Sigal

Flet për “Telegraf” ish-futbollisti e trajneri i Vllaznisë, ja si e përshkruan Superioren në këndvështrimin e specialistit të futbollit

HYSEN DEDJA

Ndryshimi i shpeshtë i trajnerëve, ende nuk kemi presidentë me baza të shëndosha profesionale

Nga Agron KAJA

Me ndeshjen e Superkupës së Shqipërisë trokiti sezoni i ri 2018-2019, si e përshkruani situatën përgatitore të skuadrave deri në këtë moment?

Që nga mbyllja e sezonit të kaluar dhe deri dje në ndeshjen e Superkupës, në këtë periudhë Kategoria Superiore ka qenë e plotësuar me përgatitje dhe me merkato. Të gjitha skuadrat kanë qenë aktive në këta dy tregues, por ato që luajtën në Evropë, kanë lëvizur më shumë.

Çfarë u ka mbetur këtyre skuadrave deri më 17 gusht kur do të nisin ndeshjet e javës së parë?

Ka shumë pak kohë për të menduar gjëra të mëdha, të paktën deri ditën e premte që në Korçë do të çelin siparin e Kampionatit, Skënderbeu-Partizani. Është një javë kolauduese, por edhe çlodhëse, ku trajnerët kanë mundësinë që të përzgjedhin elementët më të mirë për sezonin e ri.

Disa skuadra të Superiores ishin shprehur për 5 futbollistë të huaj në formacion, i shërben ky numër cilësisë e bazës së futbollit tonë?

Absolutisht që jo, dhe kjo bëhet nga klubet vetëm për interesa përfituese. Këtë numër të të huajve në një skuadër e kanë disa shtete me futboll më të përparuar nga Shqipëria, ndërsa ne nuk duhet të shuajmë talentet shqiptarë nga “uzurpimi” i atyre të huaj. 18-vjeçarët duhet të jenë detyrim në skuadrat e të gjitha niveleve në futbollin tonë.

Pse edhe këtë sezon, Kategoria Superiore nisi jashtë krijimit të Ligës Profesioniste?

Sepse Liga Profesioniste duhej të kishte nisur disa vite më parë, dhe duke e nisur këtë sezon pa krijimin e saj, humbjet në futbollin tonë superior janë të mëdha. Krijimi i Ligës ka afekte pozitive, pasi ajo mbyll shumë mangësi që e shoqërojnë këtë futboll vit pas viti.

Sa ndikim do të ketë fakti që, nga 10 skuadrat e Superiores, 9 prej tyre i kanë ndryshuar trajnerët nga sezoni i kaluar?

Ka disa sezone që funksionon kjo padrejtësi me trajnerët e Kategorisë Superiore. Presidentët e klubeve duhen falënderuar për çka japin në futbollin tonë, por duke qenë se ende nuk kemi presidentë me baza të shëndosha profesionale, këtë lojë të tyre nuk duhet ta pranojë futbolli.

Çfarë risie do të presim nga Kategoria Superiore 2018-2019?

Nga dënimi i Skënderbeut e deri te “derbi” i kryeqytetit Tirana-Partizani, mendoj se janë dy dukuritë që mundet edhe të trajtohen si risi në Superioren e këtij sezoni të ri. Na mbetet vetëm të presim se çfarë do të prodhojnë këto dy dukuri, por unë risitë i pres nga tifozeria.

Të premten, më 17 gusht, do të nisë java e parë e Superiores, si i mendoni të pesta sfidat?

Duke qenë ndeshjet e para, të gjitha skuadrat do të tregojnë se çfarë përgatitje dhe merkato kanë bërë gjatë verës. Do të duhen disa javë që të tregohet portreti i çdo skuadre, por gjithsesi, unë shpresoj që të shohim sfida interesante dhe me shumë tifozë në stadiume.

Duke qenë se merkato mbyllet më 31 gusht, mendoni se do të kemi lëvizje të tjera nga skuadrat deri në atë datë?

Kështu ka funksionuar gjithmonë edhe në futbollin tonë. Nuk mendoj se është gjë e keqe, përkundrazi, skuadrat kanë mundësinë që të shohin ndonjë mangësi e të shfrytëzojnë këtë hapësirë për përmirësim. Ndonjë lëvizje të madhe edhe mund ta kemi, të presim.

Cili është mesazhi juaj në këtë start të ri të Superiores?

Për çdo specialist futbolli e profesionist, dëshira më e madhe është që të zhvillohet një Kampionat Fair-play, me sa më pak gabime e pretendime ndaj gjyqtarëve, njëherësh edhe me sa më shumë tifozë në ndjekje të këtyre ndeshjeve në 36 javë.