INTERVISTA/ Aleko Bregu: Lufta për mbijetesë në Superiore, më e vështirë se kreu i renditjes

629
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Dinamos dhe i Kombëtares, i druhet aleancave e tolerimeve që mund të bëjnë skuadrat mes tyre
Si e përshkruani situatën e Kategorisë Superiore pas javës së 30-të, nisur vetëm nga renditja e skuadrave?
Mendoj se është një renditje, që brenda saj ka realitet e zhgënjime. Realitet janë Skënderbeu në krye dhe Lushnja në fund, ndërkohë që më të zhgënjyera janë Vllaznia e Teuta, dy nga skuadrat më të mëdha në futbollin shqiptar. Dhe këtu futet edhe Partizani, nisur nga uljet e ngritjet e tij në dy fazat e para.
Mos doni të thoni se, verdiktet ende janë në lojë për këto skuadra?
Mund të themi “Po”, por edhe “Jo”. Sepse, duke nisur nga kreu i renditjes, veç Kukësit që duket më afër vendit të dytë, tre apo katër skuadra të tjera kërkojnë vendin e tretë. Ndërkohë, në fundin e renditjes, janë tre skuadra që do luftojnë për mbijetesë. Pra të gjitha janë në lojën e synimeve.
Ka ndikuar situata e Skënderbeut në këtë renditje?
Unë them se nuk ka ndikuar. Le të marrim një fakt, Skënderbeu është duke luajtur me shumë seriozitet si në Kampionat e në Kupë, duke mos lëshuar në lojën e tij. Kësisoj, nuk ka pse të tjerët të ndikohen prej tij, nëse UEFA e përjashton nga gara për të luajtur në Evropë.
Superiorja ka edhe 6 javë për t’i luajtur, ku mendoni ju se do të ketë luftë më të madhe sportive dhe rivalitet?
Në të dy kahet e renditjes besoj se do të rivalizohet deri në fundin e Kampionatit. Sepse duke përjashtuar Lushnjen, Kamza, Teuta e Vllaznia janë në ethet e mbijetesës, ndërsa Partizani, Luftëtari, Laçi e ndoshta Flamurtari, kërkojnë një vend në zonën që të çon në Evropë. 
Dhe ju si specialist futbolli, cilën skuadër shikoni më të rrezikuar për mbijetesë?
Më vjen keq që po e them, por Vllaznia duket si e dyta skuadër që do të zbresë në Kategorinë e Parë. Shkodranët e kanë vitin e dytë që lundrojnë në pozicione mbijetese, por këtë herë janë më të rrezikuar. Teutën e Kamzën i shoh më larg, por jo të sigurta plotësisht se do të qëndrojnë në Superiore.
Po skuadrat që synojnë një vend në Evropë, duken më të çliruara nga “ethet” e gjashtë javëve të mbetura”
Jo, mendoj se edhe ato janë në vallen e synimeve të tyre. Përveç Kukësit që është i siguruar për Evropën, unë mendoj se Partizani e Luftëtari do të jenë dy skuadrat e tjera, duke menduar se Laçi është finalist në Kupë me Skënderbeun, dhe e ka të kapur Evropën.
Si i shikoni çiftet e javës së 31-të të Kategorisë Superiore?
Ndër pesë, unë tre i veçoj. Luftëtari-Flamurtari do të përcaktojë shumë për këto skuadra në zonën e Evropës, ndërsa Teuta-Kamza e Vllaznia-Laçi, janë sfidat e mbijetesës. Për ndeshjen Skënderbeu-Kukësi, e mendoj vetëm si sfidë të mëdhenjsh, për revansh mes tyre.
Në këto gjashtë javë të mbetura të Kategorisë Superiore, nuk mund të shmangen aleancat apo tolerimet. Kjo situatë vjen nga lufta e fortë që kanë skuadrat për renditje më të mirë, por edhe sëmundja e vjetër që ekziston indirekt në përfundimin e çdo sezoni futbollistik 
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 31-të
Sot, datë 28 prill 2018 
Luftëtari-Flamurtari 16:00
Lushnja-Partizani 16:00
Nesër, datë 29 prill 2018 
Vllaznia-Laçi 16:00
Teuta-Kamza 16:00
Skënderbeu-Kukësi 19:00
PROGNOZË E GAZETËS “TELEGRAF”
Java e 31-të
NDESHJET 1 X 2
Vllaznia-Laçi 75% 20% 5%
Luftëtari-Flamurtari 50% 40% 10%
Teuta-Kamza 90% 10% 0%
Lushnja-Partizani 0% 0% 100%
Skënderbeu-Kukësi 70% 25% 5%
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 30 69
2. Kukësi 30 55
3. Luftëtari 30 47
4. Partizani 30 45
5. Laçi 30 43
6. Flamurtari 30 43
7. Kamza 30 37
8. Teuta 30 33
9. Vllaznia 30 33
10. Lushnja 30 10
Komisioni i Disiplinës “ngel” tifozët e Partizanit dhe të Laçit
Në javën e kaluar të Kategorisë Superiore, në ndeshjen Partizani-Skënderbeu, arbitri Andi Koçi e ndërpreu ndeshjen, për fyerjet e tifozëve të drejtuara FSHF-së. Kësisoj, dënimi për Partizanin pritej të vinte, që të kuqtë ti luanin takimet e radhës pa praninë e tyre. E në fakt, dje kështu është vendosur në Komisionin e Disiplinës në FSHF, i cili e ka ndëshkuar Partizanin të luajnë 2 takime pa praninë e tyre, ndaj Teutës dhe ndaj Vllaznisë. Ndërkohë, në FSHF janë zgjuar sa i përket Laçit, duke dënuar edhe këtë fushë për shkak të sjelljes së tifozerisë, me dy ndeshje pa tifozë, në takimet ndaj Skënderbeut dhe Lushnjës. Ndërsa në tërësinë e tyre, dje janë marrë 17 vendime nga Komisioni i Disiplinës në FSHF
Sigal