INTERVISTA/ Armand Duka: Jemi në vazhdim të projekteve të nisura në mandatet e kaluara, Gjykata nuk ka një vendim refuzimi

713
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” Presidenti i FSHF-së, pas bisedës në një emision jashtë futbollit, ja si vjen aktualiteti në futbollin tonë
Të shtunën bëtë “Xing” me Ermalin, si u ndjetë në këtë emision ndryshe nga ata sportivë?
Është një emision shumë i bukur, madje do të thoja se Mamaqi ka bërë një gjetje shumë të këndshme, dhe besoj se ndiqet si emision. Duke qenë ndryshe nga ato sportivët, unë u mundova të isha në sinkron me Ermalin, nuk e di sa do t’ia kem arritur.

Në atë bisedë, kishte edhe pyetje nga më të ndryshmet, por ajo e rizgjedhjes në mandatin e pestë, mos ishte me pak “spec”?
Unë nuk e kam kuptuar të tillë. Mendoj se është normale që një President federate të pyetjet kur rizgjidhet në atë post. Duke qenë mandati im i pestë, natyrisht që interesi është edhe më i madh për të marrë një përgjigje të drejtpërdrejtë. Për mua, rizgjedhja ishte një garë me shumë emocion.

Por mandati juaj është kontestuar nga rivali për këtë post Bashkim Fino, ju e merrni në konsideratë kundërshtinë e tij?
Organizimi e zhvillimi i Asamblesë, e në fund zgjedhjet e Presidentit dhe të Komitetit Ekzekutiv, ka qenë një nga nga garat më të organizuara. Në këndvështrimin tim si një nga tre kandidatët për President në FSHF në Asamblenë e 7 shkurtit,, nuk kam parë ndonjë parregullsi që duhej të kontestohej, apo që të çohet në gjyq. 

Sipas jush, pse vjen gjithë ky kontestim nga ish-rivali jua për President në FSHF?
Ndoshta se, pas një pakënaqësie, vijnë deklaratat emocionale. Kjo ndodh edhe për faktin se, ka persona (si Fino), që e kanë të vështirë të pranojnë rezultatin kur humbasin. Në Asamble jemi përqafuar, u takuam dhe Fino më ka uruar, ndërsa unë e kam vlerësuar urimin e tij. Gjithsesi, përgjigjen më të plotë të kësaj pyetjeje mund ta merrni prej tij.

Po vendimin e fundit të Gjykatës së Tiranës, si e vlerësoni?
Nga Gjykata e Tiranës nuk ka një vendim refuzimi, apo konstatimi të paligjshmërisë së zgjedhjeve të fundit të organeve drejtuese të FSHF. Ky vendim ka të bëjë vetëm me kthimin e kërkesës, për shkak të plotësimit të disa dokumenteve shtesë që ajo ka kërkuar. Pasi të plotësohet dokumentacioni i kërkuar, FSHF-ja do ti ridrejtohet gjykatës për depozitimin e dokumenteve që parashikon Ligji.

Qëndrojmë edhe pak te Asambleja, ju u angazhuat pas zgjedhjes, se fillon një punë më e vështirë për ju, realisht kanë nisur vështirësitë?
Vështirësitë në çdo punë që bëhet mirë, janë normale. Duke qenë mandati i pestë, nisi një punë më e vështirë për mua, sepse ju garantoj që, çfarë u diskutua në Asamble, tashmë është pjesë reale e punës sime, për të çuar më përpara projektet e nisura.

Ky mandat në krye të FSHF-së, çfarë ju ka sjellë në këtë periudhë?
Natyrisht që, duke qenë mandati i pestë, ai është vazhdim i projekteve që kemi nisur në mandatet e kaluara. Fitorja ime nuk ishte individuale, sepse për mua ajo është fitore në skuadër, dhe si e tillë, së bashku do të mundohemi që të bëjmë çdo gjë më mirë. Do të mundohem që ta sjell edhe Ermalin në stadium.

Të paktën gjatë vitit 2018, nga skuadra e klube futbolli ka pasur pretendime për ecurinë e garës, ju si e vlerësoni në tërësi vazhdimësinë e saj?
Unë mendoj se, jemi në procesin e njërës prej garave më të mira. Si në çdo garë, edhe aty dalin herë pas here problematika, të cilat janë pjesë e garës. Në kampionat ndodhin të gjitha, ka spektakël, shënohen gola të bukur, por ka edhe sherre. Ne si federatë mundohemi që ti luftojmë ato në maksimum, natyrisht me rregull të forta, por edhe me ndëshkime disiplinore.

Po në punët tuaja me kombëtaret, në të tilla nivele janë punët?
Nëse flasim për të gjitha kombëtaret në përgjithësi, do të thosha se nga stafi në FSHF dhe trajnerët përkatës, punohet me përkushtim. Në kombëtaret e moshave kanë hyrë talente që do ti vlejnë së ardhmes, dhe kjo vlen të falënderohet. Ndërsa në Kombëtaren A, ka më shumë punë, është më e prekshme në gjithë ecurinë e saj.

Po humbja e fundit me Norvegjinë, çfarë impakti ka lënë në ambientet e punës në FSHF?
Humbja në këtë miqësore nuk është pritur mirë në ambientet publike, dhe kjo është normale. Ne gjithmonë nisemi nga rezultati, por mendoj se në atë ndeshje rëndësi kishte qëllimi që trajneri i kishte vënë vetes me aktivizimin e disa futbollistëve të rinj.

Dhe ju mendoni se ata e justifikuan tërësisht besimin e Panuçit?
Trajneri Panuçi e ka dhënë një konferencë për shtyp lidhur me atë miqësore, dhe me sa jam informuar unë, ai ka marrë të gjitha përgjegjësitë për çka nuk shkoi mirë. Po ndërton një skuadër që ti shërbejë vazhdimësisë, duke mos mbetur vetëm në emrat të cilëve gradualisht u vjen edhe koha e largimit nga Kombëtarja.

Në këto 16 vite që drejtoni FSHF-në, keni ju ndonjë ndeshje të veçantë të Kombëtares sonë?
Nuk mund të ndahet asnjë ndeshje, madje edhe ato që kemi humbur. Por, loja më e bukur është ajo që fitohet, dhe në këtë kuptim, te mua kanë lënë mbresa fitoret me Greqinë, me Rusinë, dhe ajo ndaj Rumanisë në Kampionatin Evropian.

Do të vazhdoni ti ndryshoni trajnerët edhe në këtë mandat?
Unë nuk kam ndonjë bast në këtë drejtim, çdo trajner ka marrë besimin tim për të bërë më të mirën me Kombëtaren. Edhe Panuçi në këto situata po punon, e do të uroja që idetë e mira të tij të bëhen sa më shpejt pjesë e lojës së skuadrës sonë.
Natyrisht që, duke qenë mandati i pestë, ai është vazhdim i projekteve që kemi nisur në mandatet e kaluara. Fitorja ime nuk ishte individuale, sepse për mua ajo është fitore në skuadër, dhe si e tillë, së bashku do të mundohemi që të bëjmë çdo gjë më mirë gjatë këtij mandati që kemi nisur
5 mandate
Nga zgjedhja për herë të parë në vitin 2002, Armand Duka u rizgjodh për herë të pestë në postin e Presidentit të FSHF-së
Situata e fundit, Gjykata e Tiranës nuk ka konstatim të paligjshmërisë së zgjedhjeve
Mesdita e së premtes së kaluar, si lajm të parë sportiv, kishte një vendim të Gjykatës së Tiranës, lidhur me regjistrimin e Asamblesë të FSHF-së. Në portalet e shumta, por edhe në mediat e tjera sportive, ky lajm u trajtua në këndvështrime të ndryshme, duke shkuar deri te paligjshmëria e Dukës dhe KE të FSHF-së. Por, vetë institucioni i futbollit, u qartësua se, nga Gjykata e Tiranës nuk ka një vendim refuzimi, apo konstatimi të paligjshmërisë së zgjedhjeve të fundit të organeve drejtuese të FSHF. “FSHF njofton opinionin publik se, ky vendim ka të bëjë vetëm me kthimin e kërkesës, për shkak të plotësimit të disa dokumenteve shtesë që ka kërkuar gjykata. Pasi të plotësohet dokumentacioni i kërkuar FSHF do ti ridrejtohet gjykatës për depozitimin e dokumenteve që parashikon Ligji. Kjo praktikë në Gjykatë ka të bëjë vetëm me regjistrimin e akteve”, sqaroi FSHF-ja në komunikimin e saj publik ditën e premte.
Sigal