Ilir Meta: Radioja mbetet media që mbërrin më shpejt dhe ndikon audiencën më të gjerë në Botë

660
Nga Agron KAJA
VEPRIMTARIA/ Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Radios, Presidenti i Republikës zhvilloi një takim, me gazetarë, komentatorë, folës, regjisorë, drejtues radiosh
Data 13 shkurt, që përkon me ditën kur është themeluar edhe radio e Kombeve të Bashkuara në vitin 1946, shënohet edhe si Dita Botërore e Radios, e cila ka për qëllim të kujtojë fuqinë unike të këtij mediumi në funksion të promovimit të qasjes në informacion dhe të lirisë së shprehjes. Dhe dje, në ambientet e Presidencës u organizua një veprimtari me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Radios, ku vetë Presidenti i Republikës, Ilir Meta, organizatori i kësaj veprimtarie, para të ftuarve të tij: gazetarë, komentatorë, folës, regjisorë, drejtues të ndryshëm radiosh, sportistë të radio-amatorizmit, etj, e a quajti edhe si një privilegj personal këtë mundësi. “Po, për mua është privilegj e kënaqësi e veçantë dhe nuk mund të ikte kjo mundësi në këtë vit, që UNESCO e ka quajtur vitin e ‘Radios dhe të Sportit’, për t’iu ftuar ju të gjithëve, që të jemi sot së bashku, që të nxisim më tej të rinjtë tanë të merren dhe të angazhohen më shumë me sport, për të luftuar veset, për të luftuar obezitetin, depresionin te fëmijët, te të rinjtë, te të gjithë shoqëria, por edhe për të promovuar arritjet e sportit tonë, që shpresoj në këtë vit të Skënderbeut do të jenë më të larta”, kështu e nisi bisedën Presidenti Meta, i cili më pas uroi edhe 80-vjetorin e krijimit të Radio Tiranës. “Këtë vit Radio Tirana feston 80-vjetorin e themelimit të saj, ashtu siç edhe një radio private, aq shumë e dashur për publikun, Top Albania Radio, feston nesër 20-vjetorin e themelimit të saj. Urime stafeve tuaja”, theksoi fillimisht Presidenti i Republikës në këtë takim, por që më pas solli edhe kujtimet e tij radiofonike. “Kur sjell ndërmend radion, nuk mund të mos ndaj me ju edhe faktin se mundësisht, për afro dy vite, edhe unë u përpoqa, të jem një ndër ju. “Unë do të sjell edhe një nostalgji personale, sepse para viteve ’90, kur isha tepër i ri në moshë, kam bërë edhe unë komentatorin sportiv në emisionin e njohur radiofonik në Radio Tirana “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, me një nga ikonat e radios, Ahmet Shqarrin. Kjo eksperiencë modeste në Radio Tirana më sjell gjithmonë kujtime mbresëlënëse, dhe e bën edhe më kuptimplotë afeksionin tim për radion dhe vlerësimin maksimal që kam për kontributin tuaj, në atë çfarë i keni dhënë shoqërisë, shpeshherë në kushte të vështira, pse jo dhe me sakrifica”. 
“Fillimet e Radio Tiranës, lidhen me emra tepër të shquar të kulturës e artit shqiptar, të diplomuar në universitetet e konservatorët e Evropës, si Gjergj Bubani, Hamdi Sulçebe, Marie Paluca, Tefta Tashko, Mihal Ciko, Stoli Beli, Hysen Vendresha, Viktori Xhaçka, Kaliopi Plasari, Evanthi Zoraqi-Ciko, Anton Mazreku, Lola Gjoka, Pjetër Gjini, Kristaq Antoniu, Liza Vorfi, Behije Çela, Hysen Pelingu, Kel Sata, Luçie Miloti, Bik Ndoja, Kostaq Nase, Bardhyle Katundi, Mihal Stefa, Abdulla Grimci, Vath Çangu etj”.
“Gëzuar për 80-vjetorin e Radio Tiranës dhe gëzuar 20-vjetorin e Top Albania Radios, për të gjitha radiot në vendin tonë dhe mbi të gjitha për ata që themeluan jo vetëm Radio Tiranën, por gjithë këtë sistem që ne kemi sot mjaft pluralist dhe mjaft profesional! Uroj suksese për të gjithë komunitetin tuaj, për të gjithë gazetarët, teknikët, komentatorët e radios, për gjithçka që ju bëni për t’i shërbyer publikut! ‘Radioja ende mbetet mediumi që arrin audiencën më të gjerë në të gjithë botën, në kohën më të shpejtë të mundur”.
Humor e nostalgji me Shqarrin: Vartësi flet më pak nga eprori
Në veprimtarinë që u zhvillua dje në Presidencë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Radios, Presidenti Ilir Meta kishte ftuar edhe dy figura të mëdha të radiofonisë sportive në Shqipëri, krijuesin e drejtuesin e emisionit të parë radiofonik në Shqipëri “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, gazetarin Ahmet Shqarri, si dhe Komentatorin sportiv Ismet Bellova. Gjatë bisedës, Presidenti Meta nuk harroi nostalgjinë e tij. “Fola më pak se ty zoti Shqarri, se vartësi flet më pak nga eprori”, veprim të cilin, në gazetën “Telegraf”, Ahmet Shqarri e quajti si respekt të punës së tij në Radio Tirana. “Iliri pak kohë transmetoi në Radio Tirana, por ishte shumë këmbëngulës dhe i saktë në atë çka u përcillte dëgjuesve të shumtë të futbollit në atë kohë”.
Sigal