INTERVISTA/ Afrim Tole: Në Spanjë është e vështirë, me Italinë e kam fiksim barazimin

791
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-mbrojtësi
i Partizanit dhe i Kombëtares, ja si e shikon situatën në grupin G kualifikues.
Deklaratat e futbollistëve tanë, “zhveshin” situatën

AFRIM TOLE

Nga Agron KAJA

Sa e keni ndjekur ritmikën e Kombëtares në këto kualifikuese të Botërorit
2018?

Të gjitha ndeshjet i kam ndjekur, edhe ato jashtë Shqipërisë.
Jo vetëm si një ish-futbollist i Kombëtares, por edhe si dashamirës i saj, pas
Evropianit 2016, them se përfaqësuesja jonë ka marrë tjetër autoritet në arenën
ndërkombëtare, ndaj edhe ndjekja e ndeshjeve, sikur bëhet një detyrim.

Keni konstatuar ndonjë ndryshim në këto pak muaj që drejtimin e Kombëtares
e ka marrë Kristian Panuçi?

Ndoshta Panuçi nuk e ka eksperiencën e duhur si trajner i
parë, që edhe të ndryshojë në një kohë të shkurtër skuadrën. Por, duke qenë se
ka punuar si ndihmës i Kapelos, besoj se do të jetë brumosur me të mirat e tij
për drejtimin e skuadrës.

Që sipas jush, nuk bëhet fjalë për ndryshime?

Absolutisht që jo, por duke qenë se futbolli është
progres, edhe në skuadër duket sikur luhet më lirshëm se me De Biazin. Ndoshta
duket kështu, edhe për faktin se Panuçi është një menaxher shumë i mirë në marrëdhëniet
me lojtarët.

Si e shikoni situatën në Grupin G kualifikues, para se të luhen dy ndeshjet
e fundit?

Duke ju referuar renditjes dhe ndeshjeve të radhës,
Spanja e ka mbyllur me vendin e parë. Ka një ekip më të konsoliduar se skuadrat
e tjera të grupit, dhe nuk do të ketë probleme në këto dy ndeshje. Por, edhe
Italia do të jetë e dyta, edhe vetë situata në renditje e flet qartë.

Për vendin e tretë në grup, mbetet Shqipëria favorite para Izraelit?

Nëse shohim kalendarin, duket sikur e rrezikojmë vendin e
tretë, por mundësitë janë për Kombëtaren tonë në këtë vend. Sepse Izraeli
ndeshjen e fundit e ka me Spanjën, dhe deri aty nuk besoj se shkon më shumë se
12 pikë, ndërkohë që ne kemi 13 pikë.

Nesër do të luhen Spanjë-Shqipëri dhe Itali-Maqedoni, mendoni ndonjë surprizë
në të dy  takimet?

Të them të drejtën, në asnjërën prej tyre nuk mendoj
ndonjë surprizë, edhe pse futbolli fillon ndeshjen nga 0-0 dhe i ka brenda të
gjitha rezultatet. Ne me Spanjën është e pamundur, uroj që të marrim barazimin,
ndërsa Italia, edhe me rezerva e rreh Maqedoninë.

Atëherë, në këto dy ndeshje, nuk mendoni asnjë shans që Shqipëria të marrë
pikë?

Të flas si shqiptar, dëshiroj që Shqipëria të marrë nga
një pikë në të dyja ndeshjet. Por, duke folur si specialist futbolli, si një
ish-futbollist në Kombëtare, jam realist kur them se mundësitë janë shumë të
pakta për të marrë ndonjë pikë në këto dy ndeshje.

Italia vjen në ndeshjen me Shqipërinë me disa mungesa, ndërkohë që
rikthehen Mavraj, Roshi e Kukeli, edhe në këtë këndvështrim nuk mendoni ndonjë
rezultat pozitiv?

Ekipi ynë, deri diku ka treguar përgatitje të mirë, dhe
luan pa probleme inferiore ndaj kundërshtarëve, dhe mungesat nuk do të ndikojnë.
Me Italinë unë e kam fiksim një barazim, këtu do të dëshiroja që të arrihej.

Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë Panuçi në Kombëtare, për një skuadër
pretendente në ndeshjet kualifikuese të Evropianit 2020?

Mendoj se është herët për të menduar kualifikueset e Evropianit
2020, por mundësitë janë. Unë e shikoj Strakoshën si më të mundshmin në portë,
ky duhet të jetë ndryshimi i parë, edhe pse ai ishte i dëmtuar dhe nuk është i
gatshëm në këto dy ndeshje. Tu jepet mundësia të rinjve, do të ishte më mirë për
vazhdimësinë.

FIFA ka marrë një vendim duke gjobitur Shqipërinë me 30 mijë franga
zvicerane për koret shqiptare në sfidën me Maqedoninë, ndërsa maqedonasit nuk i
ka prekur fare, duket e drejtë kjo?

Më duket si një vendim politik, por ndoshta FIFA ka kërkuar
të sheshojë gjëra që mendohej të ndodhnin në atë ndeshje. Gjithsesi, FSHF-ja ka
njerëz të aftë që ta menaxhojnë këtë situatë, ndërkohë që për mua koret raciste
nga cilat do tifozeri, nuk janë pjesë e njerëzve të shekullit të 21-të.

FORMACIONI MUNDSHËM

Shqipëria: 1-4-5-1

                        Berisha

 

Hysaj   Gjimshiti         Ajeti    Agolli

 

                        Xhaka

            Kaçe                Memushaj

Grezda                                                Lenjani

 

                        Sadiku

 

 

Kupa e Botës “Rusi 2018”

Grupi G

Ndeshjet/ Datë 6 tetor 2017

Spanjë-Shqipëri           20:45

Itali-Maqedoni                        20:45

Litehshtein-Izrael        20:45  

RENDITJA

Nr. Skuadra   N         P         

1.Spanjë          8          22

2.Itali               8          19

3.Shqipëri        8          13

4.Izrael            8          9

5.Maqedoni     8          7

6.Litehshtein   8          0

Ndeshjet e fundit

Datë 9 tetor 2017

Shqipëri-Itali               20:45

Maqedoni-Litehshtein 20:45

Izrael-Spanjë               20:45

 

DEKLARATA E PRESIDENTIT TË FSHF-së

Duka: Mund të arrijmë diçka

Dje, Presidenti i FSHF-së ka folur për mediat, lidhur me
dy ndeshjet e Kombëtares sonë. Ja si i mendon ato njëshi i futbollit shqiptar:
“Spanja dhe Italia janë dy ekipe shumë të forta, dy kampionë bote. Por, ne nuk
jemi ekip për të pranuar humbjet kundër tyre, dhe do të bëjmë maksimumin,
gjithçka të mirë, edhe pse kemi shumë mungesa. Ndaj kundërshtarëve të tillë
duhet të kesh 30 lojtarë, e megjithatë, unë besoj se ata që do të luajnë, do të
bëjnë më të mirën. Mund të arrijmë diçka”.

Dëmtohet Cikalleshi, tre javë larg fushës

Sulmuesi i ekipit tonë kombëtar, Sokol Cikalleshi, të
martën ka pësuar një dëmtim gjatë seancës stërvitore, dhe në rezonancën e djeshme
që bëri Spitalin Amerikan, rezultoi se rikuperimi i tij kërkon deri në tre javë
kohë. Kështu që, nuk mund të luajë në dy takimet e radhës për Botërori 2018,
Spanjë-Shqipëri më 6 tetor, dhe Shqipëri-Itali më 9 tetor. Sot do të udhëtojë
drejt klubit të tij Osmanlispor në Turqi, për të nisur periudhën e
rehabilitimit.

EVROPIANI U19/ UKRAINË-SHQIPËRI 1-0

Shënues: Supriaha 30’

Humbje në ndeshjen e parë, gabime dhe penallti e pritur

Kanë nisur dje ndeshjet në grup për Evropianin U19,
organizimi i të cilave i është besuar Shqipërisë, në datat 4, 7 dhe 10 tetor
2017. Shqipëria ka humbur minimalisht 1-0 me Ukrainën, ndeshje që u luajt në
stadiumin “Selman Stërmasi”, ku në përgjithësi, 19-vjeçarët tanë u munduan të
luanin mirë, ndaj një kundërshtari të fortë si Ukraina. Por, një gabim i mbrojtësit
Gjura në minutën e 30-të i dha avantazhin ukrainasve, të cilët nuk bënë ndonjë
diferencë të dukshme. Ndërsa në minutën e 52-të, portieri Qirko priti një
penallti, duke shmangur humbjen më të thellë. Ndeshja Norvegji-Mali Zi 3-0, e
cila u luajt në Kamzë, u ndoq edhe nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhe
nga homologu i tij në Malin e Zi, Dejan Saviçeviç. Takimet e radhës do të luhen
më 7 tetor 2017, Shqipëria ndeshet me Malin e Zi, ndërsa Ukraina me Norvegjinë.

Ndeshjet në grup

Dje, 4 tetor 2017

Norvegji-Mali Zi         3-0

Ukrainë-Shqipëri         1-0

RENDITJA

Skuadrat        Nd       P

1. Norvegjia    1          3

2. Ukraina       1          3

3. Shqipëria     1          0

4. Mali Zi        1          0

Datë 7 tetor 2017

Mali Zi-Shqipëri          12:00

Ukrainë-Norvegji        14:00