Hysen Dedja: Partizani dhe Kamza, “tërmetet e javës”, Skënderbeu e Kukësi bënë detyrën

813
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Ja si specialisti i futbollit shqiptar i përshkruan për “Telegraf” ndeshjet e javës së 5-të
Si i përshkruani pesë ndeshjet e javës së pestë të Kategorisë Superiore, me rezultate reale, surpriza, apo të pritshme?
Mendoj se kanë qenë më shumë rezultate të pritshme, duke përjashtuar fitoren e Kamzës në transfertë ndaj Luftëtarit, dhe më pak fitoren e Partizanit në Durrës. Nuk mendohej të humbiste Luftëtari që po tregonte paraqitje të mirë në katër javët e para, e po kështu Teuta, e cila mendohet të ishte këtë javë njëra nga kryesueset e tabelës.

Mendoni se të pesta takimet kishin të veçantat e tyre në lojë dhe në rezultate?
Duke i parë të pesta ndeshjet, do të thosha se treguan të veçanta. Sepse diku vendosi autogoli, diku vendosën kartonët e kuq, e diku tjetër ndonjë fenomen jo sportiv, sikundër veprimi i portierit të Luftëtarit. Teuta ishte përgatitur për fitore, por nuk e menaxhoi mirë avantazhin, ndërsa Kamza tregoi karakter në fushë.

Në ndeshjet e mesditës, rezultatet shkuan në favor të udhëtuesve, pse ndodhi kështu sipas jush?
Sepse skuadrat gjatë lojës tregojnë edhe diferenca mes tyre. Përveç penalltisë së dyshimtë në favor të Kukësit në ndeshjen e tij në Lushnje, skuadrat udhëtuese ishin më të motivuara. Këtu ishin diferencat kryesore, por jo për ndeshjen në Korçë, sepse Skënderbeu nuk tregoi ndonjë luhatje, edhe pse një gol e përfitoi nga kundërshtarët (autogol).

Në mbrëmje, Partizani e përmbysi rezultatin, çfarë tregoi me këtë fitore skuadra e kuqe?
Tregoi se është skuadër e madhe që ka potenciale brenda saj, por ndoshta skuadra do një menaxhim më të detajuar, jo vetëm gjatë ndeshjeve. Sot (dje) u ngjit disa vende në renditje, por për të 5 pikë në pesë ndeshje nuk janë shumë. Gjithsesi, kjo fitore në Durrës ndoshta i bëhet si një “fatsjellëse” për vazhdimësinë.

Fitorja e Skënderbeut ndaj Laçit, kishte brenda edhe një autogol, e mendoni të merituar këtë tri pikësh për korçarët?
E përmenda më sipër Skënderbeun, dhe do të shtoja se është e vetmja skuadër që nuk doli nga logjika e kësaj ndeshjeje. Jo vetëm se kishte Laçin përballë, sepse edhe ajo është një skuadër e mirëorganizuar, por sepse Skënderbeu ka më shumë kualitete dhe e bën diferencën me çdo skuadër të Kategorisë Superiore.

Kjo javë kishte kartonë të kuq dhe autogola, cilat i mendoni si shkaqe në këta dy tregues?
Të dy këta tregues janë pjesë e lojës së futbollit, dhe në këtë këndvështrim, nuk ka ndonjë gjë të veçantë. Ajo që duhet veçuar është ana teknike, se si dhe pse u shënuan autogolat, dhe si dhe pse u morën kartonët e kuq. Analiza teknike e përgjithshme, thotë se ka ndikuar minifaza që skuadrat kanë bërë në këto 10 ditë shkëputje të Kampionatit.

Me rezultatet që u arritën në këtë javë, mendoni se ka ndikuar ndërprerja e kampionatit për shkak të ndeshjeve të Kombëtares?
Më sipër ju deklarova se për kartonët dhe autogolat ka ndikuar ndërprerja e Kampionatit, dhe po ky mendim besoj se qëndron edhe për elementë të tjerë të lojës. Këto ndërprerje janë të padiskutuara, por trajnerët duhet ta shfrytëzojnë për harmonizimin e skuadrës në çdo tregues, që sot (dje) u evidentua në disa skuadra.

Java e 6-të do të luhet të dielën, si ndikon kjo ngjeshje në ngarkesën e skuadrave?
Për mendimin tim, në Superiore ka profesionalizëm, dhe nuk ka problem që zhvillohen ndeshjet kaq afër. Kjo ka qenë e paralajmëruar për shtyrjen që ju bë startit të Kampionatit, dhe çdo skuadër mbi këtë kalendar i zhvillon përgatitjet tekniko-taktike, por edhe psikologjike. 

Si e lexoni kalendarin e kësaj jave, të fortë apo të zakonshëm?
Të gjitha javët janë të forta, dhe këtë e tregoi dje Kamza me fitoren në Gjirokastër, apo edhe Partizani me fitoren në Durrës. Barazimin e Flamurtarit nuk e quaj befasi, sepse vlonjatët kanë kualitet në përbërje, dhe mundet të kishin marrë tri pikët. Si rezultat të sigurtë, unë mendoj vetëm fitoren e Skënderbeut ndaj Lushnjes.
Te Vllaznia më bën përshtypje fakti që, ka shumë muaj që nuk fiton në fushën e saj. Asnjëherë kjo skuadër nuk e ka diskutuar në fushën e saj fitoren, kjo ka qenë tradita që tashmë ka humbur rrugës 
Gjoba dhe pezullime, Luftëtari gjen fajtorët e humbjes!
Dje, menjëherë pas humbjes me Kamzën në Gjirokastër, drejtuesit e klubit bluzi kanë dalë me një deklaratë zyrtare në rrjetin social Facebook, ku ka komunikuar vendimet që ka marrë. Janë gjobitur dhe pezulluar pa afat, portieri Miraka dhe sulmuesi Nunes. Miraka shkaktoi penalltinë në minutën e 91-ët që i dha fitoren Kamzës, ndërsa Nunes reagoi ashpër në momentin e zëvendësimit duke fyer trajnerin.
Rezultatet-Java e pestë
Dje, datë 12 tetor 2017 
Luftëtari-Kamza 1-2
Shënues: Bregu 62’ / 
Raçiç 16’, 90+4’ (p) 
Lushnja-Kukësi 0-2
Shënues: Guri 58’, Alijev 60’ 
Vllaznia-Flamurtari 1-1
Shënues: Gocaj 45+4’ (p)/
Bushiç 17’ 
Skënderbeu-Laçi 2-1
Shënues: Jashanica 75’/ 
Soza (a) 28’, Lushnja 59’
Teuta-Partizani 1-2 
Shënues: Dosti 17’/ Trashi 44’,
Sukaj (p) 80’

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 5 13
2.Kukësi 5 10
3.Flamurtari 5 8 
4.Teuta 5 7
5.Kamza 5 6
6.Laçi 5 6
7.Vllaznia 5 5
8.Luftëtari 5 5
9.Partizani 5 5
10.Lushnja 5 2
Ndeshjet-Java e gjashtë
Datë 15 tetor 2017 
Skënderbeu-Lushnja 17:00
Datë 16 tetor 2017
Kamza-Vllaznia 14:00
Kukësi-Teuta 14:00
Laçi-Flamurtari 14:00
Partizani-Luftëtari 17:00
Sigal