Sigal

Me largimin e Massimiliano Mirabelli-t, Milan-i i ri i fondit Elliott po kërkon një tjetër person për rolin e drejtorit sportiv. Në orët e fundit po qarkullon dhe emri i Igli Tare-s, i cili është në krye të Lazios- momentalisht.

Lajmin e bujshëm për ish-sulmuesin e kombëtares kuqezi dhe drejtuesin më të suksesshëm të Lazio-s në vitet e fundit e bën të ditur “La Gazzetta dello Sport” në artikullin e ditës së sotme.

Mediat italiane e quajnë lajm të bujshëm lakimin e emrit të Tares te Milan-i, sepse ai ka qenë i suksesshëm në Romë në drejtimin e lacialëve gjatë viteve të fundit. Te bardhekaltrit ai ka mundur që të afrojë futbollistë që në treg kanë pasur vlera modeste dhe tashmë kërkon që t’i shesë për miliona euro.

Një strategji fitimprurëse që ka nisur t’iu pëlqejë shumë presidentëve në Serie A, të cilët kërkojnë që të kenë një njeri të tillë në skuadrën e tyre. Tare që prej vitit 2009 mban rolin e drejtorit sportiv te Lazio, ku me presidentin Lotito ka njohur vetëm suksese dhe rritje në karrierën e tij.