Hysen Petrela, “tmerri” i Qemal Voglit

784
Sigal

Histori / Karriera e ndërprerë në mes e një sulmuesi të talentuar golashënues

Nga të gjithë ai thirrej Cen. Madje, edhe sot nëpër ambientet futbolldashës të kryeqytetit me këtë emër e kujtojnë Hysen Petrelën futbollistin e fuqishëm të Punës së Tiranës së viteve 50-të, sulmuesin e shpejtë, shuterin potent e djaloshin hokatar e gjithnjë gazmor. Hysen Petrela u lind në Tiranë më 2 mars 1932 në një familje me tradita të shquara atdhetare. Po të jetonte të gjithë bashkë këtë vit do t’i kishim festuar 80-të vjetorin e lindjes. Por, për fat të keq Ceni u nda nga jeta në vitin 1994. Shumë i ri në moshë vetëm 62 vje[ kur kishte ende për t’i dhënë shumë familjes e shoqërisë.

 Fëminia

 Ende i vogël, pasionant plot energji Ceni u dashurua me futbollin. Dhe nuk kish se si të ndodhte ndryshe kur në ato vite ai po hidhte hapat e parë në jetë për ngjyrat e SK Tiranës, skuadrës së qytetit të tij ta dashur luanin emra të tillë të paharruar: Riza Lushta, Naim Kryeziu, Selman Stërmasi, Adem Karrapici, Dake Kusi, Sllave Llambi, Foto Janku etj., të cilët i ndiqte me shumë kërshëri në ambientet e fushës së Shallvares. Dhe që në ato kohë tek secili prej tyre me mprehtësinë dhe intuitën që e karakterizonte përpiqej të përftonte vetitë më të mira që i nevojiten një futbollisti për t’u kompletuar në të gjithë drejtimet. Kështu gjithçka shihte e evidentonte në Shallavre, përpiqej dhe ngulmonte gjatë t’i realizonte, aty në oborrin e shtëpisë, në kopshtin e Lleshve ku mblidheshin zakonisht me shokët apo nëpër rrugicat e kalldrëmta të lagjes duke rendur pas topit me bashkmoshatarët.

 Karriera sportive

 Në vitet 40-të të shekullit të kaluar Ceni u inkuadrua në radhët e të rinjve të FK Tirana, që në ato vite drejtoheshin nga Adem Karrapici, një emër i madh I sportit shqiptar. Dhe pas kësaj shumë shpejt falë talentit e aftësive të veçanta u bë pjesë e ekipit bardheblu, ku spikati si sulmues i shpejtë, potent me një goditje të radhë e pse jo unikale të topit, e cila në të gjithë rastet befasonte edhe “gardianët” e famshëm të katërkëndorit të portës kuqezi Qemal Vogli e Sulejman Maliqati, që mbronin në ato vite portat e Dinamos e Partizanit, ekipe që dominonin kampionatin shqiptar.

 Madje, lidhur me këtë fakt i paharruari Qemal Vogli, përpara se të ndahej nga jeta jo një herë pati deklaruar se nga sulmuesit e asaj kohe (mos të harrojmë që në ato vite luante Refik Resmja golashënuesi më I mirë shqiptar i të gjitha kohërave, Gani Merja, Simon Deda, Kolec Kraja etj.)më shumë nga të gjithë i trembej Cen Petrelës.

 “Dhe kjo, – theksonte ai, – ngaqë Ceni gjuante fort nga [do pozicion dhe me të dyja këmbët njëlloj, [ka e vështirësonte në kulm realizimin e pritjes, sepse nuk arrije ta kuptoje se me cilën këmbë do të godiste, me të majtën apo me të djathtën”. Madje me “dhimbje” Qenal Vogli, etiketuar nga të gjithë “shqiponja e portës” kujtonte se, kishte qenë pikërisht Cen Petrela me një gol të paparë, ai që ia kishte prishur “agjërimin” prej 840 minutash pa pësuar gol (21 janar 1952-23 mars 1952), rezultat ky që e rendit edhe sot legjendarin e portës së Dinamos dhe Kombëtares kuqezi në vendin 100 të ranklistës së portierëve më të mirë të Botës nga viti 1888 e deri në ditët e sotme.

 Falë pikërisht kësaj dhuntie si edhe të një force godiste të jashtëzakonshme, që si[ thonë bashkëkohësit e shokët e tij Osman Re[i, Remzi Bulku, Enver Rada etj., edhe sot nuk kanë arritur ta shohin ende nëpër fushat tona, Ceni u bë rreziku nr.1 për portierët e të gjitha skuadrave dhe golashënuesi më i mirë i Tiranës. Ndërkohë fill pas shkëlqimit të talentit të tij tek Tirana, Ceni thirret për të kryer shërbimin ushtarak. Rëndom në ato vite shumica e futbollistëve të Tiranës kalonin në radhët e Partizanit, por atë vit skuadra e kuqe ishte e tejngopur me lojtarë kështu që Cenit i qëlloi ta kryente ushtrinë në radhët e Luftëtarit, ekipit të shkollës së bashkuar të, oficerëve, e cila në ato vite merrte pjesë rregullisht në kampionatin e kategorisë së parë. Një Partizan nr. 2, kështu mund te etiketohej më saktë ajo skuadër. Gjithsesi në gjirin e ekipit të Luftëtarit, Ceni ishte pjesëtar i formacionit bazë bashkë me Kolec Krajën, Miço Papadhopullin, Simon Dedën, Enver Shehun, Qamil Allunin etj., që më vonë bënë emër në futbollin shqiptar.

 Pengesat

 Por, jo pak emër do të kishte bërë nëpër fushat tona të gjelbra edhe Cen Petrela, nëse regjimi i asaj kohe nuk do t’i kishte ngritur në kuadrin e famëkeqes luftës së klasave njëra pas tjetrës barriera e pengesa të pakuptimta. “Në vitin 1957, – kujton Remzi Bulku shok i vjetër dhe bashkëlojtar me të në skuadrën e Tiranës – Ceni pati arritur në kulmin e formës së tij sportive. Pikërisht për këtë u thirr në Kombëtaren e Shqipërisë, që do të merrte pjesë në turneun e futbollit të festivalit të rinisë në Moskë. Nëpër turnet e festivaleve të atyre viteve ndryshe nga vendet e tjera pjesëmarrëse Shqipëria përfaqësohej me ekipin Kombëtar. Por, një ditë përpara nisjes Cen Petrelës i komunikohet që të nesërmen nuk do të udhëtonte me skuadrën. Kjo ishte goditja e parë, të cilën gjithsesi ai arriti ta kapërcente. Kështu atë ditë teksa Kombëtarja me Dhimitër Qoshen, Shefqet Topin, Fatbardh Deliallisin, Besim Fagun, Shyqyri Rrelin, Qamil Allunin, Xhevdet Shaqirin, Kolec Krajën, Gani Merjen, Eqerem Tallushin, Miço Ndinin, Enver Shehun, Refik Resmen, Simon Dedën e Loro Bori[in u nis për në Moskë, Ceni erdhi në stërvitje me ne. Ndodhi kështu se ai bënte pjesë në radhët e atyre futbollistëve, që iu gjendën dhe i qëndruan besnik në ditët më të vështira ekipit bardheblu, të cilit në ato vite futbollistët e talentuar Partizani e Dinamo ia rrëmbenin sapo shpërthenin. Më kujtohet pas disa javësh në një ndeshje Ceni ka qenë ai që ka shënuar të pesë golat e Tiranës. Por, pas një viti ai mori një goditje tjetër. Kësaj radhe edhe më të fortë. Për herë të parë në historinë e saj Tirana do të bënte një turne miqësor në Bashkimin Sovjetik, ku Cen Petrela si sulmuesi kryesor e më i rëndësishmi i skuadrës nuk diskutohej që do të udhëtonte bashkë me ekipin. Por, edhe këtë herë një ditë para nisjes atij dhe Sadik Strugës iu komunikua që nuk do shkonin jashtë shtetit. Pas asaj dite Cen Petrela sulmuesi i frikshëm, që gjuante aq fuqishëm e aq befasisht, bomberi që “tmerronte” Qemal Voglin nuk zbriti më kurrë nëpër fushat e blerta të stadiumeve tona”. Nga viti 1958 e deri sa u nda nga jeta, Cen Petrela ushtroi profesionin e mekanikut dhe iu përkushtua familjes. Katër vite pas vdekjes në vitin 1998 FSHF i dha atij titullin “Mjeshtër Sporti”.

Dinastia PETRELA

 Për nga numri i madh i sportistëve që kanë dalë ndër vite nga gjiri i kësaj familje të njohur tiranase, në mënyrë të padiskutueshme të gjithë përbëjnë një “Dinasti”. Në radhët e sportistëve të “Dinastisë Petrela” vendin e parë e mban: Maliqi futbollist i Tiranës së viteve 30-të, kampion në vitet 1934, 1936 dhe 1937 dhe pjesëtar i “Shprefesë” në vitet 40-të. I dyti radhitet Hyseni, futbollist i Tiranës dhe Luftëtarit të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve. Gëzimi, i vëllai i Hysenit, u dallua si boksier tek Tirana. Më vonë në vitet 60-të spikati në boks Haliti, një talent i madh dhe i paharruar. Lindita, u shqua në basketboll si lojtare dhe kapitene e Partizanit. Arbeni, edhe sot stërvit me shumë pasion ekipet e grupmoshave të të rejave të klubit Tirana në basketboll. Fatmiri, një nga portierët e Shkëndisë së viteve 80-të dhe më pas i Tiranës. Dashamiri, gjatë viteve 80-të është shpallur kampion në mundjen klasike.