INTERVISTA/ Afrim Tole: Kjo Kombëtare nuk garanton sukses, titulli kampion do “transferohet” në Tiranë

1127
Sigal

Nga Agron KAJA

Nga Kombëtarja te Superiorja, ja këndvështrimi i ish-mbrojtësit kuqezi, dhe mendimi i tij për skuadrën fituese

Pas humbjes me Skocinë, si e përshkruani situatën e Kombëtares sonë?

Në Skoci nuk pretendonim që të fitonim, dhe me humbjen që morëm, nuk duhet që të kthejmë kokën prapa. Trajneri dhe e gjithë skuadra duhet të punojnë për dy ndeshjet e mbetura në Ligën e Kombeve. Ka djem të rinj që duhet ta ndryshojnë këtë atmosferë.

Në dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, çfarë treguan ndryshimet që bëri trajneri Panuçi?

Nuk kanë dhënë ndonjë ndryshim të madh lëvizjet e shumta në formacionin e Kombëtares. Nuk mund të pretendojmë revolucion në Kombëtare, por lojtarëve tu gjenden vendet e duhura në fushën e lojës. Kështu fitohen një pjesë lojtarësh që duhet të jenë baza e Kombëtares.

Është e aftë kjo Kombëtare që të kapë synimin për Ligën e Kombeve dhe Kampionatin Evropian?

Për një kualifikim në grup në Ligën e Kombeve, unë e shoh shumë të vështirë, por futbolli është i bukur dhe i paparashikueshëm, ndaj shpresat nuk duhen humbur. Ndërsa për Kampionatin Evropian, duhet të mendohet më seriozisht dhe me projekte

Nga Kombëtarja te Superiorja, cli është këndvështrimi juaj për skuadrat në tre javët e para?

Skënderbeu është në krye dhe po tregon se mbetet ekip i madh, ndërsa edhe skuadrat që e ndjekin, duken konkurrente. Janë luajtur vetëm tre javë, nuk mund të themi se skuadrat janë shprehur plotësisht në mundësitë e tyre. Gjithsesi, çdo kampionat është i paparashikueshëm.

Cila skuadër i ka arritur pritshmëritë në këto tre javë të luajtura?

Pas Skënderbeut, mendoj se Flamurtari, Kukësi e Partizani kanë ekipe të organizuara dhe janë treguar skuadra rivale, por ende nuk e kanë kapur gjendjen e tyre më të mirë. Për skuadrat e tjera, besoj se do të ketë ndryshime nga java në javë, kryesisht për ato që kanë traditë në Superiore.

Duke ju referuar renditjes në tri javë, ju si e lexoni vazhdimësinë e Superiores 2018-2019?

Besoj se deri në fund, do të jenë ndeshje të forta për të gjitha skuadrat. Kjo është një renditje që nuk shpreh të gjithë mundësitë e vlerat që kanë skuadrat, ndaj ndryshimet do të jenë të dukshme nga java në javë. Rëndësi ka që të jetë një renditje e pastër dhe e pandikuar nga problematikat.

Ky sezon i Superiores nisi me dhunë, është e mundshme që siguria në stadiumet tona të vendoset nga rojet e sigurisë private?

Për mendimin tim, jo. Ne nuk kemi kulturën e duhur për këtë shërbim, edhe pse duam që të jemi në ritmin e standardeve të Evropës dhe të Botës. Sot në dy-tre qytete të Shqipërisë luhet futboll, për të tjerat, presidentët e klubeve duhet që të bëjnë marrëveshje me tifozët.

Ku mendoni se duhet të përmirësohet Kategoria Superiore në vazhdimësinë e këtij sezoni?

Janë shumë elementë ku duhet përmirësim, sepse në futbollin shqiptar është bërë rutinë, ku sapo mbyllet një problematikë, hapet një tjetër. Përmirësimet duhet të jenë në shërbim të futbollit, ku së pari uroj një garë të ndershme, dhe titulli kampion pres të “transferohet” në Tiranë.