Iljazi, që e bëri topin “Çeço”!

1005
Nga Moisi DALIPI
PROFIL/ Ja si vjen në gazetën “Telegraf”, futbollisti “virtuoz” i Dinamos dhe i Kombëtares, në 17 vitet e karrierës së tij sportive
Edhe pse i ka kaluar 71 vitet e jetës, Iljaz Çeço ka ndryshuar shumë pak në portretin e tij me ato vite kur luante bukur dhe ëmbël futboll. Dhe ndodh kështu me Iljazin, sepse në programin e tij ditor, veç angazhimeve të tjera, vëmendje të veçantë i kushton ecjeve dhe vrapimeve në natyrë. I qetë në bisedë, shumë miqësor me shokët dhe njerëzit, dhe plot mirësi në ato që thotë. Në sofër bisede, Lazja ka shumë dëshirë që kujtojë vitet dhe shokët që ka luajtur për shumë vite futboll, pa harruar edhe problemet që ka sot futbolli shqiptar. Atë ditë, kur biseda jonë mori udhën për të hedhur në këtë profil karrierën e tij sportive, si për koincidencë, u takuam në një lokal pranë ish-stadiumit “Dinamo”(sot “Selman Stërmasi”), së bashku me shokun e tij të skuadrës tek Dinamo, mesfushorin potent Dorez Çiraku. “Unë kam disa vite në emigracion në Itali, por po erdha në Tiranë nuk rri dot pa takuar Iljazin. Unë vrapoja shumë në fushën e lojës, po ky që e ka bërë topin “Çeço”. Dhe nuk besoj se ka titull më të bukur në këtë profil për Lazen, kur krejt pa dashje e vendos një shok i skuadrës, një mik i mirë siç është Dorez Çiraku.
Topi i futbollit, “Dashuria e parë”
Pak kush kishte menduar se djali vogël i Ali dhe Feruze Çeços, që ishte pagëzuar me emrin e stërgjyshit vet Iljaz, që pa mbushur 10 vjeç do harrohej për shumë orë të ditës pas lojës së topkëmbës, së bashku me shokët e tij të fëmijërisë në një fushë të vogël pranë shkollës “Skënder Libohova” të qytetit të Lushnjës. Aq e vështirë ishe ta ndaje Iljazin nga loja me topin, sa shpesh herë të tre vëllezërit e tjerë dhe motra e tij, duhej ti luteshin shumë herë për tu kthyer në shtëpi. Në një spartakiadë të pionierëve që zhvilloheshin në atë kohë në ish-kampin e Durrësit, djaloshi 12 vjeçar Iljaz Çeço do të binte në sy, në krahasim me bashkëmoshatarët e tij, për ëmbëlsinë dhe përdorimin e topit. Shumë trajnerë dhe specialistë të futbollit që vëzhgonin talentet e reja në ato vite, e kishin përcaktuar se ky djalë do kishte të ardhme në futboll. Dhe në fakt ashtu ndodhi, sepse po ti ngacmosh pak kujtimet e Iljaz Çeços, të bëhet i pranishëm fakti se, topi futbollit është dashuria e tij e parë. Ka të drejtë ky Mjeshtër i topkëmbës, sepse për 17 vjet karrierë sportive, me Traktorin e Lushnjës dhe Dinamon, e bëri topin e futbollit “Çeço”, sipas dëshirës së vet me xhonglimet, gjuatjet dhe golat e shënuar. Një jetë e tërë në futboll, prej së cilës mori jo vetëm kënaqësinë, por dhe respektin e tifozerisë.
Rekordi parë i pathyer i Iljaz Çeços
Në biografinë e tij 17 vjeçare si futbollist, Mjeshtri Iljaz Çeço vazhdon të mbajë ende të pathyer rekordin me aktivizimin e tij në moshën më të re. Dhe ka ndodhur kështu tek Traktori i Lushnjës, kur ai ende nuk i kishte mbushur 15 vjeç. Ka qenë muaji tetor të vitit 1961 në një ndeshje miqësore të skuadrës myzeqare, Traktorit, me skuadrën e rezervave të Tiranës, kur trajneri Roza Haxhiu i besoi djaloshit të ri një vend titullari. Sa shumë emocione, sa shumë dëshirë për ta luajtur topin mirë e bukur, siç dinte fantazia e tij. Në atë ndeshje shënohet edhe goli parë i karrierës si futbollist, por ndeshja e parë zyrtare për Çeçon 15 vjeçar është ajo e 13 janarit 1962, Traktori-Korabi, e vlefshme për Kupën e Republikës. Atë vit skuadra e Traktorit u ngjit në Kategorinë e Parë, dhe trajneri Adem Karapici do t’i jepte besimin e plotë fantazisë së djaloshit tashmë të “dashuruar” fort pas topit. Ai së bashku me Jasin Gazhelin, Pilo Lalën, Tas Mitrushin, Rexhep Kaparin, Hajdar Sherifin, Qemal Turkun, Idajet Haxhiun, Selim Gjocin e Sajmir Dautin, do ti jepnin skuadrës së tyre një vend në grupin e më të mirëve të futbollit shqiptar. Talenti i Iljaz Çeços do binte shpejt të sy nga specialistët e futbollit, të cilët kërkonin ta bënin pjesë të skuadrave të tyre. Besim Fagu e Loro Boriçi e kërkonin tek Partizani, Myslym Alla e Adem Karapici bënin çmos për tek 17 Nëntori, ndërkohë që trajneri shkodran Xhevdet Shaqiri që drejtonte Dinamon, besonte se ky talent do zgjidhte Dinamon. Pas peripecive pa fund, tre skuadrat kryeqytease do të “armiqësoheshin” njëra me tjetrën për këtë futbollist me shumë të ardhme. Por Dinamo del fituese, duke e veshur Iljaz Çeçon me fanellën blu. Ishte vjeshta e vitit 1964 kur talenti Çeço do linte skuadrën e qytetit tij të Lushnjës, ku lindi dhe u formua si futbollist cilësor. Kryeqyteti për këtë djalë të ri do ishte jo shumë i njohur, sepse përveç futbollit, ai ishte i detyruar të vazhdonte edhe gjimnazin “Petro Nini”. Gjithsesi, ia doli mbanë falë përkushtimit, talentit dhe dëshirës të madhe për për të qenë dikush në fushën e lojës, dhe jashtë saj. Plot 14 vjet, Iljaz Çeço ka qenë pjesë e skuadrës së Dinamos, ku ka arritur të fitojë 5 tituj kampion kombëtar, 4 Kupa Republike dhe 2 Spartakiada Kombëtare. Me ekipin e Dinamos, ish-kapiteni i skuadrës, Iljaz Çeço, është fitues 2 herë i “Anketës Sportive” si futbollisti më mirë, në vitin 1965 kur ishte 18 vjeç, dhe vitin 1967, këtë herë së bashku me Panajot Panon. Dinamo në ato vite ishte një skuadër solide dhe dominonte fort në futbollin shqiptar. Rama, Mergjyshi, Gjinali, Ibërshimi, Kodra, Vorfi, Hysi, Çiraku, Zhega, Përnaska, Sejdini, Zëri, Ballgjini e të tjerë, do ishin sinfonia e bukur e kësaj skuadre legjendë. Në dy sezone, Çeço është golashënuesi më mirë: Në 1965-1966 me 13 gola, dhe në 1967 -1968 me 16 gola të shënuar. Dhe në moshën 31 vjeçare, në vitin 1978, në ndeshjen Dinamo-Vllaznia, Mjeshtri Iljaz Çeço do të mbyllë karrierën si futbollist, duke ju përkushtuar profesionit të juristit. Por, në vitet 1981-1987, ai drejtoi klubin e tij të dashur, “Dinamon”, duke kontribuar në përgatitjen e brezave të futbollistëve cilësorë. 
Rekordi dytë, lojtari më i ri i Kombëtares
Përveç rastit unikal që është aktivizuar si futbollist pa mbushur 15 vjeç, Iljaz Çeço mban edhe një rekord tjetër, atë të futbollistit në moshë më re të aktivizuar me ekipin tonë Kombëtar. Statistikat tregojnë se ka qenë 24 maji i vitit 1964 në ndeshjen Holandë-Shqipëri, kur Iljaz Çeço ka qenë 17 vjeç, 4 muaj dhe 20 ditë kur ka veshur fanellën e ekipit kombëtar. Dhe këtë besim Iljaz Çeços ia ka dhënë ish-trajneri Zyber Konçi. Më pas, ish-portieri Blendi Nallbani i është afruar këtij rekordi të pathyer të Çeços, i cili është aktivizuar më 26 prill 1989 në ndeshjen Angli-Shqipëri, kur ka qenë 17 vjeç, 11 muaj dhe 4 ditë. Janë 11 ndeshje që Çeço ka zhvilluar me ekipin kombëtar, përkrah Jankut, Halilit, Frashërit, Panos, Jasharit, Bushatit, Zhegës, Vasos etj. Ndeshjet kundër Holandës, Polonisë, Turqisë, Rumanisë dhe ish-Gjermanisë Perëndimore, shumë ndeshje miqësore ndërkombëtare dhe ato në Kupat e Evropës, do jenë ndeshje të një futbolli të bukur të luajtur nga fantazisti Iljaz Çeço. Por jo vetëm kaq, sepse do të veçohen ndeshjet Dinamo-Fenerbahçe dhe 17 Nëntori-Ajaks, në të cilat Iljaz Çeço ka qenë “barometri” i skuadrës. 
Dhimbje për vuajtjet e Dinamos
Sa herë që bie fjala për futbollin, Iljaz Çeço flet edhe për vuajtjet që ka sot klubi “Dinamo”. Dhe jo vetëm për futbollin, por edhe për sporte të tjerë, kur ky klub i krijuar në vitin 1950 ka qenë krenaria e sportit shqiptar. Dhe këto i sjellin jo pak dhimbje e keqardhje Mjeshtrit Iljaz Çeço. “Te Dinamo, futbolli ka më shumë se pesë kampionate që luan në kategori inferiore, volejbolli, basketbolli, atletika e shumë lloje të tjera sporti, janë eliminuar fare tek Dinamo. Dhe ato objekte të ish-klubit tonë, tashmë janë tjetërsuar. Është për të ardhur keq që po ndodh kështu. Ne ish-sportistët e kemi ngritur zërin kudo për këtë gjendje, por askush nuk na ka dëgjuar deri tani. A do të dalë një burrë që ta rikthejë atë Dinamo? Kështu na kanë vrarë vitet më të bukura të jetë sportive, timen dhe të shokëve të mi”, ka mbyllur bisedën mes notave të nostalgjisë, Mjeshtëri Iljaz Çeço.
Iljaz Çeço
Datëlindja: 03 janar 1947/ Vendlindja: Lushnjë
Skuadrat ku është aktivizuar: Traktori 1961-1963, Dinamo 1964-1978
Roli në skuadër: Mesfushor-sulmues
Me Kombëtaren: Luajtur në 11 ndeshje
Trofe të fituara: Me Dinamon 5 tituj kampion, 4 Kupa Republike dhe 2 Spartakiada Kombëtare
Vlerësime: Dy herë fitues i “Anketave Sportive”; Mjeshtër Sporti”, Mjeshtër i Merituar Sporti”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Legjenda e Futbollit Shqiptar”, “Qytetar Nderi i Lushnjës”, fitues i Anketës Sportive “Çamëria 2016” 


Sigal