INTERVISTA/ Artan Mergjyshi: Kategoria Superiore në fazën më të vështirë, Skënderbeu e Lushnja pozicione të “sigurta”

163
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Dinamos dhe i Besës, ja “skaneri” i tij për javën e 24-të të Kategorisë Superiore
Çfarë veçoni në tërësinë e zhvillimit të 24 javëve në Kategorinë Superiore?
Të thuash, se kryesimi i Skënderbeut nuk është e veçantë, ky është një fakt i cili po ndodh që nga starti i këtij kampionati. Skuadra korçare asnjëherë nuk e ka vënë në dyshim kreun, dhe ka zhvilluar një garë të bukur me të gjitha skuadrat, edhe me Lushnjen e vendit të fundit në renditje.

Me rezultatet që kanë arritur, i kanë shprehur skuadrat vlerat e tyre reale?
Sa i përket aspektit të lojës, të gjitha duhet të ishin shprehur më mirë, sepse duke rendur pas rezultateve, lojën e kanë lënë në plan të dytë. Por, edhe në veprimet sulmuese, skuadrat në këto 24 javë nuk janë shprehur realisht, sepse, golat më shumë janë shënuar jo në logjikën e lojës.

Ku e shikoni mangësinë më të madhe të Kategorisë Superiore në këto 24 javë të luajtura?
Nëse do ti veçonim skuadrat për pritshmëritë që ato kanë pasur, natyrisht që Flamurtari e Partizani janë ato që kanë pasur mangësi e luhatje në këto 24 javë. Ndoshta nga që nuk kanë bërë lëvizje pozitive gjatë merkatos, ndërsa Vllaznia e Teuta nuk janë në pritshmëritë e tyre.

Shkëputja e dy skuadrave në ekstremet e renditjes, mendoni se e ka zbehur garën ky fakt?
Deri tani, mendoj se jo, sepse si Skënderbeu, ashtu edhe Lushnja, kanë treguar se e kanë respektuar garën. Mendoj se të dyja do ta mbyllin në këto pozicione Kampionatin, por në fazën e katërt, renditja e tyre edhe mund të ndikojë në ecurinë e garës.

Cilat skuadra i mendoni më pranë vendit të dytë e të tretë që të çon në Evropë?
Deri tani, Kukësi duket se është më i avantazhuar për vendin e dytë dhe për Evropën, ndërsa për vendin e tretë do të jenë tre-katër skuadra në lojë, si Laçi, Partizani, Luftëtari e Flamurtari. 

Te skuadrat që luftojnë për mbijetesë në Superiore, mendoni se do të vazhdojë me çiftin Vllaznia-Teuta, apo mundet edhe Kamza?
Nuk mendoj se Kamza do ta menaxhojë keq garën e saj deri në mbyllje, dhe me pikët që ka është larg rrezikut të mbijetesës. Mbeten në këtë “valle” Vllaznia me Teutën, por skuadra shkodrane po tregohet më eksperte në marrjen e pikëve gjatë fazës së tretë.

Disa skuadra kanë shfaqur pakënaqësi për gjykimet, kanë qenë ato faktorë në rezultate të veçanta?
Si në çdo kampionat, edhe këtë herë arbitrat kanë shfaqur mangësi në gjykime. Ka pasur gabime edhe nga pakujdesia apo njerëzore, por ka pasur edhe gabime që kanë ndikuar në rezultate. Konkretisht në ndeshjen Laçi-Flamurtari 4-2, është dhënë një penallti skandaloze në favor të Laçit, ndërsa Flamurtari u dëmtua nga veprimet e arbitrit.

Do të luhen ndeshjet e javës së 25-të, mbetet kjo hapësirë e shkurtër një ngarkesë për skuadrat?
Mendoj se është një kohë e shkurtër, si në aspektin fizik të lojtarëve, ashtu edhe në atë infrastrukturor, sepse terrenet aktuale nuk e favorizojnë lojën në kohështrirje kaq të shkurtra. Duhen kontigjente më cilësore për të përballuar një kampionat me këtë kohështrirje.

Në ndeshjet e javës së 25-të, mendoni se mund të kemi ndonjë rezultat surprizë, dhe ku?
Kalendari tregon se kjo do të jetë një javë e luftuar, ku vetëm Laçi duket favorit për tri pikët në Lushnje. Ndërsa në Durrës, Teuta luan “për jetë a vdekje” ndaj Skënderbeut, po kështu edhe sfida në Shkodër, Vllaznia-Partizani. Luftëtari-Kukësi, mbetet kryesfida e javës.
Mendoj se është një kohë e shkurtër, si në aspektin fizik të lojtarëve, ashtu edhe në atë infrastrukturor, sepse terrenet aktuale nuk e favorizojnë lojën në kohështrirje kaq të shkurtra. Duhen kontingjente më cilësore për të përballuar një kampionat me këtë kohështrirje
Rezultatet-Java e 24-t
E shtunë, 10 mars 2018
Kukësi-Teuta 3-2
Laçi-Flamurtari 4-2
Kamza-Vllaznia 0-0
Partizani-Luftëtari 3-0
Skënderbeu-Lushnja 3-1

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 24 56
2. Kukësi 24 42
3. Laçi 24 36
4. Flamurtari 24 36
5. Partizani 24 35 
6. Luftëtari 24 34
7. Kamza 24 33
8. Vllaznia 24 26
9. Teuta 24 22
10. Lushnja 24 10

Ndeshjet-Java e 25-të
E mërkurë, 14 mars 2018
Luftëtari-Kukësi 14:00
Lushnja-Laçi 14:00
Teuta-Skënderbeu 17:00
Vllaznia-Partizani 17:00
Flamurtari-Kamza 17:00

18 gola
Ky ishte numri i golave që u shënuan në pesë ndeshjet e javës së 24-ët të Kategorisë Superiore, një mesatare e lartë 3.6 gola për ndeshje