Interi humbet sulmuesin për ndeshjen derbi ndaj Milanit

333

Interi në fundjavën e kaluar të Serisë A la dy pikë të çmuara në kampionat teksa nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në shtëpi ndaj Kaljarit.

Por, zikaltërit duken se kanë humbur më shumë se thjesht dy pikë. Kjo pasi fundi i ndeshjes u shoqërua me shumë tension dhe Lautaro Martinez nuk i shpëtoi ndëshkimit me karton të kuq.

Argjentinasi pas një faulli, fillimisht mori karton të verdhë, mirëpo në nerva e sipër i shpëtuan edhe disa fjalë të tepërta ndaj gjyqtarit, i cili më pas mori vendimin për ta përjashtuar sulmuesin.

Ndërkohë, ditën e sotme ka ardhur vendimi se Lautaro përveç pezullimit prej një ndeshje nga kartoni i kuq, do i shtohet edhe një tjetër për fjalorin ndaj arbitrit.

Një masë e cila penalizon shumë Interin pasi nuk do e ketë në dispozicion futbollistin për ndeshjen e kësaj jave ndaj Udinezes dhe më e rëndësishmja Konte nuk do llogarisë në shërbimet e një prej futbollistëve më në formë as për derbin ndaj Milanit më datë 9 shkurt.

Një “dhimbje koke” për trajnerin, i cili nga ana tjetër ia hodhi mirë pa u dënuar, pasi revolta në sfidën ndaj Kaljarit e përfshiu edhe atë.

Të njëjtin fat si Lautaro ka pësuar edhe portieri i tretë i Interit, Berni, megjithatë nuk ka të krahasuar me peshën që ka argjentinasi në skuadër.