I vënë pistoletën te koka, mafiozët napolitanë grabisin Valon Behramit

564
Sigal

 Futbollisti kosovar i Napolit dhe Zvicrës i vjedhin një orë dore “Hublot” me vlerë 6 mijë euro

Valon Behrami është viktima e fundit e grupeve kriminale që mbretërojnë në Napoli. Mesfushori kosovar i Napolit dhe i Kombëtares së Zvicrës u bë shënjestra e dy krimineleve të armatosur napolitanë, të cilët të hipur në një motor e detyruan 27-vjeçarin nga Mitrovica t’u dorëzonte orën e tij të shtrenjtë, të markës “Hublot”, me një vlerë prej më shumë se 6000 eurosh, teksa Behrami ishte në makinën e tij. Rrëmbimi i gjerave të shtrenjta të futbollistëve të njohur, e sigurisht që fitojnë shumë, është shndërruar në një trend alarmues në Napoli dhe precedentët e mëparshëm e tregojnë atë. Mesfushori i fuqishëm kosovar, i cili është formuar në Lugano të Zvicrës (klub ku luan aktualisht Armando Sadiku), e denoncoi ngjarjen e rëndë duke u bërë një apel autoriteteve. Behrami, i cili në Itali ka luajtur edhe me Veronën dhe Lacion, është përfolur për një lëvizje në Angli te Arsenali, teksa më parë ka luajtur në Premier League me Uest Hemin.

VJEDHJA –  Gjatë një komunikate për mediat, policia lokale tha se, Valon Behrami, i cili këtë sezon u bashkua me Napolin nga Fiorentina, ishte i vetëm në makinë dhe në lagjen luksoze të Kiaias, në qytetit jugor italian, kur ai u kërcënua me armë nga dy kriminelët të mbuluar me kaskë, pjesë e një grupi mafioz, mbrëmjen e ditës së enjte. Me pistoletën tek koka, Behrami iu bind urdhrave, ndërkohë që grabitësit iu gëzuan orës së shtrenjtë “Hublot”, me një shumë prej 6000 eurosh, ndërkohë që kohë më parë, gruas së Kavanit i kishin vjedhur orën “Piaget” me vlerë 18 mijë euro. Lajmi i grabitjes me dhunë nën tytat e pistoletës bëri xhiron e botës. Thuajse të gjitha agjencitë e mëdha i kishin kushtuar vëmendjes, përfshirë gazetat sportive të tilla si “Gazzetta dello Sport”, “Corriereo Dello Sport”, “Tuttosport”, në Itali, por dhe ato franceze, “L’Equipe”, spanjolle “Marca” dhe “As”, zvicerane si “Blick” dhe “20 Minuten Online”, gjermane “Bild” dhe “Focus”, por dhe në mediat shqiptare

DENONOCIMI – Pas vjedhjes, mesfushori shqiptar i Napolit shkoi direkt edhe në komisariatit në San Ferdinando, për të denoncuar agtë që ndodhi. Ky nuk ishte episodi i parë që sheh lojtarët “axurrë” të Napolit si viktima të kriminalitetit, aq sa tani flitet se ekziston një grup i caktuar kriminal që vepron kundër klubit të Napolit. Një zëdhënës i policisë së Napolit tha: “Ne jemi në kërkim të dy njerëzve të armatosur, të cilët i kërkuan viktimës të hiqte dorën nga ora, të cilën ai e bëri, ndërkohë që ata shpëtuan të hipur në motorin e tyre të ndihmuar edhe nga trafiku i rëndë. Zoti Behrami nuk u dëmtua, por gjithsesi, ai mbeti i shokuar nga ajo që i ndodhi”. Grabitësit u larguan në drejtim të zonës Fuorigrota.

PRECEDENTËT –  Në harkun e një viti, të tjerë lojtarë të tjerë të njohur të klubit kanë qenë viktima të krimit, përshirë sulmuesin e famshëm Edinson Kavani dhe mbrojtësin Salvatore Aronika, ndërkohë që kriminelët nuk kanë kursyer as gratë e Eskuiel Lavecit dhe të Mark Hamshikut, Martina kjo e fundit ishte në atë kohë shtatzënë. Vetë sllovaku Hamshik u bë viktimë e vjedhjes me armë, në dhjetor të vitit 2008. Vila e Kavanit ishte vjedhur disa herë nga hajdutët, ndërkohë që disa sende të grabitura në shtëpinë e sulmuesit uruguaian u kthyen, pasi bosët e “botës së nëndheshme” bënë publike një “kërkesë”. Edhe Maria Soledad, gruaja e Kavanit, u sulmua në korrik të këtij viti, po nga dy kriminelë, po të hipur në motor, në zonën e Fuorigrotës. Një episod i rëndë që, e tronditi shumë “Matadorin”, aq sa presidenti i Napolit, De Laurentiis, udhëtoi drejt rezidencës ku ishte grumbulluar Kombëtarja uruguaiane, e impenjuar në Lojërat Olimpike “Londër 2012”, për të qetësuar sulmuesin. Bashkëshortja e Lavecit, Janina Skrapante, u terrorizua aq shumë kur i vodhën orën, sa ajo shërbeu si një arsye e mjaftueshme për argjentinasin për t’u larguar nga klubi napolitan dhe të bashkohej me Paris Sën Zhermenin në Francë. Kriminelët nuk kursyen as gratë e mbrojtësve të Napolit, Salvatore Aronika dhe Injacio David Fidelef. Kjo fundit po kthehej nga psonisja me një shoqe në një qendër komerciale në Quarto (Napoli), dhe e gjeti makinën të dëmtuar rëndë. Edhe menaxheri i Kavanit, Klaudio Aneluçi, u rëmbye në rrugën “Garibaldi”, gjithmonë në Napoli, duke i marrë një orë “Rolex” dhe portofolin. Motra e Garganos, ish-Napoli dhe tani tek Interi, atëherë shtatzanë, i grabitën makinën, një BMV X6, në Varkaturo, por ajo u gjet më pas falë sistemit satelitor.

Mediat zvicerane: Gjysma e Serisë A pas Sadikut

Sulmuesi shqiptar i Luganos dhe i Kombëtares shqiptare, Armando Sadiku, është në qendër të merkatos dimërore. Mediat zvicerane shkruajnë se, thuajse gjysma e Serisë A pas talentit shqiptar të Luganos, Armando Sadiku. Sipas sitit tio.ch, kanë ndjekur ose janë interesuar për lojtarin te menaxheri I tij shqiptar Sokol Haxhia, jo më pak se tetë klube të Serisë A, si dhe disa të tjera nga Gjermania apo Rusia. Klubet e Serisë A janë përgjithësisht të nivelit të mesëm të renditjes. Më e rëndësishmja prej tyre, sipas tio.ch është Udineze e cila ka shprehur së fundmi interesin e saj për lojtarin. Klubet e tjera janë sipas një radhe të rastësishme: Siena , Atalanta, Bolonja, Kievo, Parma , Katania dhe Torino . Siti shkruan se klubi që e ka ndjekur me më shumë interes futbollistin është Siena ; ndonëse gazeta në fjalë citon drejtorin Sportiv të Luganos, të thotë se asnjë ofertë zyrtare nuk është bërë. “E di që disa klube italiane të Serisë A përfshirë Sienën, e kanë ndjekur në shumë ndeshje sulmuesin tonë gjatë kampionatit, por mund të them me  siguri të plotë që oferta zyrtare për të marrë kartonin e tij nuk ka pasur ende”, thotë drejtori i Luganos, Françesko Grilo. Sadiku ka mbërritur në Lugano vetëm në korrikun e këtij viti. Ai shënoi 11 gola gjatë fazës së parë të kampionatit duke qenë  kryegolashëneusi I Challenge League në Zvicër. Golat e shqiptarit kanë mbuluar një krizë të rëndë të skuadrës, synimi I të cilës ishte për t’u ngjitur në Superleague por që në fakt ndodhet në pjesën e poshtme të renditjes.

Presidenti i Palermos:

“Ujkani nuk është dështim”

Presidenti i Palermos, Mauricio Zamparini, doli në mbrojtje të portierit të tij, Samir Ujkani, i kryqëzuar nga mediat e tifozët për gabimet e tij në fushë, duke i hequr ekipit të tij pikë të çmuara, apo dhe fitore në minutat e fundit të lojës. Zamparani foli me tone “atërore” në lidhje me gardianin e Kombëtares shqiptare. “Portieri ynë është I ri, por është një portier I mirë. Të gjithë e kanë me të, por nuk është një dështim. Vitin e kaluar kishim Vivianon, e hoqëm atë duke e shitur te Fiorentina por po gabon edhe ai. Prej më shumë se një viti në Palermo ka shumë padurim për skuadrën tonë. Të gjithë kanë momentet e tyre të mira dhe të këqija”, tha presidenti i Palermos. Për portierin shqiptar foli dje edhe trajneri i skuadrës së Palermos, Gasperini. “Më është dashur të inkurajoj Ujkanin. Për të është një situatë e vështirë, delikate madje. Ka bërë ndeshje shumë të mira, edhe të dielën ka qenë kështu, por në disa raste edhe një gabim I vetëm përcakton rezultatin e një ndeshjeje dhe gjykimin e të gjithëve për të. Përtej kësaj rritja e këtij djaloshi ka qenë vërtet e rëndësishme, sidomos në ndeshjet kundër Juventusit dhe Interit ka treguar gjëra shumë të mira. Gabimi i një sulmuesi me portë bosh harrohet shumë shpejt, por gabimi i një portieri nuk harrohet. Nëse do të arrijë të bëhet portier i nivelit të lartë duhet të kalojë këto situate edhe në aspektin psikologjik”, fjalët e trajnerit të Palermos, Gasperini. Por, Ujkani pati dhe një tjetër “avokat” të fortë, Fabio Liverani, ish-lojtar i Peruxhias dhe Lacios, si dhe i Italisë. “Flasim gjithmonë për të promovuar të rinjtë, por i kryqëzojmë që në gabimin e tyre të parë. porta është një pozicion delikat, një portier nëse gabon është në vëmendjen e të gjithëve, ndryshe nga një lojtar në një pozicion tjetër të fushës. Unë jam i mendimit që Ujkani ka bërë një kampionat të mirë, nuk mund ta kryqëzosh që në gabimin e parë. Mendoj se duhet ndihmuar duke i dhënë besim dhe duke i dhënë një skuadër të fortë që ta mbrojë nga kundërshtari”, ka thënë Fabio Liverani.

 Cana mungon ndaj Sampdorias

Lorik Cana do të mungojë në sfidën e Lacios kundër Sampdorias. Mesfushori shqiptar, i cili në ndeshjet e fundit është aktivizuar nga trajneri Pektoviç, në rolin e një mbrojtësit nuk është në listën e 24 lojtarëve të thirrur.