I pafati Ujkani, por të pësosh gol nga Juventusi nuk është krim

593
Sigal

 Portieri shqiptar i Palermos: “Bëmë një ndeshje shumë të mirë, më vjen keq që humbëm”

I intervistuar në pushimin midis pjesëve, Samir Ujkani, u shpreh i kënaqur me lojën që po bënte Palermo ndaj Juventusit (pjesa e parë u mbyll 0-0): “Jemi duke bërë shumë mirë, edhe pse po luajmë kundër një skuadre të fortë si Juve, madje nuk na kanë munguar edhe disa gjuajtje më portë. Duhet të vazhdojmë në këtë rrugë”. Por, portieri shqiptar, ashtu si skuadra ishte i pafat. Pësoi gol në pjesën e dytë (Lihtshtajner realizoi në minutën e 50-të), ndërkohë që Palermo luajti nga minuta e 75-të me dhjetë lojtarë (Morganela u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, pas një faulli qesharak).

 NDESHJA – Palermo arriti ta bllokojë Juventusin në pjesën e parë, por në të dytën kampionët e Italisë hynë me një tjetër mentalitet. Në minutën e 49-të bardhezinjtë zhbllokuan rezultatin. Pas një pasimi vetikal, Mirko Vuçiniç arriti të shmangë Stiv Von Bergenin, duke bërë një pasim mjeshtëror për Shtefan Lihtenshtejnerin, ku i fundit i ndodhur i vetëm përballë Samir Ujkanit nuk gaboi duke shënuar golin e vetëm të ndeshjes. Krejtësisht i pafajshëm gardiani i Kombëtares shqiptare në pësimin e golit. Kjo ishte ndeshja e rikthimit në bankinë të trajnerit të Juventusit, Antonio Konte, pas pezullimit të tij katër mujor. Juventusi ushtroi presion të fortë, por në jo pak raste, Ujkani ishte në lartësinë e detyrës. Me Palermon të mbetur me dhjetë lojtarë, për më gati 20 minuta, Juve gjeti më shumë hapësirë për të goditur portën e Palermos, por Ujkani ishte në një ditë të mirë, duke mos e lejuar sërish prekjen e rrjetës. Ishte i pafat në pësimin e golit, por ta marrësh atë nga kryesuesi i Serisë A nuk është aspak krim.

  VLERËSIMI  – Duke folur për mediat, menjëherë pas ndeshjes, Samir Ujkani tha: “Luanin kundër skuadrës më të mirë të kampionatit. Juventusi është skuadra me e fortë e Italisë, ndërkohë që ne rrezikuam edhe për ta mbyllur ndeshjen në barazim. Duhet të punojmë çdo ditë për të krijuar mentalitetin e fituesit, dhe t’i bëjmë llogaritë të diele pas të diele”.

 KEQARDHJA – Duke folur për mediat, menjëherë pas ndeshjes, Samir Ujkani tha: “Bëmë një ndeshje shumë të mirë, më vjen keq për rezultatin. Morali i skuadrës është gjithmonë i lartë, tani duhet të mendojmë për ndeshjen me Udinezen. Do të shkojmë për të marrë tri pikët. Sot (dje) ishte një ndeshje delikate, me fushën e rënduar dhe kohën e keqe. Bëmë një pjesë të parë të mirë, më pas edhe pse mbetëm me dhjetë lojtarë provuam të barazojmë, por ishte e vështirë”.

 RIVALITETI – Të luash kundër një skuadre si Juventusi nuk është aspak e lehtë. Ujkani është në duel për një vend titullari me portierin e dytë, Benusin. Kosovari gjeti rastin të falënderojë trajnerin, që pati besim tek ai. “Falënderoj trajnerin për vazhdimësinë e të pasurit besim tek mua, edhe pse Benusi luajti mjaft mirë me Katanian. Duhet të vazhdojmë të shohim përpara të gjithë bashkë”. Ujkani e ka të qartë detyrën e tij dhe të skuadrës. “Sot (dje) ishim vetëm të pafat, por tani nuk duhet të shohim pas, por vetëm përpara. Tani vjen Udineze. Do të shkojmë atje të marrim pikët, por na duhet dhe pak fat”.

 MERKATOJA – Mediat italiane e kanë përmendur shpesh faktin që, Palermo është në kërkim të një portieri, kjo pasi në jo pak raste Ujkani nuk ka qenë në pritshmëritë e drejtuesve të klubit. Vetë Samiri tha për mediat: “Zërat e merkatos në lidhje me portierët e tjerë? Unë nuk kam dëgjuar asgjë: po luaj, stërvitem çdo ditë dhe luaj të diel pas të diele, nuk i lexoj gazetat”.

 Humbet Siena, Bogdani në tribunë

 Siena humbi në shtëpi 3-1 me Katanian, ndërkohë që sulmuesi shqiptar Erjon Bogdani e ndoqi takimin nga tribuna. Eri bëri një stërvitje të diferencuar gjatë kësaj jave.

  De Biazi: “Shqipëria është në rrugë të mbarë”

 Xhani De Biazi duket i lumtur me vitin e tij të parë si trajner i kombëtares shqiptare të futbollit dhe një gjë të tillë e ka pranuar edhe para mediave italiane. Tekniku kuqezi ka thënë për tuttomercatoëeb.com se rezultatet e fundit të përfaqësues janë shumë pozitive. Po ecim shumë mirë, kemi zhvilluar katër ndeshje duke fituar dy e humbur dy të tjerat, por duhet thënë se jemi në një seri pozitive prej ty ndeshjesh në të cilat nuk pësojmë gol (llogarit edhe miqësoren Kamerun-Shqipëri 0-0) dhe kjo për mua është gjëja më thelbësore. Kemi fituar kundër Sllovenisë, e cila arriti të mundë edhe Italinë, ndaj në fund të fundit nuk është se jemi aq keq”, tha trajneri italian në prononcimin e tij”.

 Drama e Brisbejnit të Berishës

 Brisbejn Roar, skuadra e sulmuesit kosovar Besar Berisha, pësoi një humbje të hidhur 1-0 me Uestern Sidni Uonderes, dhe tani renditet në vendin e parafundit të kampionatit australian, me 10 pikë pas dhjetë ndeshjesh. Brisbejn është kampionia në fuqi, por këtë sezon ka lënë shumë për të dëshiruar, pasi ka pësuar gjashtë humbje në dhjetë takime. Golin e fitores, Sidni e shënoi nga pika e bardhë me anë të Onosë. Besarti luajti minuta të plota, por pa mundur të shënojë gol. Berisha ka realizuar deri tani pesë gola, ndërkohë që realizuesi më i mirë i kampionatit australian është Daniel MekBrin i Sëntrëll Kost. Ish-sulmuesi i Kombëtares sezonin e kaluar fitoi “Këpucën e Artë”, por këtë vit rendimenti i tij është më i ulët.

 Vëllezërit Dallku “pushtojnë” Ukrainën

 Vorskla Poltava do të jetë shumë shpejtë nën këmbët e familjes Dallku. Kjo, pasi shumë shpejt, Ardini, vëllai i vogël i Armend Dallkut, do të bëhet me kontratë profesioniste të klubi i njohur ukrainas. Qendërmbrojtësi i ri kosovar ka arritur marrëveshje me për një kontratë afatgjate, pasi i bindi drejtuesit e klubit ukrainas sa luajti për ekipin e të rinjve. 18-vjeçari ndihet i lumtur që iu shpërblye djersa e derdhur, por zotohet se do të punojë edhe më fort për ta merituar një vend në ekipin bazë. Shumë shpejt familja Dallku do të përfaqësohet nga dy vëllezër në Vorskla Poltava. Pas Armendit, nga fillimi i vitit tjetër fanellën e ekipit të parë të skuadrës ukrainase pritet ta veshë edhe Ardini. Vëllai i vogël i mbrojtësit të Kombëtares shqiptare do të nënshkruajë shumë shpejt kontratë profesioniste, kështu që nga sezoni i ardhshëm në Ukrainë ka të drejtë të luajë për ekipin U-19, ekipin e dytë dhe ekipin e parë. Ardini ishte transferuar në Vorskla një vit më parë, por nuk kishte të drejtë të nënshkruajë kontratë profesioniste deri tash, pasi që nuk ishte ende 18 vjeç. Tash ai e ka arritur këtë moshë dhe e ardhmja është në duart e tij. Dallku junior ndihet i lumtur që arriti t’i bindë drejtuesit e ekipit nga Poltava, që ta shpërblejnë me kontratë për paraqitjet që pati gjatë këtij viti. Dallku “Junior” arriti të ambientohet për mrekulli në Ukrainë dhe për këtë meritat më të mëdha i ka edhe ‘Baci’ Armend, i cili është bërë veteran në futbollin ukrainas. Ardini kishte shkuar në Poltava në shtator të vitit të kaluar dhe tashmë është gati për sfidat e reja që e presin. Aktualisht, përpos Ardinit, në Vorskla luajnë edhe Armend Dallku dhe Ahmed Januzi.

 Van Persie “masakron” Mançester Sitin

 Mançester Junaitid ka fituar derbin në fushën e Mançester Sitit në mënyrën më dramatike të mundshme, në minutat shtesë të ndeshjes, duke u hakmarrë disi për titullin e humbur në sezonin e kaluar përballë “kushërinjve”. Në një ndeshje shumë të luftuar, rezultati 3-2 i ndeshjes është vulosur pas një përballje spektakolare që ka dhuruar emocione të shumta. Mançester Siti, para tifozëve të vet, ka dominuar që në minuat e para, duke krijuar raste dhe duke u përpjekur të gjejë rrugën e rrjetës. Por Mançester Junaitid është treguar mjaft cinik dhe ka gjetur shpejt dy herë rrjetën me Uejni Runin në të vetmet raste që ka pasur në pjesën e parë, me sulmuesin që ka treguar se nuk ka humbur nuhatjen e golit dhe se në ndeshjet kundër Sitit jep më të mirën e tij. Pjesa e dytë, e filluar mes gabimeve të gjyqtarit dhe polemikave të vazhdueshme, ka sjellë fillimisht shkurtimin e diferencës nga Yaya Toure, ndërsa kur mbeteshin edhe 4 minuta deri në fundin e sfidës, Zabaleta vendosi barazpeshën me një gjuajtje në hyrje të zonës. Por ndërsa takimit po i afrohej fundi dhe Mançester Siti ishte në sulm në kërkim të një goli të tretë më se të merituar, vjen edhe goditja e papritur e United që gjen golin e fitores në minutën e 93-të me anë të Robin Van Persi, goditja e dënimit e të cilit devijohet nga Nasri dhe përfundon pas krahëve të Hart. Pas këtij goli ka edhe tension në stadium, pasi disa tifozë vendas zbresin në fushë dhe kërkojnë të përballen me portierin Hart, të cilin e shohin si fajtor për golin e tretë, ndërsa situata qetësohet vetëm nga ndërhyrja e policisë që rivendos rendin në minutat e mbetura, ku nuk ndryshon asgjë dhe mbetet në fuqi fitorja 3-2 e Junaitid. Me këtë sukses, skuadra e Ferguson është shkëputur 6 pikë në kreun e renditjes larg Sitit, por ajo që është më e rëndësishme, i ka dhënë një goditje shumë të fortë psikologjike ekipit të drejtuar nga Mancini.

 Ferguson: “Gara për titull nuk ka mbaruar”

 Menaxheri i Mançester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka thënë se gara për titullin e Ligës Premier vazhdon të mbetet e hapur përkundër fitores prej 3-2 në derbi kundër rivalit kryesor, Manchester Sitit. “Është shumë herët të nxjerrim konkluzione rreth garës për titull. Siti do të jetë i freskët në pjesën e dytë të kampionatit pasi ata janë eliminuar nga garat evropiane, ndërsa ne ende do të garojmë në Ligën e Kampionëve dhe FA Cup. Ne kemi fituar edhe më parë ndaj Sitit natyrisht, por kjo fitore ishte më e veçantë sepse ata kishin dy vite që nuk kishin humbur asnjë ndeshje në shtëpi. Ishte ndeshje fantastike, ku nuk mund t’i largonit sytë nga loja për asnjë sekondë. Mendoj se e kemi merituar fitoren plotësisht”, – ka thënë Fergi për “Sky Sports”.