Ilir Daja: Fitorja synimi ynë, por edhe barazimi na bën punë

510
Nga Agron KAJA
KRYESFIDA/ Për ndeshjen e Titullit Kampion në Kategorinë Superiore, Kukësi-Skënderbeu, flet për “Telegraf” trajneri i korçarëve
Sot është sfida direkt për Titullin Kampion në Kategorinë Superiore, ku Kukësi kryesues pret në stadiumin e tij Skënderbeun e vendit të dytë, vetëm me 1 pikë diferencë. Për gazetën “Telegraf”, trajneri i Skënderbeut Ilir Daja, deklaroi se do të jetë një sfidë e vështirë, por skuadra e tij duhet të fitojë, çka nuk e ka arritur asnjë skuadër këtë sezon në Kukës. “Për të siguruar titullin kampion, Skënderbeu duhet të bëjë atë që nuk e ka realizuar askush në këtë kampionat ndaj Kukësit, të mundë verilindorët. Për këtë jemi të përgatitur në sfidën që do të luajmë nesër (sot), ndërsa edhe barazimi nuk është i keq, pasi mban gjithçka të hapur deri në ndeshjen e fundit”, ishte kjo deklarata e trajnerit të Skënderbeut, një ditë para ndeshjes që vendos shumë për Titullin Kampion, Kukësi-Skënderbeu. Por, tekniku i “Ujqërve të Dëborës”, nuk harron pa “pickuar” arbitrat, ku këtë ditë të zhvillimit të ndeshjes ai e quan edhe një bonus për të ardhmen e tij. “Cilësdo që do të jetë gjyqtari shqiptar që do të drejtojë superfidën e të shtunës (sot) mes nesh (Skënderbeut) dhe Kukësit kryesues, duhet ta trajtojë atë si një bonus për të ardhmen e tij në këtë profesion. Korçarët kanë mbetur të zhgënjyer që sfida nuk do të drejtohet nga gjyqtarë të huaj, por besoj se edhe “bilbilat’ shqiptarë mund të tregojnë vlerat e tyre në një duel të tillë. Unë nuk e dija që nuk do të merrej parasysh dhe përpara kësaj kam thënë që dhe gjyqtarët tonë mund ta mbajnë këtë ndeshje. Ajo që e bënte më të lehtë me arbitër të huaj është që do të ishin më ton më të zbutur. Jam i bindur se çdo gjyqtar që do të gjykojë këtë ndeshje do të këtë një bonus dhe për karrierën e tij”. Në këndvështrimin e tij teknik, Ilir Daja e quan ndeshjen e sotme me Kukësin, të vështirë, por skuadra e drejtuar prej tij shkon aty vetëm për fitore. “Për vetë pozicionet që kemi në renditje, e duke qenë se kemi vetëm dy javë në dispozicion, kjo është një transfertë shumë e vështirë. Kukësi është rivali direkt dhe nuk e njeh humbjen në fushën e tij për këtë sezon, ndaj dhe ne jemi të detyruar të shkojmë vetëm për fitore. Besojmë se dhe ne kemi shanset tona, duke qenë se vijmë në këtë sfidë pas nëntë fitoreve radhazi. Kontingjentin e kemi të plotë, përveç Lilajt që do të mungojë, madje mendoj dhe shpresoj që edhe Salihi do të jetë 100% i gatshëm. Por, nuk është i vetmi rezultat fitorja, pasi ka dhe një javë tjetër,e për këtë ne duhet të jemi të qetë dhe do ta kërkojmë fitoren jo më doza emocionale, por me qetësi”, përfundoi në deklarimin e tij trajneri Ilir Daja i Skënderbeut.
Trajneri i Kukësit, Gjoka: Ndeshje historike, e mbyllim këtë javë me titullin
Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, e vlerëson maksimalisht sfidën ndaj Skënderbeut dhe deklaron se skuadra e drejtuar prej tij nuk do të luajë për barazim, por vetëm për fitore. “Është një ndeshje e hapur që i ka të tria rezultatet , ne jemi të favorizuar pasi luajmë në fushën tonë dhe mezi po presim ta mbyllim që këtë javë çështjen e titullit, pasi kjo është ndeshja që na siguron titullin kampion. Luajmë përballë një rivali të fortë, kampionin në fuqi, për ne ka vlera psikologjike, ka vlera historike, ka vlera që Kukësi të mbyllë me sukses këtë vit të jashtëzakonshëm”, deklaroi dje në mediat sportive trajneri Ernest Gjoka i Kukësit. 
Reagimi i klubit të Skënderbeut: Çmimet e biletave, absurde!
Për vetë rëndësinë që ka sfida e sotme Kukësi-Skënderbeu që do të luhet në ora 17:30 në stadiumin “Zeqir Ymeri”, klubi i futbollit kuksian njoftoi ditë më parë çmimet e kripura të biletave. Por ky “abuzim” nuk ka kaluar pa u replikuar nga klubi korçar, i cili nëpërmjet një njoftimi në “Facebook”, i bën thirrje ekipit të Kukësit që ta rishikojë edhe një herë absurditetin me çmimet e biletave.“E kuptojmë shumë mirë mundësinë që të jep një ndeshje e nivelit të tillë për të arkëtuar para për klubin nga shitja e biletave të stadiumit. Kjo është sfidë e rëndësishme për çdo skuadër, por nuk mendojmë që vlera e caktuar, do ta pasurojë sa duhet klubin kundërshtar për atë numër të biletave që i takon tifozëve të skuadrës së Skënderbeut. Një çmim i tillë nuk është aspak normal, duke marrë parasysh edhe faktorët e tjerë, që tifozët e Skënderbeut kanë për të udhëtuar nga Korça në Kukës. Bëjmë thirrje ekipit të Kukësit ta rishikojnë edhe një herë këtë absurditet në lidhje me çmimet e biletave. Gjithçka kërkohet është realitet dhe fair-play, pasi futbolli duhet ti bashkojë njerëzit e ti afrojë pranë stadiumeve, e jo ti ndajë ato”.
NDESHJET 
Java e 35-të/ Datë 20.05.2017
Kukësi-Skënderbeu 17:30
Flamurtari-Laçi 17:30
Tirana-Luftëtari 17:30
Teuta-Vllaznia 17:30
Java e 35-të/ Datë 21.05.2017
Partizani-Korabi 17:30

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Kukësi 34 72
3.Skënderbeu 34 71
2.Partizani 34 68
4.Luftëtari 34 41
5.Vllaznia 34 39
6.Teuta 34 37 
7.Flamurtari 34 36
8.Laçi 34 36
9.Tirana 34 35
10.Korabi 34 13

NDESHJET 
Java e 36-të/ Datë 27.05.2017
Vllaznia-Tirana 17:00
Korabi-Flamurtari 17:00
Luftëtari-Kukësi 17:00
Laçi-Teuta 17:00
Skënderbeu-Partizani 17:00
PROGNOZAT
Për Titullin Kampion
Edhe 2 ndeshje=6 pikë
Java e 35-të/ 20 maj 2017
Kukësi-Skënderbeu 1X2
Partizani-Korabi 1
Java e 36-të/ 27 maj 2017
Luftëtari-Kukësi X
Skënderbeu-Partizani 1
PËRFUNDIMI
Skënderbeu+4 pikë=75 pikë
Kukësi+2 pikë=74 pikë
Partizani+3 pikë=71 pikë
Për mbijetesë
Edhe 2 ndeshje=9 pikë
Java e 35-të/ 20 maj 2017
Flamurtari-Laçi 1
Tirana-Luftëtari 1
Teuta-Vllaznia 1X
Java e 36-të/ 27 maj 2017
Korabi-Flamurtari 2
Laçi-Teuta 1X
Vllaznia-Tirana X2
PËRFUNDIMI
Flamurtari+6 pikë=42 pikë 
Tirana+4 pikë=39 pikë
Laçi+3 pikë=39 pikë
RREGULLORJA PËR RENDITJEN
Nëse në fundin e Kampionatit, dy ose më shumë skuadra kanë grumbulluar të njëjtën sasi pikësh, renditja e tyre përcaktohet duke pasur parasysh këto kritere:
1. Pikët e grumbulluara në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse.
2. Diferenca e golave të shënuar e të pësuar në ndeshjet mes ekipeve përkatëse.
3. Diferenca e golave të shënuar e të pësuar gjatë Kampionatit.
4. Numri më i madh i golave të shënuar gjatë Kampionatit.
5. Me short.

Këshilla mjekësore-sportive
Erdhi pranvera, plazhi filloi…!
Pranvera është stina e luhatjeve klimaterike, ku velloja e saj e çelur shumë ngjyrëshe zbukuron gjithçka. Kjo stinë sjell gëzim, buzëqeshje, aromë melodioze qiellore me ndryshime të herë pas hershme, por një gjë dihet, se dielli do vendosi personalitetin e tyre veror. Ai, si burimi i gjithçkaje mbi tokë, në këtë stinë na fton kudo që të shfrytëzojmë rrezet kudo ku jemi, e sidomos në plazhe pranë detit, liqenit apo lumenjve. Ne kemi plazhet tona të bukura të detit, plazhet piktoreske me liqene, apo rezervuaret e kontrolluara, si dhe në bregoret lumore e kudo. Me mijëra e mijëra vetë do i frekuentojnë e do mbushen me gjallëri gjatë muajve të ardhshëm. Mos harroni se kjo është mjaft e rëndësishme për ripërtëritjen e forcave, aftësive dhe dëmtimeve të ndryshme. Por, që kjo të japë vlerat optimale, është e domosdoshme të mbahen parasysh e të zbatohen disa porosi. Së pari, duhet të dini se pushimet pasive nuk i shërbejnë organizmit, dhe po ashtu, edhe aktivitetet e tepërta nuk janë shumë në dobi të organizmit në këtë periudhë. Prandaj populli thotë: “Gjella me kripë dhe kripa me karar”. Banjot e diellit, në qoftë se nuk “i keni filluar, mos u vononi” për t’i marrë. Ato merren kudo që ndodhen, e natyrisht më të dobishme janë në plazh. Por duhet zbatuar parimi i gradualitet e sistematicitet, si dhe gjendja shëndetësore, duke u këshilluar edhe me specialistët, ndaj mos vraponi për t’u nxirë sa më shpejt. Ne zakonisht rekomandojmë rezet diellore në pranverë, nga ora 09:30 deri në ora 15:00, ndërsa në verë, nga ora 08:00 deri në 10:35, pasdite nga ora 16:00 e deri në ora 18:15. Në stinën e vjeshtës, nga ora 09:00 deri në ora 15:00, pasi në këto orë këndi i rënies dhe veprimtaria e tyre mbi organizmin për meridianin që ndodhet vendi ynë, janë më shumë dobiprurëse. Ndërsa gradualisht, për t’i filluar ato, si fillim mjaftojnë 15 minuta, e duke i shtuar çdo ditë nga 3 deri në 5 minuta, deri në ditën e dhjetë. Pastaj presupozohet kalitja, dhe orarit nuk i jepet shumë rëndësi. Këtu, sipas gjendjes tuaj shëndetësore, konsultat me mjekun duhen vazhduar, sidomos kur dalin probleme. Janë të njohura vlerat shumë pozitive shëndetësore të notit për çdo moshë e seks, pasi me të drejtë themi se: “Noti nuk njeh moshë”. Sa mirë kur mësohet notimi që në moshë fare të njomë, dhe si do që vjen problemi, të vegjlit duhet t’i futim në ujë gradualisht, mundësisht kur uji të ketë temperaturë 18-21 gradë C. Nuk duhet t’i mbajmë ditët e para më shumë se 12-18 minuta, e pas javës së parë koha zgjatet. Mos harroni, ata (fëmijët) duhen fërkuar me peshqirë derisa të mësohen, të kaliten. Është e natyrshme që, në ujë futemi për të notuar e duhen lëvizje, sepse pasiviteti në ujë mund të ndikojë në ftohjen muskulore, ose pasoja të tjera. Është mirë, e duhet përgjithësuar, që para se të futemi në ujë të bëjmë disa lëvizje para, një nxehje me ushtrime të thjeshta. Përveç këtyre ushtrimeve, para se të futemi për adaptim të organizmit me ujin, lagim pak krahët, pastaj gjoksin, qafën, barkun e këmbët dhe futemi në ujë. Kjo për të evituar çdo pasojë negative, si ngërç apo diçka më të madhe. Porosia jonë është ta doni ujin, por mos i lejoni fëmijët dhe trupin tuaj deri sa t’ju fillojnë dridhjet. Kur kemi këto raste, dilet nga uji, bëhet fërkimi me peshqirë, si dhe një masazh aktiv, më pas qëndrojmë në diell për rreth 10-15 minuta. Krahas banjave diellore e ujore, në vendet ku pushoni rëndësi kanë për shëndetin e kalitjen, banjat e ajrit. Duke shfrytëzuar ajrin e pastër, të freskët mëngjesor e të darkës, do shohim vlerën e tyre në organizmin tonë. Kjo kohë në këtë ajër të pastër, e rrit vlerën kur aplikohet fizkultura me ushtrime të dobishme, e frymëmarrje të thella, të cilat i bëjnë shumë mirë çdo qelize të trupit. Duajeni plazhin, por zbatoni dhe recetën që nevojitet për ta aplikuar e shfrytëzuar sa më në dobi të organizmit.

Vlerësuar nga Presidenti i Republikës me Titullin “Mjeshtër i Madh i Punës” 
Asllan Kasa
Riaftësues fizik
Sigal