Holandezët fluturues shkatërrojnë Spanjën

467
Sigal

 Djemtë e Luis van Galit triumfojnë 5-1 në “finalen e parakohshme”. Turpërohen kampionët e Botës

Holanda hakmerret ndaj Spanjës për finalen humburit të Botërorit 2010, duke e turpëruar 5-1 kampionen në fuqi të Botës. Një “manita” (pesëshe) magjike! Një triumf i futbollit total të dirigjuar nga trajneri Luis van Gal në bankinë dhe interpretuar në mënyrë të shkëlqyer nga Robin van Persi, Arjen Roben, Uesli Shnajder dhe githë trupa portokalli. Në minutën e 26-të, sulmuesi i Atletikos së Madridit, Diego Kosta, u pengua në zonë nga holandezi Stefan de Vrij, dhe gjyqtari italian Nikola Ricoli nuk hezitoi të tregonte pikën e bardhë. Çabi Alonso u tregua gjakftohtë duke realizuar 11-metërshin me topin që përfundoi poshtë krahëve të portierit Silisen. 1-0 për Spanjën. Në minutën e 43-të, Andres Iniesta lëshoi një diagonale të bukur për David Silvën, i cili pati një shans të artë për të shënuar, por spanjolli nuk arriti të mposhtë gardianin kundërshtar, me holandezin e që e shmangu topin në goditje këndi. Një minutë më pas, Dalej Blind lëshoi një kros drejt zonës dhe në hyrje të saj, duke parë dhe daljen e gabuar të  portierit Iker Kazijas, Robin van Persi shënoi me kokë falë një kërcimi akrobatik në ajër, duke realizuar një nga golat më të bukur deri tani të këtij Botërori. Magjia e holandezëve vazhdoi edhe në pjesën e dytë, kur Arjen Roben përpunoi me klas një top brenda zonës dhe më një goditje mjeshtërore, edhe pse i rrethuar nga dy mbrojtës mposhti për herë të dytë Kazijasin. 2-1 në minutën e 53-të. Në të 60’, një tjetër moment madhështor për “tulipanët”: traversë e Robin Van Persit, për të ardhur në minutën e 63-të, kur pas një goditje të lirë të ekzekutuar nga Uesli Shnajder, De Vrij korrigjoi gabimin e shkaktimit të penalltisë me një gol të realizuar me kokë. Holandë-Spanjë 3-1! Kampionët e botës janë në krizë nervash, teksa nuk i kurseu as Robin van Persi me një ndërhyrje të parregullt. Gjithsesi, takimi pati dhe një gol të anuluar të Spanjës në minutën e 70-të, me Fernando Torresin që u kap në pozicion jashtë loje. Në minutën e 72-të ishte radha e Van Persit për t’i çuar shifrat në 4-1 dhe në të 80’ triumfin portokalli e vulosi me një gol spektakolar Arjen Roben, i cili fitoi një duel shpejtësie me dy kundërshtarë, madje duke u tallur me portierin Iker Kazijas, për të firmosur triumfin 5-!! E pabesueshme! Në takimin e orës 18:00, të vlefshëm për grupin A, Meksika mposhti 1-0 Kamerunin. Në fakt ishte një ndeshje me vendime të gabuara të gjyqtarëve. Dy gola të anuluar padrejtësisht nga gjyqtari anësor nuk e penguan Meksikën për të marrë fitoren ndaj Kamerunit në sfidën e dytë të Grupi A. Formacioni i Miguel Herreras ishte më i qartë me veprimet e tij që në startin e takimit, me afrikanët që e kishin të vështirë të organizoheshin në fazën mbrojtëse. Takimi u zhbllokua në minutën e 61-të nga Peralta, i cili ndoqi aksionin e konkluduar nga Dos Santos, me portierin Itanzhe që nuk kishte çfarë të bënte në tentativën e dytë të sulmuesve meksikanë. Pas ndeshjeve të para në Grupin A kryesojnë Brazili dhe Meksika me nga tri pikë.

Tre parashikimet e ndeshjeve të sotme

 Kompanitë më të mëdha të basteve parashikojnë fitoret e Kolumbisë me Greqinë, Uruguait me Kosta Rikën dhe Italisë në superpërballjn me Anglinë. Kështu, fitorja e Kolumbisë ndaj Greqisë parashikohet me koeficientin 1,86 kundrejt 4,86 të Greqisë (barazimi 3,23).

Fitorja e Uruguait ndaj Kosta Rikës është parashikuar me një koeficient mjaft të ulët 1,86 kundrejt “megakoeficientin”  14,86 të Kosta Rikës, të cilët mesa duket gjigantët e basteve e kanë të vështirë ta pranojnë si një “2”. Ekuilibër thuajse perfekt në Angli-Itali, por me një nuancë më pozitive që anon nga “axurrët” e Luixhi Prandelit. Kështu, fitorja e Italisë është kuotuar me 2,74 kundrejt 2.88 të Anglisë. Barazimi është 2.93.

Parashikimet e basteve 1X2

Kolumbi-Greqi        1.86  3.23      4.86

Uruguai-Kosta Rika   1.43  4.27      14.06

Angli-Itali          2.88  2.93      2.74

Parashikimet e “Telegraf”

18:00 Kolumbi-Greqi        (barazim)

21:00 Uruguai-Kosta Rika (fiton Uruguai)

24:00 Angli-Itali         (fiton Italia)

Shumaker, jashtë rrezikut për jetën

 Një lajm i shumëpritur! Majkëll Schumaker është jashtë rrezikut për jetën. Lajmin e dha revista e njohur gjermane “Bunte”. Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1 ka dalë nga reanimacioni ku ishte nën kujdesin intensive të mjekëve në spitalin e Grenoble. Gjermani është në gjendje koma që nga 29 dhjetori i vitit të kaluar, ndërkohë që ai iu nënshtrua dy operacioneve kirurgjikale në kokë për shkak të aksidentit që pësoi në pistën e skive në Meribel të Francës. Shumaker nuk është më në terapi intensive, por vazhdon të qëndrojë në spitalin e Grenoble ku po ndiqet nga mjekët. Të afërmit po përgatisin transferimin e tij në një klinikë të specializuar për raste të tilla.

 Kovaç: “Penalltia, një turp”

 Polemika pa fund në mbarë botën sapo arbitri japonez Nishimura vërshëlleu penalltinë pas rrëzimit të Fred. Trajneri i Kroacisë Niko Kovac që e cilësoi një turp. “Bëmë goxha përshtypje, heq kapelen para djemve të mi. Është një nder që i drejtoj. Nëse ajo ishte penallti, atëherë nuk mund të luajmë më futboll, më mirë i futemi basketbollit. Është një turp. Flasim për respekt por nuk respektohemi. Nëse kjo është mënyra për të filluar një Botëror, më mirë ta lëmë fare dhe të shkojmë në shtëpi”. “Arbitri pa një penallti, arbitri vërshëlleu një penallti dhe për ne ishte një penallti”, komentoi shkurt Felipe Skolari.

Mediat “kryqëzojnë” gjyqtarin

 Vendimet e arbitrit Nishimura në ndeshjen e parë të Botërorit Brazil-Kroaci, zënë vend kryesor në mediat ndërkombëtare. Në Kroaci, gazeta “Jutarnji list” nuk kursehet në kritika duke shkruar: “Turp, vendimet e arbitrit ishin të padrejta”. Për “Vecernji list”, Kroacisë iu hoqën armët për të luftuar si e barabartë me Brazilin. Për spanjollen “El Pais”, fitorja e Brazilit erdhi falë ndërhyrjeve të pavenda të Nishimuras. Britanikja “The Guardian” shkruhet se penalltia doli nga hiçi. Për “La Gazzetta dello Sport”, barazimi do të ishte rezultati më i drejt. Gazeta më e madhe sportive argjentinase “Ole” thekson se arbitri aziatik dhuroi një 11 metërsh inekzistent.

Botërori i Femrave, sot Shqipëri-Portugali

 Shqipëria e futbollit për femra do të luajë sot kundër Portugalisë, në ndeshjen e vlefshme për grupin e 5-të të zonës europiane për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Kanada 2015”. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumi “Loni Papuçiu” të qytetit të Fierit në orën 18:00. Trajneri Altin Rraklli e ka grumbulluar ekipin, qysh nga data 4 qershor në qytetin e Lushnjës, ndërkohë që Kombëtarja A ka zhvilluar edhe dy teste me Kombëtaren U-19 dhe me skuadrën U-16 të Fierit. Në takimin e luajtur në Portugali (12 shkurt 2014), Kombëtarja jonë humbi 7-1. Golin e vetëm e shënoi kapitenia Seranaj në minutën e 49-të (atë 2-1). Shqipëria luajti me këtë formacion: Gjyli, Govori, Lulaj (Proto), Rrahmani, Morina, Berisha (Jashari), Gjini, Seranaj, Luta, Velaj, Curo. Takimi i fundit i Shqipërisë është ai ndaj Holandës (10 prill), me të cilën humbëm 10-1 (gol i Rramanit me penallti). Në shtatë ndeshje ekipi i drejtuar nga Altin Rraklli ka fituar vetëm një, atë më Greqinë (1-0, gol i Velajt) në “Niko Dovana”, me helënët që nuk kanë marrë asnjë pikë në këto eliminatore dhe ndodhen në vendin e fundit. Pas ndeshjes me Portugalinë, Shqipëria do të luajë edhe me Norvegjinë (13 shtator) e Greqinë (17 shtator, në transfertë). Grupi ynë kryesohet nga Holanda me 19 pikë, e ndjekur nga Norvegjia me 18.

Femra/Grupi 5

Eliminatoret e Botërorit

Shqipëri-Portugali 18:00

Sot, 14 qershor 2014

Stadiumi “Loni Papuçiu”, Fier

RENDITJA

Holanda         8    19

Norvegjia       6    18

Belgjika        8    13

Portugalia      6    9

Shqipëria       7    3

Greqia          7    0