Ilir Daja: Atmosferë politike nuk ekziston në ekip, do luajmë për fitoren e Skënderbeut

Nga Agron KAJA

UEFA EVROPA LIGË/ Për ndeshjen e sotme me Partizanin e Beogradit, flet për “Telegraf” trajneri i skuadrës korçare

Nga ndeshjet e Kategorisë Superiore te Evropa Ligë, si është situata në skuadrën e Skënderbeut para sfidës me Partizan të Beogradit?
Skuadra ka qenë dhe është në një situatë normale, në përpjekjet e saj për të bërë më të mirën në të gjitha kompeticionet ku merr pjesë. Në dy ndeshjet radhazi të Kampionatit, kemi parë edhe ndonjë mangësi për ta rikuperuar nesër (sot) në Evropa Ligë me Partizan të Beogradit.

Ju si trajner, si ndjeheni para kësaj sfide që në distancë ka edhe një sfond politik?
Për mua si trajner, por edhe për gjithë skuadrën e Skënderbeut, kjo është një ndeshje futbolli për tu luajtur, takimi i tretë në Grupin B të Evropa Ligë. Do të jemi aty për të luajtur për skuadrën tonë dhe do të japim maksimumin për më të mirën. Atmosfera politike nuk ekziston në skuadrën tonë.

Po kundërshtarin, e prisni të bartur nga këto emocione nacionaliste për ta?
Nuk e di, se është punë e tyre, por duke e quajtur Partizanin një skuadër të madhe e profesioniste në Serbi dhe Evropë, një situatë të tillë nuk e mendoj. Për ne, Partizani do të jetë kundërshtar në fushën e lojës, dhe mik jashtë saj. Për ne është një kundërshtar i fortë, por jo i pakalueshëm.

Po qëndroj tek atmosfera politike, i druheni ndonjë incidenti që mund të krijojnë tifozët tanë gjatë ndeshjes?
Ne si shqiptarë asnjëherë nuk e kemi treguar veten si nacionalistë agresivë ndaj kujtdo në Evropë dhe në Botë, ndaj do të dëshiroja që tifozët tanë të na mbështesin ne gjatë lojës. Në fushë ne do të luajmë për fitore, dhe ky është misioni ynë që kërkon mbështetje nga tifozët tanë, dhe futbollistëve u kam kërkuar që të jenë sa më të qatë psikologjikisht.

Ndërsa nuk do të ketë tifozë serbë, por ndeshja do të jetë nën vëzhgimin e veçantë të UEFA-s, ju shqetëson ky fakt?
Aspak, sepse ju deklarova më sipër, që si lojtarët, ne stafi teknik, por edhe drejtuesit tanë, nuk do të jemi në “Elbasan Arena” për të bërë politikë. Do jemi aty të luajmë futboll, të na përkrahin tifozët tanë. Misioni ynë për fitore kërkon mbështetjen e tyre, por që nuk do të ketë tifozë serbë, kjo është pjesë e një marrëveshjeje.

Ku konsiston kjo marrëveshje?
Për të qenë sa më larg ndonjë incidenti që mund të prodhojnë tifozeritë, me miratimin e UEFA-s është bërë e mundur një marrëveshje mirëkuptimi, ku në Elbasan nuk do të ketë tifozë serbë, ndërkohë që edhe në Beograd nuk do të ketë tifozë korçarë.

Konkretisht për ndeshjen, e keni të gatshme të gjithë skuadrën për të arritur synimin?
Ekipi është i gatshëm plotësisht, madje kam edhe dilema për ndonjë balotazh në mbrojtje. Rëndësi ka që, nga portieri Shehi dhe deri te sulmuesi Soue, të gjithë të hyjnë në fushë me psikologjinë e besimin për fitore.

Nga ana taktike, çfarë porosie i keni dhënë skuadrën për këtë sfidë?
Rëndësi ka që ta administrojnë mirë lojë, nga minuta e parë e deri në fundin e saj. Do të synojmë shumë veprimet e shpejta dhe pasimet e shkurtra të topit, pas të cilave mendojmë se do të vijë rezultati final, fitorja për Skënderbeun.

Pas gjithë këtyre përgatitjeve, ju si trajner jeni optimist për fitoren me Partizan të Beogradit?
Jam i bindur se do t’ia arrijmë synimit për fitoren, dhe besoj shumë te mundësit për ta arritur këtë synim. Këtu nuk po nënvleftësoj kundërshtarin, përkundrazi, kur e vlerëson realisht atë në raport me mundësitë, besoj se do të jemi më mirë në gjendje ta administrojmë ndeshjen në favorin tonë.

Dje në mbrëmje, kur skuadra e Partizanit të Beogradit iu drejtua stadiumit “Selman Stërmasi” për të bërë përgatitjen e fundit para ndeshjes së sotme me Skënderbeun në “Elbasan Arena”, është shoqëruar nga forcat RENEA, duke tërhequr vëmendjen e shumë kalimtarëve të pranishëm

HISTORI
Flamurtari-Partizan B
Kupa UEFA
Datë 16.09.1987
Flamurtari-Partizan B 2-0
Shënues: Xhorxheviç (a) 31’,
Iljadhi 60’
Datë 30.09.1987
Partizan B-Flamurtari 2-1
Shënues: Stevanoviç 43’, 
Vokrri 60’/ Kushta 76’

UEFA EVROPA LIGË
Ndeshjet-Grupi B
Janë luajtur
Datë 14 shtator 2017 
Jang Boys-Partizan B 1-1
Dinamo K-Skënderb 3-1
Datë 28 shtator 2017 
Partizan B-Dinamo K 2-3
Skënderbeu-Jang B 1-1
Luhen sot, 19 tetor 2017 
Dinamo K-Jang Bojs 21:05
Skënderbeu-Partizan 21:05

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Dinamo K 2 6
2.Jang Boys 2 2
3.Partizan B 2 1
4.Skënderbeu 2 1

FK Skënderbeu
Themelimi: Viti 1925
Stadiumi: Skënderbeu
Kapaciteti: 12,000 vende
President: Ardian Takaj
Trajner: Ilir Daja
Në Shqipëri: N/Kampion 
2016-2017
Në Europë, viti 2017
BILANCI
Nd 10, F 4, B 4, H 2, G 16:10


FK Partizan
Themelimi: 4 tetor 1945
Stadiumi: Partizan Stadium
Kapaciteti: 32,710 vende
President: Milorad Vuçeliç
Trajner: Miroslav Đukiç
Në Serbi: Kampion 2016-2017
Në Europë, viti 2017 
BILANCI
Nd 8, F 2, B 4, H 2, G 12:9