Igli Tare kujton sakrificat: Kam kaluar kufirin përmes pyllit me borë

38
Ndeshja e së premtes mes Italisë dhe Shqipërisë ka një domethënie të veçantë për Igli Taren. Ish-kapiteni i Kombëtares kuqezi e ka kaluar pikërisht përtej Adriatikut një pjesë të mirë të karrierës së tij si futbollist, ndërsa aktualisht mban detyrën e drejtorit sportiv të Lacios.
43-vjeçari ka folur gjerë e gjatë për të përditshmen sportive “Corriere dello Sport” rreth përballjes në Palermo dhe jo vetëm…

“Historikisht jemi shumë të lidhur me tokën tonë, ndjehet përkatësia ndaj vendit sidomos për ne që jetojmë jashtë. Ky aspekt reflektohet edhe në fushat e futbollit, ku gjithçka është e lidhur me kombin dhe kulturën tonë”, është shprehur ish-sulmuesi, autor i dhjetë golave në 68 ndeshje me fanellën kuqezi.

Përkundër kësaj ndjenje të fortë përkatësie, Tares iu desh ta linte Shqipërinë në moshë shumë të re për të ndjekur ëndrrën për t’u bërë futbollist. Ai emigroi në Gjermani në një rrugëtim aspak të lehtë.

“Nuk mund të merrja vizë, pasi vendi im ishte në fazë kalimi nga komunizmi në demokraci. Arrita të marr një për të shkuar në Pragë të Çekisë, e prej aty kalova kufirin për në Gjermani përmes pyllit, me borën që nuk kishte të mbaruar. Isha në ndjekje të ëndrrës për t’u bërë futbollist profesionist, dhe për t’ia dalë duhej të shkoja te dy kushërinj në Ludvigshafen”, rrëfen Igli Tare.

Më tej ai ka fjalë të ëmbla për trajnerin italian të Kombëtares, Xhani De Biazi: “Është treguar i zoti si psikolog, e ka njohur, kuptuar dhe përqafuar krenarinë e popullit shqiptar. Është tipari ynë thelbësor dhe rreth kësaj ka ndërtuar një grup me talent, solid, shumë të lidhur në fushë, ku të gjithë luajnë për njëri-tjetrin. Kjo ka bërë diferencën, duke sjellë edhe rezultate”.

Në fund, dy fjalë edhe për ndeshjen e së premtes: “Më mungon futbolli i luajtur, por do të kënaqem njëlloj duke i parë nga tribuna djemtë tanë, për të cilët jam shumë krenar. E kam fjalën për Strakoshën, Ajetin dhe të gjithë të tjerët. Të premten do të shkoj në Palermo për ta ndjekur ndeshjen dhe do të jetë krenari”.