Ilir Lame: Skënderbeu e filloi “arratinë”, në gola kemi kampionat me mangësi

616
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Për ndeshjet e javës së gjashtë, flet për “Telegraf” ish-mesfushori i Partizanit dhe i Kombëtares
Janë luajtur 26 ndeshje në pesë javët e Kategorisë Superiore, cilën nga këto javë e veçoni si më të mirën, kryesisht në treguesit teknikë?
Mendoj se të gjitha ndeshjet e luajtura kanë pasur rëndësinë e tyre. Ndërkohë që për nga niveli i lojrave, deri tani unë veçoj vetëm dy ndeshje: Teuta-Flamurtari 1-2 në javën e tretë dhe Kukësi-Skënderbeu 1-2 në javën e katërt. Jo se kanë fituar skuadra udhëtuese, por se në këto sfida u luajt me nivelin e kategorisë që përfaqësojnë.

Po në rezultatet e arritura, çfarë dukurie keni vrejtur më shumë në këto pesë javë?
Përjashtuar këtë fitore dje të Skënderbeut 4-1 me Lushnjen, të tjerat kanë qenë të ngushta. Duke i parë në rezultate, mendoj se ka shtërpësi në shënimin e golave. Këtë sezon, kjo dukuri tregon se mungojnë golashënuesit e sezonit të kaluar Pejiç dhe Ekuban, ndaj në këtë tregues duhet të presim.

Me renditjen aktuale që kanë skuadrat në këto pesë javë, cilat mendoni se ende nuk janë shprehur në vlerat e tyre plotësisht?
Renditja është normale, skuadrat janë në ato vende për çfarë kanë dhënë në javët e luajtura, por bën dallim vetëm Skënderbeu. Korçarët janë në nivel evropian me lojrat që kanë zhvilluar, ndërsa skuadra e tjera janë pranë njera-tjetrës. Të presim Kukësin çfarë do të thotë nesër (sot) me Teutën, për të thënë më shumë për kampionët në fuqi.

Po Kukësi kampion në fuqi, është shfaqur i tillë në këto pesë javët me 10 pikë të grumbulluara?
Skuadra e Kukësit mendohej se do të ishte treguar pretendente që në javët e para, duke e vlerësuar si kampione në fuqi. Por, nuk është treguar e tillë, ndoshta edhe për efekte të mos akordimit si duhet, sepse ka bërë shumë ndryshime nga sezoni i kaluar.

Dje, ndeshja Skënderbeu-Lushnja 4-1, çeli siparin e javës së gjashtë, si e përshkruani këtë takim?
Mendoj se ajo ishte një ndeshje e padiskutueshme për ta fituar Skënderbeu, dhe asnjëherë Lushnja nuk u bë pengesë për rezultat tjetër. Golat u shënuan nga tre futbollistë, por e veçoj Soue për pasimet në dy raste goli, por dhe për golin që ai vetë shënoi në këtë ndeshje.

Sot luhen katër ndeshjet e tjera, cilën veçoni si më delikate?
Unë do të thoja se të katërta ndeshjet janë interesante, pasi skuadrat nuk kanë shumë dallime mes njera-tjetrës. Janë sfida të forta dhe të barabarta. Kështu, Kamza, Kukësi, e Partizani, në letër janë favoritë, por në këto ndeshje do të ketë ndonjë rezultat ndryshe. Ndërsa Flamurtari mbetet favorit për transfertën në Laç, nuk do ta quaja surprizë.

Si kanë qenë gjykimet në këto javë të fillimit të këtij kampionati?
Kanë qenë arbitrime normale, dhe uroj të kalojë kështu. Ka patur edhe ndonjë penallti të paqënë që është dhënë, ka patur pozicione jashtë loje të paqena, apo edhe dukuri të tjera që janë pjesë e futbollit, por që arbitrat nuk kanë qenë faktor në rezultate.

Si ish-lojtar i Partizanit, si e përshkruani skuadrën në këto javë?
Nga pesë ndeshje të luajtura, e kam ndjekur Partizanin në katër. Më është dukur i shthurrur në lojë, pa forcë dhe pa ide, karakteristika këto historikisht pozitive në këtë skuadër. Duke ju referuar rezultateve, mbrojtja ka qenë e dobët, mesfusha pa busull dhe sulmi i shterpë. Fitorja me Teutën shpresoj ti ketë dhënë moral për vazhdimësinë, por do shumë punë e kohë reflektimi kjo skuadër.
Ndeshjet-Java e gjashtë
Dje, 15 tetor 2017 
Skënderbeu-Lushnja 4-1
Shënues: Taku 20’, 41’, 
Soue 75’, Xhejms 80’
/ Sefa 29’
Sot, 16 tetor 2017
Kamza-Vllaznia 14:00
Kukësi-Teuta 14:00
Laçi-Flamurtari 14:00
Partizani-Luftëtari 17:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 6 16
2.Kukësi 5 10
3.Flamurtari 5 8 
4.Teuta 5 7
5.Kamza 5 6
6.Laçi 5 6
7.Vllaznia 5 5
8.Luftëtari 5 5
9.Partizani 5 5
10.Lushnja 6 2

KATEGORIA E PARË

Tirana bën “festival” golash në Peqin, Besa i afrohet kreut
Në katër javë, skuadra e Tiranës ka shënuar 4 fitore, me një golavarazh të pastër 13:0, një fakt ky që tregon diferencat e kësaj skuadre (24 herë Kampione e Shqipërisë), me rivalet e tjera. Në Peqin, jo vetëm që shënoi 6 gola, por edhe loja ka qenë në nivele të kënaqshme, aq sa trajneri i Shkumbinit “Sokol Branica, në fundin e ndeshjes sikur i ka vënë pikat mbi i. “Tirana nuk ka nevojë që ta ndihmojnë arbitrat, është një emër i madh”. Ndërsa trajneri Ze Maria, si për ta bërë edhe më të mendueshme fitoren në Peqin, e ka fokusuar mendjen e tij te ndeshja e Kupës me Vllazninë. Gjithsesi, Tirana komandon Grupin B me 12 pikë, e ndjekur nga Bylisi i Ballshit me 10 pikë. Në këtë grup, skuadra e Naftëtarit ende nuk ka mundur të marrë pikën e parë, ku të shtunën humbi ndaj Apolonisë 0-2. Në Grupin A, Kastrioti u ndaj të shtunën në barazimin 1-1 në Pukë me Tërbunin, dhe nga fitorja e djeshme e Besës 3-1 me Erzenin, e ngushtoi diferencën në 1 pikë me vendin e dytë. Në këtë grup, java e katërt mund të quhet edhe si java e barazimeve, sepse u regjistruan tre nga pesë ndeshjet e luajtura. Në fundin e këtij grupi, Burreli bën të veçantën, sepse në katër javë nuk e njeh golin, pra, nuk ka shënuar asnjë gol në portat kundërshtare, një dukuri që matjanët i bën të mendojnë mirë për vazhdimësinë, që në ndeshjen e radhës me Besën. Për javën e 5-të, në Grupin B, sfida Tomori-Bylis duket si më interesante, ndërsa në Grupin A, çiftet janë me diferenca të pakta mes tyre. 

Grupi A
Rezultatet-Java e katërt
Të shtunën 14 tetor 2017
Besëlidhja-Burreli 0-0
Korabi-Vllaznia B 1-1
Dinamo-Egnatia 0-2
Tërbuni-Kastrioti 1-1
Të dielën 15 tetor 2017 
Besa-Erzeni 3-1
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Kastrioti 4 10
2.Besa 4 9
3.Egnatia 4 7
4.Erzeni 4 6
5.Besëlidhja 4 5
6.Korabi 4 5
7.Dinamo 4 4
8.Tërbuni 4 3
9.Vllaznia B 4 2
10.Burreli 4 2
Grupi B
Rezultatet-Java e katërt 
Të shtunën 14 tetor 2017
Shkumbini-Tirana 0-6
Turbina-Tomori 0-2
Pogradeci-Shënkolli 1-0
Naftëtari-Apolonia 0-2
Bylis-Iliria 2-1
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Tirana 4 12
2.Bylis 4 10
3.Apolonia 4 7
4.Tomori 4 7
5.Shkumbini 4 6
6.Pogradeci 4 5
7.Turbina 4 4
8.Iliria 4 3
9.Shënkolli 4 3
10.Naftëtari 4 0 
Sigal