INTERVISTA/ Andrea Marko: Java e 36-të tregoi hapur se ky nuk është futboll, dje u luajt “teatër-Kampionat”!

951
Sigal

Nga Agron KAJA

U luajtën dje 90 minutat e fundit në Kategorinë Superiore, ja si i përshkruan për “Telegraf” ish-futbollisti i Dinamos dhe i Kombëtares

Dje u mbyllën 36 javët e Kategorisë Superiore 2017-2018, në ritmikën e tyre, duket sikur gjithçka nisi e mbaroi shumë shpejt?

Kemi ndjekur një kampionat që u fillua me vonesë më 19 shtator 2017, dhe përfundoi dje me vonesë më 23 maj 2018. E duke menduar që do të luhet finalja e Kupës së Shqipërisë, bëhemi vendi i vetëm në Evropë me këtë kohështrirje të sezonit 2017-2018.

Si i përshkruani rezultatet që u shënuan në këtë javë të fundit të Kampionatit?

Për mendimin tim, u luajt një teatër i pastër në sytë e FSHF-së, e cila dje ka qenë me syze saldatori, ku para hundës së saj në Korçë, Vllaznia shënoi 5 gola, ndërsa Skënderbeu pësoi humbjen e pestë radhazi. Nuk e kuptoj se çfarë mesazhi japin kështu!

E prisnit që Vllaznia të zbriste në Kategorinë e Parë?

Patjetër që e prisja, dhe nuk e quaj ndonjë hata të madhe, sepse kanë zbritur Tirana, Partizani, Dinamo dhe Elbasani, skuadra edhe këto që kanë fituar Tituj Kampionë dhe Kupa. Kjo Vllazni nuk vuri mend nga sezoni i kaluar, dhe i ndodhi njësoj si Hamburgut në Gjermani.

Edhe në zonën e Evropës pati lëvizje, e meritonte Partizani të ishte në këtë vend në renditje?

Partizani ka treguar luhatje në këtë Kampionat, por gjithçka në këtë renditje është bërë me llogaritë e “dirigjentëve” të kësaj komedie. Të gjitha deklaratat e trajnerëve, apo të drejtuesve të klubeve para ndeshjeve, ishin se do të luhej futboll i pastër, ndërsa pas tyre, janë “fshehur” për çka thanë.

Në këndvështrimin tuaj, çfarë veçoni në këtë javë të 36-të?

Kjo javë e 36-të, ndoshta që në fillimin e fazës së katërt, u pa qartë se kjo fazë nuk duhej të luhej. Sepse gjatë saj nuk është luajtur futboll real, por me llogari matematikore, e cila e ka prishur bukurinë e garës dhe e ka ulur dinjitetin e të gjithëve që kanë hyrë në këtë “valle”.

Një kampionat që i mban në tension skuadrat deri në fundin e tyre, çfarë tregon sipas jush?

Tregon se është një “teatër Kampionat”. Ja u deklarova më sipër, se tensioni në fazën e katërt ka qenë nëpërmjet llogarive jashtë fushe, jo nëpërmjet lojës së ndershme në fushën e lojës. Unë nuk dua të jem pjesë e e kësaj shfaqjeje, jam kundër këtij futbolli.

Po skuadra Kampione, Skënderbeu, çfarë portreti meriton prej jush në këtë titull të 8-të të saj?

Kemi një Skënderbeu që gjatë këtij sezoni luajti me dinjitet në Evropë, dhe nga ana tjetër, kemi një Skënderbe që në fazën e katërt të Kategorisë Superiore, në pesë javët e fundit ishte shëmtia e tij. Pesë humbjet resht janë më shumë se çudi për cilindo që e njeh futbollin shqiptar.

Çfarë duhet të ndryshojnë skuadrat për sezonin tjetër, në raport me mangësitë që shfaqën në këtë sezon që u mbyll?

Vetëm fazat e Kampionatin të zvogëlohen në numër, nga 4 në 3. Nuk mund të thuash më shumë për një fazë të katërt që e bëri shumë pis këtë futboll. Unë nuk bëj pjesë në këtë estradë.

Nuk e quaj ndonjë hata të madhe rënien e Vllaznisë në Kategorinë e Parë, sepse kanë zbritur Tirana, Partizani, Dinamo dhe Elbasani, skuadra edhe këto që kanë fituar Tituj Kampionë dhe Kupa. Kjo Vllazni nuk vuri mend nga sezoni i kaluar

3 herë

Vllaznia është skuadra e dytë që zbriti nga Kategoria Superiore, dhe kjo është hera e tretë, pasi kishte provuar në 1956-ën dhe 1961-in

20 gola

Në javën e fundit të Kampionatit të Kategorisë Superiore 2017-2018, u shënuan 20 gola, 2 me penallti dhe 2 autogola

 

Rezultatet-Java e 36-të

Dje, 23 maj 2018

Laçi-Teuta                   4-2

Shënues: Rexhinaldo 7’, Jonuzi 61’, Ozuni 78’, 83’/ Peqini 55’, Hila 85’

Lushnja-Luftëtari        1-2

Shënues: Sefa (p) 90+2’/Alushi 34’ (a), Shkurtaj 38’

Skënderbeu-Vllaznia   1-5

Shënues: Gripshi 50’/ Sukaj 19’ (p), Kalaja 28’, Çinari 61’, 78’, Malota 70’

Kukësi-Flamurtari       2-2

Shënues: Hoxha 49’, Guri 74’/ Bushiç 38’, Shameti (a) 53’

Partizani-Kamza          0-1

Shënues: / Rezi 48’

RENDITJA

Skuadrat        Nd       P

  1. Skënderbeu 36 72
  2. Kukësi 36 63
  3. Luftëtari 36 59
  4. Laçi 36 56
  5. Partizani 36 53
  6. Flamurtari 36 46
  7. Kamza 36 46
  8. Teuta 36 46
  9. Vllaznia 36 44
  10. Lushnja 36 11