Ilir Spahiu: Kampionati varet nga vlera e lojtarëve, dhe vlera e trajningut

579
Nga Agron KAJA
SPECIALE/ Ja si i përshkruan skuadrat gjatë merkatos, një nga specialistët më “finë” në futbollin shqiptar, mendon një Partizan të bukur dhe Skënderbe pretendent
Si e shikoni situatën e skuadrave të Kategorisë Superiore në këtë periudhë?
Është një fazë kur skuadrat kanë punë të ngarkuar, dhe kryesisht trajnerët. Sepse janë ata që merren me përzgjedhjen e elementëve dhe për trajningun e tyre. Të gjithë drejtuesit e klubeve dhe trajnerët, kanë treguar se vlerësimi për përballimin e sezonit të ri, është serioz dhe real.

Kjo është periudhë merkatoje dhe përgatitore, cilën skuadër veçoni që dallohet në të dy këta tregues?
Të gjitha skuadrat kanë bërë merkaton sipas buxheteve, e njëherësh kanë zhvilluar përgatitjet e skuadrave, por duke parë emrat dhe pagesat e atyre që janë ofruar në disa skuadra, veçoj Partizanin si më aktivin dhe më cilësorin në këtë merkato, dhe më pas Skënderbeu me Kukësin. Të treja janë skuadra që kanë buxhete të mëdha, e mbi bazën e tyre kanë ndërtuar synimet që i imponojnë edhe këto merkato.

Kjo merkato e Partizanit, por edhe e dy skuadrave të tjera, tregojnë se standardet e futbollit shqiptar janë në rritje në këtë tregues?
Natyrisht që, merkato me emra cilësorë, të cilët arrijnë edhe në pagesa të pa imagjinueshme për futbollin shqiptar, është një tregues që tregon rritje, por vetëm këtu, sepse për çka kanë dhënë skuadrat me elementë që kanë ofruar në merkato, nuk kemi thënë shumë, kryesisht me paraqitjen e disa skuadrave tona në Europë.

Po situata që po kalon Kukësi, me trajnerin dhe disa futbollistë, çfarë tregon më shumë kjo për një skuadër kampione?
Kjo tregon se situata e Milinkoviç është e paqartë. Nëse është sikundër deklaron Luftëtari, njëherësh edhe FSHF-ja që nuk arriti dot pajtimin mes tyre, trajneri dhe Kukësi kanë gabuar rëndë. Koha do të tregojë, sepse në kontrata, shpesh presidentët edhe abuzojnë, dhe në këtë rast duhet parë kryesisht klauzola. Çdo gjë ka mundësi të ndodhë në këtë rast, dhe Kukësi duhet të jetë më i përqendruar, dashamirës dhe profesionist me kontratat.

Ndërkohë që Skënderbeu është në aktivitet, do të ndikojnë këto ndeshje në Europa Ligë për perfomancën e tij në sezonin e ri?
Kjo nuk është pjesëmarrja e parë e Skënderbeut në Europë, madje edhe kur arriti në fazën e grupeve, doli Kampion në Superiore. Do të dëshiroja që të kalonte edhe Dinamon e Zagrebit, sepse gjithë sportdashësit shqiptarë i kanë sytë te kjo skuadër, por sido që të shkojë, i ka kapacitetet që të ketë vazhdimësi të mirë në sezonin e ri. 

Mendoni se ky angazhim në Europë nuk do ti sjellë skuadrës korçare lodhje, apo edhe probleme fizike gjatë sezonit të ri?
Nëse flasim për për diçka që hamendesohet se mund të ndodhë, kjo është diçka që çdo skuadër e ka marrë parasysh, duke patur sa më shumë futbollistë në dispozicion gjatë gjithë sezonit. Por, Skënderbeu ka futbollistë cilësorë, ka edhe një trajner profesionist e serioz, që së bashku me presidencën, janë në një bashkëpunim shumë profesionist, në shërbim të skuadrës.

Duke i parë të gjitha këto përgatitje që po bëjnë skuadrat e Superiores, si mund ti ndani ato në synimet e tyre për sezonin e ri?
Nisur nga sa po zhvillohen situatat në këtë periudhë, besoj se do të kemi një Partizan të bukur, një Skënderbe pretendent dhe Kukësin në ndjekje të tyre. Të gjithë skuadrat e tjera do të jenë në nivelet që sot, nuk mund ti përcaktosh si tre të parat, por që jo të gjitha kanë bërë më të mirën në këtë periudhë. Për arsye që ato i dinë, diferencat janë të dukshme, ndaj edhe përcaktimet nuk mund të jenë për shumë lart, pa përjashtuar edhe ndonjë befasi, si Luftëtari në sezonin e kaluar.

Deri në nisjen e sezonit të ri duhen rreth 25 ditë, çfarë sugjeroni për skuadrat gjatë kësaj hapësire kohe?
Të gjithë drejtuesit e skuadrave dhe trajnerët, e kanë të qartë se në këtë periudhë punohet paralel: përgatitje-merkato. Deri më 31 gusht, stafet bëjnë përzgjedhjet në merkato, ndërkohë që trajnerët vazhdojnë me përgatitjet, të alternuara edhe me ata futbollistë që ofrohen. Kampionati varet nga vlera e lojtarëve, por edhe nga vlera e trajningut.
Të gjithë drejtuesit e skuadrave dhe trajnerët, e kanë të qartë se në këtë periudhë punohet paralel: përgatitje-merkato. Deri më 31 gusht, stafet bëjnë përzgjedhjet në merkato, ndërkohë që trajnerët vazhdojnë me përgatitjet, të alternuara edhe me ata futbollistë që ofrohen. Kampionati varet nga vlera e lojtarëve, por edhe nga vlera e trajningut
Sigal