Hysaj: Me Izraelin do fitojmë që të pushojmë të qetë në Shqipëri, De Biazi nuk largohet

569
Elsid Hysaj shprehet se humbja e fundit e Shqipërisë kundër Luksemburgut do harrohet shpejt dhe se një fitore të dielën kundër Izraelit do të ndryshojë atmosferën në Kombëtare.
Sa i takon thashethemeve për largimin e trajnerit De Biazi, Hysaj deklaron se mediat ndikojnë në opinion e krijuar duke bërë punën e tyre, por italiani nuk do largohet.

Për momentin e vështirë në përfaqësuese

“Është një moment i keq por këto gjera mund të ndodhin në futboll edhe duhet t’i pranojmë sepse kaloi ajo ndeshje. Por nuk është vetëm ajo që do na bëjë të biem poshtë sepse kemi humbur dhe ndeshje të tjera më përpara dhe s’kemi folur kështu.

Por kjo ndeshje na ka vrarë pak më shumë dhe tani duhet thjesht të bëhemi një grup, siç jemi një grup fantastik, të rrime bashke dhe të tregojmë vlerat tona edhe ndaj Izraelit”.

Për atmosferën brenda skuadrës

“Jemi grup fantastik, të bashkuar, gati të tregojmë vlerat në Izrael, do i tregojmë Shqipërisë dhe gjithë botës që gabojnë nëse mendojnë që në grup ka përçarje. Jemi të gjithë të bashkuar, jemi shumë mirë, siç na patë edhe në udhëtim, qeshim, luajmë.

Kemi treguar dhe në ndeshjet e kaluara me Italinë dhe me Spanjën që kemi luajtur mirë dhe kemi treguar vlerat. Por ato janë skuadra të forta dhe nuk mund të flasë njeri pse humbëm. Thjesht duhet ta mendojmë atë ndeshje që humbëm, t’i marrim gabimet që kemi bërë dhe t’i rregullojmë në Izrael”.

Për mungesën e rezultateve edhe me lojë të mirë
“Nuk është lojë e keqe, por kur nuk fiton pas ca ndeshjesh, thua ç’më duhet kur s’merr pikë. Por është lojë që duhet ta bëjmë që të kemi një lojë tonën. Edhe në klube kemi humbur ndeshje radhazi që të dalim në një lojë që do japë fitore të ardhshme. Tani jemi duke punuar të rregullojmë gabimet që kemi bërë”.

Për fjalët e De Biazit pas ndeshjes për motivimin

“Trajneri është duke e bërë punën e tij, po na mëson si të rrimë në fushë, pastaj është pjesa e lojtarëve sepse e japim ne kualitetin. Edhe trajneri e ka bërë punën dhe ne i kemi treguar vlerat dhe të gjithë do ia dalim të fitojmë me Izraelin dhe t’i tregojmë botes kush jemi.

Pas Europianit është krijuar ideja që e kemi lëshuar pak, por të gjithë kemi ambicie sepse na pëlqeu të ishim në Europian dhe besoj të gjithë duam të shkojmë dhe në Rusi. Të kemi ambicien të shkojmë në një vend të bukur dhe të bëjmë disa ndeshje të mira si në Francë sepse janë kujtime që do mbahen mend për gjithë jetën për lojtarët tanë”.

Nëse është ky fundi i një cikli

“Cikli është fjalë e madhe sepse i bie të thuash fundi i një skuadre, i të gjithë lojtarëve që jemi këtu. Por ne jemi shumë të rinj dhe kemi për të treguar shumë gjëra”.

Për komentet në mediat italiane rreth largimit të De Biazit

“Nuk është se i lexoj, në Itali flitet shumë. Në Itali kanë thënë që unë do shkoj te Barcelona por nuk është e vërtetë. Mediat e bëjnë për publicitet por ne nuk kemi dëgjuar asnjë fjale. Besoj që ne e meritojmë që po qe se trajneri do largohet, të vijë të na e thotë te gjithëve. Ai s’na ka thënë gjë ndaj besoj se do vazhdojë”.

Për atë që u diskutua pas ndeshjes me Luksemburgun
“Këto janë gjëra tonat, s’mund t’i them. Më vjen keq por janë gjera mes grupit dhe shpresoj të na kenë shërbyer për këtë ndeshje”.

Për rëndësinë që ka ndeshja me Izraelin

“Besoj që për mua është finale e vitit sepse mbaroi kampionati, tani mbaron dhe kombëtarja. Dua ta mbyll me fitore që të shkoj në pushime i qetë dhe i gëzuar. Edhe për lojtaret e tjerë është njësoj sepse duam të kthehemi në Shqipëri të rrimë të qetë, të mos na thonë pse humbët ndeshjet. Besoj jemi të gjithë gati, do japim gjithçka, kam besim te të gjithë”.

Për situatën me shiritin e kapitenit

“Ne nuk kemi një çështje dakordësie, nuk është problem. Kushdo ta ketë duhet të hyjë në fushë të japë maksimumin sikur ta kemi të gjithë atë shirit. Është folur shumë për kapitenin por ai shirit do i jepet dikujt. Por çunat s’duhet ta mbajnë mendjen aty por te fitorja, ai është shiriti i vërtetë”.

Nëse do të vazhdojë te Napoli

“Besoj që po, jam shume mirë te Napoli, qytet fantastik. Po luajmë shumë mirë, tifozët janë shumë të mirë. Besoj që do rri, do provoj të fitojmë ndonjë gjë vitin tjetër dhe pastaj do flasim prapë.”

Për ndeshjen e parë ndaj Izraelit

“U prish nga kartonët, nga arbitri. Ishte një ndeshje që ndodh një në një milion, por nëse marr pjesët e bukura, edhe me 10 lojtarë po luanim shumë mirë dhe kishim mundësi të bënim diçka. Besoj që 11 lojtarë që do luajnë aty do bëjnë ndonjë gjë të mirë.”
Sigal