Ilir Daja: Skënderbeu nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë aleat në ecurinë e këtij sezoni

599
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Do të luhen në fundjavë ndeshjet e javës së 27-të, ja si e përshkruan trajneri i korçarëve transfertën në Shkodër
Pas ndeshjes së Kombëtares, e cila e shtyu me një javë Kampionatin e Kategorisë Superiore, tashmë vëmendja ka shkuar në javën e 27-të, ndeshjet e së cilës do të luhen në këtë fundjavë. Kalendari ka ndeshje shumë të forta dhe interesante, e njëra prej tyre e përqendron vëmendjen në Shkodër, ku Skënderbeu kryesues është në transfertë ndaj Vllaznisë. Në një deklaratë të tij për mediat, trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, theksoi se ndaj Vllaznisë skuadra e tij nuk do të ketë asnjë tolerim. Interesimit të gazetës “Telegraf” lidhur me këtë sfidë të javës së 27-të që do të luhet në Shkodër, trajneri Daja ju përgjigj duke ritheksuar, se skuadra e tij nuk do të bëjë dhurata, por se lojtarët do të tregojnë sa vlejnë. “Ne nuk kemi asnjë aleat, nuk kemi pasur dhe nuk do të kemi në vazhdimësinë e këtij sezoni. Prandaj ne nuk kemi pse t’i dhurojmë diçka dikujt, por do të luajmë njësoj siç kemi bërë deri tani, duke ruajtur linjën tonë të kampionatit, duke u përpjekur për të marrë maksimumin, me qëllim që të mbyllet sa më shpejt kampionati. Normalisht na vjen keq për pozicionin ku ndodhet Vllaznia apo ekipet e tjera në renditje, por do të jemi të drejtë”, kështu theksoi dje Ilir Daja për gazetën “Telegraf”, duke ju referuar më pas rrugës së skuadrës së tij drejt titullit kampion. “Ne jemi të bindur se se titulli tashmë është një pronë, e cila çdo ditë e më shumë po shkon drejt Korçës, për shkak të diferencës që ne kemi krijuar me skuadrat e tjera, kryesisht me vendin e dytë në renditje, ndaj të cilit jemi plus15 pikë. Janë edhe dhjetë ndeshje për tu luajtur deri në mbyllje të Kampionatit, dhe ne duam vetëm pesë fitore që të mbyllim matematikën me Titullin Kampion. Dhe këto ne do ti arrijmë javë pas jave”. Në këtë përballje me Vllazninë, Skënderbeu do të ketë disa mungesa të rëndësishme, si Shehi, Lilaj e Jashanica, për të cilat trajneri Daja deklaroi se, do të jetë i mundur zëvendësimi i tyre. “Sigurisht që janë mungesa, të cilat do të ndihen. Do të na mungojnë kapiteni dhe lojtari i vitit në Shqipëri, të cilët janë mungesa të rëndësishme, por Skënderbeu gjithsesi ka në dispozicion lojtarët për të bërë më të mirën në këto takime. Ne si klub kemi synim edhe promovimin e lojtarëve që kanë pasur pak hapësira në ndeshjet e kaluara, kjo edhe për shkak të marketingut të klubit që tashmë ka kthyer në një traditë, por edhe që ata të kenë mundësi të tregojnë se janë gati për këtë fanellë. Në Shkodër, me këtë kontingjent, ne do të shkojmë për fitore”, kështu përfundoi Ilir Daja në deklaratën e tij për gazetën “Telegraf”, lidhur me transfertën e Skënderbeut në Shkodër.
Në këtë përballje me Vllazninë, Skënderbeu do të ketë disa mungesa të rëndësishme, si Shehi, Lilaj e Jashanica, për të cilat trajneri Daja deklaroi, se zëvendësimi i tyre do të jetë i mundur 
Ndeshjet-java e 27-të
Datë 31 mars 2018 
Teuta-Laçi 14:00
Vllaznia-Skënderbeu 17:00
Flamurtari-Kukësi 17:00
Datë 1 prill 2018
Luftëtari-Lushnja 14:00
Kamza-Partizani 14:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 26 60
3. Kukësi 26 45
5. Laçi 26 42
6. Partizani 26 39
7. Luftëtari 26 37
2. Flamurtari 26 37
4. Kamza 26 34
8. Vllaznia 26 27
9. Teuta 26 26
10. Lushnja 26 10
Sigal