Sigal

Ka pasur përplasje mes dy tifo-grupeve gjatë mbrëmjes së mërkurë, me dy italianë dhe një francez që janë lënduar, por janë jashtë rrezikut për jetën. Sipas gazetës vendase La Provence, tensioni ka lindur për shkak të pikëpamjeve të ndryshme politike. Ndërsa sipas raportimeve më të fundit bëhet me dije se janë gjetur dhe dy koka derri në hotelin ku po qëndrojnë tifozë të Lacios, dhe kjo është një shenjë kërcënimi nga tifozët vendas.

Faqja “cittaceleste.it” raporton kokën e derrit në vendin ku po qëndrojnë tifozët mysafirë, duke postuar një foto që pretendohet të jetë shkrepur jashtë hotelit. Faqja pretendon se tifozët italianë janë nën shënjestrën e tifozëve vendas. Disa tifozë janë duke u kthyer në shtëpi për shkak se rrezikojnë seriozisht jetën e tyre. Disa prej tyre raportojnë se nuk mund të dalin nga hoteli pasi tifozët vendas i presin te dera gati për sherr.