Hysaj, Empoli nuk ngutet për ta shitur

631
Sigal

Ngecin bisedimet me Lacion, toskanët mund ta mbajnë mbrojtësin sërish në ekip

 Empoli nuk ngutet për të shitur Elseid Hysajn dhe nuk shqetësohet aspak nga fakti që bisedimet me Lacion për shqiptarin kanë mbetur në vendnumëro. Drejtori sportiv i klubit toskan, Marcelo Karli, e pranon se ka interesim fillestar të romanëve për mbrojtësin, por ditët e fundit kanë munguar kontaktet. “Lacio nuk është bërë më e gjallë. Patëm një takim të parë dhe mund të them se interesi për Hysajn ekziston. Kjo është e vërteta, por për momentin gjithçka ka mbetur në vend numëro”, thotë Karli. Presidenti Lotio dhe Igli Tare e pëlqejnë lojtarin shkodran, por çmimi konsiderohet i lartë, aq më tepër që Lacio e dëshiron të gjithë kartonin dhe jo ta ketë në bashkëpronësi. Nga tjetër, Empoli nuk ka ndërmend ta shesë nëse oferta nuk është ajo e duhura. “Empoli nuk ka asnjë nxitim për ta shitur. Bilancin e kemi në rregull dhe dëshirojmë më të mirën për djaloshin. Nëse do të ketë një ofertë serioze, e kemi të qartë që lojtarë tillë nuk mund të mbahen”, thotë Karli. Ai ka shtuar edhe se Hysaj është entuziast për transferimin e mundshëm, por edhe e kupton situatën. “E tepërt ta thuash që ai do të ishte jo i kënaqur, por i entuziazmuar për të ardhur në Romë. Megjithatë, edhe pse shumë i ri, është inteligjent. Është i vetëdijshëm që duhet të rritet shumë dhe ne jemi këtu për këtë”. Duke pasur parasysh llogaritë afatgjata, më i fituari në këtë mes mund të jetë pikërisht Empoli. Hysaj është ndër emrat më të lakuar të merkatos, por vetëm në fillimet e karrierës së tij, që parashikohet e shkëlqyer. Ndaj, në çdo sezone merkatoje, çmimi i tij do të jetë më i lartë, ndaj edhe Karli duhet besuar kur thotë se Empoli nuk ka pse të nxitohet për ta shitur mbrojtësin kuqezi. “Ai është shumë i ri, lindur më 1994 dhe tashmë luan me kombëtaren shqiptare. Ka mundësi të mëdha përmirësimi dhe për ne është pikë referimi. Në thelb po flasim për një lojtar që mund të jetë në merkato edhe sezonin e ardhshëm. Nuk ndjejmë nevojë që ta shesim. Tani i takon vetëm Lacios të tregojë se është i interesuar dhe pastaj të shohim se çfarë mund të bëjmë”, shpjegon Karli. Aktualisht, vetëm Lacio është shprehur i interesuar për Hysajn, por e ardhmja me siguri që do të sjellë oferta të tjera, sidomos në rast se Empoli arrin rikthimin në Serinë A, pas dështimit në play-off në sezonin e fundit.

  Korçarët në aksion për 7 mijë ndenjëse, Skënderbeu luan në shtëpi

 Skënderbeu do ta luajë në stadiumin e tij ndeshjen e kthimit me Neftchi Baku, më 23 korrik. Zhvillimi i ndeshjes në stadiumin “Skënderbeu” ka qenë në dyshim, sidomos pas mbajtjes mbyllur të tri tribunave në takimin midis Laçit e Differdanges, luajtur atje të enjten e kaluar. UEFA e ka paralajmëruar Skënderbeun që një vit më parë, kur luajti me Debrecenin e Hungarisë, për të cilin toleroi. Që atëherë çdo gjë u la në harresë, çka rrezikon seriozisht zhvillimin e ndeshjes. Por, nga drejtuesit e klubit është marrë vendimi që deri në ditën e ndeshjes të vendosen ndenjëse të reja në shkallët e stadiumit, sipas kritereve të UEFA-s. Në këto kushte, Skënderbeu do të mund të luajë në fushën e tij ndeshjen e kthimit, e cila mund të jetë tepër e rëndësishme, në varësi të rezultatit të takimit të parë, më 17 korrik në Baku të Azerbajxhanit. Kjo është pjesëmarrja e tretë e Skënderbeut në Champions League dhe deri tani nuk ka mundur ta kalojë asnjëherë raundin e parë kualifikues.

  “Zvicerani ” Xhemaili në Kosovë, i uron botërorin Shqipërisë

 Blerim Xhemaili, mesfushori shqiptar i Zvicrës, është i bindur që kombëtarja e tij do të kualifikohet në botërorin brazilian, por dëshiron që ta ndjekë nga pas edhe Shqipëria. Kombëtarja zvicerane mban vendin e parë në grup, me katër pikë më tepër se kuqezinjtë, dhe të dyja skuadrat do të ndeshen më 11 tetor në Tiranë. “Do të doja që Zvicra dhe Shqipëria të kualifikohen në botëror”, thotë Xhemaili për gazetën kosovare “Zëri”. “Shpresoj që ndeshja e fundit të mos vendosë kualifikimin për ne. Përndryshe do të kishte shumë rrezik, pasi Shqipëria ka ekip shumë të fortë dhe është vështirë ta mposhtësh në fushën e saj. Besoj se do të jem në atë ndeshje”. Mesfushori kosovar aktualisht gjendet në Prishtinë, nën shoqërinë e Remzi Ejupit, presidenti i skuadrës së futbollit të kryeqytetit. Futbollisti thotë se ka ardhur dy herë brenda muajit në Kosovë, ngaqë i ka pëlqyer, ndërsa Ejupi thotë me të qeshur se vizita e dytë është ngaqë Xhemaili kërkon nuse kosovare. Ndërkaq, lojtari i Napolit thotë se ndihet i kënaqur me klubin dhe nuk ka ndërmend të lëvizë, duke shpresuar të jetë protagonist në Champions League.

  Mesfushori kuqezi Kaçe, bëhet pjesë e UNICEF

 Mesfushori i kombëtares shqiptare, Ergys Kaçe, i cili luan në Greqi me PAOK-un e Selanikut, është bashkuar me UNICEF-in, për të kontribuar nëpërmjet reklamimit dhe ndihmës financiare, ashtu si shumë futbollistë të tjerë, ndër të tjerë edhe kapiteni kuqezi, Lorik Cana. Për UNICEF-in, organizata e OKB-së që ndihmon fëmijët në nevojë në mbarë botën, kontribuojnë vazhdimisht  sportistë me famë botërore, si Mesi, Zidane, Sharapova e të tjerë.