Idrizi lëshon “silurin”: Ky dënim nuk e ndal betejën time me FSHF-në

512
Nga Agron KAJA
DEKLARATA/ Pas dënimit nga ana e Komisionit të Disiplinës, ja reagimi për “Telegraf” i Administratorit të Flamurtarit, vendimin e krahason me rrugicat e Amsterdamit
Pasi ka mësuar vendimin e Komisionit të Disiplinës në FSHF, Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, ka folur thuajse i “ftohtë” në gjykimin e tij. Njëherësh, ai ka lënë të hapur sfidën për të ndjekur ndeshjet e Flamurtarit në Vlorë, edhe pse është i dënuar për 18 muaj. “Ky dënim nuk e ndal Sinan Idrizin në betejën e tij kundër FSHF-së, e keni gabim”, kështu theksoi dje Sinan Idrizi edhe për gazetën “Telegraf”, i cili më pas vazhdoi se, nuk tërhiqet nga akuzat e tij drejtuar atyre që e kanë përjashtuar nga stadiumet, ndërsa premton se nuk do të mungojë në takimet në Vlorë. “Nga FSHF-ja nuk kemi se çfarë presim, është histori tjetër. Ndeshjet e Flamurtarit nuk do t’i ndjek në transfertë, por sa të jenë ato në shtëpi, do t’i ndjek të gjitha. Nuk do të marr një vinç, për t’i ndjekur në stadium, por kemi mënyra të tjera dhe do t’i shoh, të jeni të sigurt për këtë gjë”, vazhdoi më tej Administratori i Flamurtarit, i cili më pas ka konfirmuar se, përtej dënimit, sportdashësit vlonjatë kanë pse të gëzohen. “Një lajm i mirë për sportdashësit vlonjatë është se, në javën e kaluar kemi bërë pagesën e parë për masterplanin e “Vlora Sport”, dhe tani do të fillojmë investimin tonë të sportit, por nuk do të merremi me këta që lehin dhe dënojnë. Nuk na mungon stafi për ndeshjet e radhës, se këto janë histori të thjeshta për t’u gjetur. Ne gjejmë stadium, staf, nuk ka probleme Vlora për këto gjëra. Stafin mund ta gjejmë, kemi atë të fëmijëve 12-vjeçarë për këtë ndeshje”, theksoi më pas Administratori Idrizi, i cili duke iu kthyer dënimit, e cilëson atë të pamoralshëm, duke mos kursyer ironinë ndaj FSHF-së dhe përfaqësuesve të saj, si Kastrati, Pregja, apo edhe “mbretin” Duka. “Disiplina nuk ka marrë pamjet filmike, ka marrë fjalët e shenjtorëve. Më vjen keq për një plak me thinja të bardha, i cili në vend që të gëzojë pensionin me fëmijët e tij, një zotëri që mos gabohem quhet Tahir Kastrati, të cilin e kam respektuar për hatër të moshës, të flasë gjëra që nuk i kanë hije. Nëse do të vijë të vërtetojë se, një nga pjesëtarët e stafit të tij të FSHF-së, është një kumarxhi që ka probleme me bankat, me bastet e Vlorës, të vijë ta vërtetojë në Vlorë. Të marrë informacion edhe në komisariat, por ne do të vazhdojmë punën tonë me ndershmëri, këta le të dënojnë. Është njëlloj si të të fyejnë në Amsterdam, në një rrugicë të bukur me drita të kuqe. Është njëlloj sikur të të fyejnë ata, e të të dënojnë ata, ndërsa unë do ta vazhdoj investimin tim”, ishte ky deklarimi i Sinan Idrizit për gazetën “Telegraf”, dje pas dhënies së vendimit të Komisionit të Disiplinës në FSHF.
Çfarë do të bëjë Sinan Idrizi, dhe projekti “Vlora Sport”
“Të presim dhe të shohim, pasi e vërteta nuk është vetëm ajo që them unë, por e të gjithë palëve. Nuk kemi vetëm “shenjtor” Pregjën, këta janë grup burracakësh, nuk kanë lidhje këta me asgjë. E përsërit, këta janë grup burracakësh që kanë mënyrën e tyre të jetesës në këtë lloj sistemi. Por të jeni të sigurt, që këta nuk më ndalin dot mua në projektin tim. Unë lus Zotin që zoti Duka të ketë jetën sa më të gjatë, që të jetojë sa më gjatë në krye të FSHF-së, që ditën kur unë të filloj projektin ‘Vlora Sport’, ta kem atje, me këmbë dhe me dorë dhe me jetë të gjatë. E përsëris, jetë të gjatë mbretit tonë!”, theksohet në deklaratën e Sinan Idrizit.
Të jeni të sigurt që dhunë në Vlorë nuk ka pasur dhe ju siguroj, se këta nuk më ndalin dot mua në projektin tim. Sfidën për të ndjekur ndeshjet e Flamurtarit në Vlorë, edhe pse është i dënuar për 18 muaj. “Ky dënim nuk e ndal Sinan Idrizin në betejën e tij kundër FSHF-së.”
Vendimet e Komisionit të Disiplinës për Flamurtarin
1. “Flamurtari” F.K, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të Nenin 51; 64/c; 65/1 dhe 65/2 të KDS, dënohet me gjobë në masën 1.000.000 (një milion) lekë dhe zhvillimin e 2 (dy) ndeshjeve në fushë asnjanëse.

2. Zyrtari i “Flamurtari” F.K, Ardi Behari, për diskriminim ndaj zyrtarëve të ndeshjes duke përdorur fjalë dhe gjeste denigruese, në bazë të nenit 57/1/a) të KDS, pezullohet për 5 (pesë) ndeshje nga aktiviteti. Në aplikim të Nenit 20 të KDS, i ndalohet qëndrimi në dhomat e zhveshjes, stolin e rezervave dhe territorin përreth fushës.

3. Zyrtari i “Flamurtari” F.K, Luan Birçaj, për protesta ndaj vendimeve te zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 56/1.a) të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në aplikim të Nenit 20 të KDS, i ndalohet qëndrimi në dhomat e zhveshjes, stolin e rezervave dhe territorin përreth fushës.

4 .Zyrtari i “Flamurtari” F.K, Sinan Idrizi, për sulm ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/2/b) dhe 49/3 të KDS, dënohet me 18 (tetëmbëdhjetë) muaj pezullim nga aktiviteti, dhe gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë lekë). Në aplikim të Nenit 20 të KDS, i ndalohet qëndrimi në dhomat e zhveshjes, stolin e rezervave dhe territorin përreth fushës.

5. Zyrtari i“Flamurtari” F.K, Ardian Ciruna, për sulm ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/2.b) të KDS, dënohet me 18 (tetëmbëdhjetë) muaj pezullim nga aktiviteti. Në aplikim të Nenit 20 të KDS i ndalohet qëndrimi në dhomat e zhveshjes, stolin e rezervave dhe territorin përreth fushës.

6. Zyrtari i “Flamurtari” F.K, Ardian Luka, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/2/a) të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në aplikim të Nenit 20 të KDS i ndalohet qëndrimi në dhomat e zhveshjes, stolin e rezervave dhe territorin përreth fushës.
Sigal