumë e rëndë. Që në raportin e parë që dhanë inspektorët e këtij organizmi, ndjeva diçka të rëndë që do të na ndodhte. Kjo goditje do të ketë impakt në futbollin tonë, dhe çuditem se dikush e merr si me shaka, por është shumë serioze
Ndeshjet-java e 27-të
E shtunë, 31 mars 2018 
Teuta-Laçi 14:00
Vllaznia-Skënderbeu 17:00
Flamurtari-Kukësi 17:00
E diel, 1 prill 2018
Luftëtari-Lushnja 14:00
Kamza-Partizani 14:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 26 60
3. Kukësi 26 45
5. Laçi 26 42
6. Partizani 26 39
7. Luftëtari 26 37
2. Flamurtari 26 37
4. Kamza 26 34
8. Vllaznia 26 27
9. Teuta 26 26
10. Lushnja 26 10
Sigal