Igli Tare: Qëndrimi dinjitoz në Beograd, meritë kolektive

527
Sigal

Nëse do jepej një çmim kjo do duhej të jepej për Kombëtaren si grup, si skuadër

Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, ka folur për ekipin e DITA-s në vazhdën e intervistave që kjo e fundit zhvilloi në Romë te Lazio. Tare ka shprehur pakënaqësinë e tij me ngjarjet pas ndeshjes Serbi-Shqipëri, duke thënë se nuk duhet vlerësuar vetëm individualistët për atë që ndodhi atje, por grupi si tërësi. “E bukura e futbollit është mundësia që i jep të gjithëve të kenë opinionin e tyre dhe ta japin atë.  Por kam vënë re diçka, kohët e fundit, sidomos pas ndeshjes që ata që nuk i kanë dhënë kurrë një vlerësim apo rëndësi futbollit, sidomos kombëtares shqiptare kanë dalë tani në skenë. Kam atë përshtypjen time personale që ata e përdorin për populizëm”, u shpreh Tare. “A kam ndonjë emër? Nuk po ndalem në emra por mjafton të ndalem tek iniciativat për dhënien e çmimeve qytetar nderi. Kjo nuk është korrekte. Nëse do jepej një çmim kjo do duhej të jepej për kombëtaren si grup, si skuadër. Të gjithë nga i pari tek i fundit treguan dinjitet dhe mbrojtën dinjitetin e kombit dhe këtë nderim ata e meritojnë në grup. Nuk do doja që kjo ngjarje të shfrytëzohet për pikë politike. Nuk do doja ta shikoja nga disa njerëz…”, përfundoi ish-sulmuesi i Kombëtares. Ndryshe, Taulant Xhaka ishte një nga heronjtë e Shqipërisë në Beograd, duke qenë i pari, së bashku me Andi Lilën, që tentuan ta largojnë vetë flamurin e Shqipërisë së Madhe nga fusha.