Historia e shtatë Olimpiadave shqiptare

6171
Sigal

Nga Lojërat e para Olimpike “Munih 1972”, tek ato të fundit për Shqipërinë, në “Londër 2012”

Shqipëria ka marrë pjesë në shtatë herë në Lojërat Olimpike, pikërisht në “Munih 1972” (Gjermani), “Barcelona 1992” (Spanjë), “Atlanta 1996” (SHBA), “Sidnej 2000” (Australi), “Athinë 2004” (Greqi), “Pekin 2008” (Kinë) dhe “Londër 2012” (Angli). Në total kanë marrë pjesë 41 sportistë, në 51 pjesëmarrje në shtatë Olimpiadat, duke marrë pjesë në shtatë disiplina, ku vetëm peshëngritja është përfaqësuar në të gjitha pjesëmarrjet. Në 7 olmpiada kanë marrë pjesë 12 sportistë të ndryshëm. Qitja përfaqësohet me 6 sportistë, atletika me 6, noti me 4, mundja me 2, xhudoja me 2 dhe çiklizmi me një. Klodiana Shala mban dhe rekordin përsa i përket pjesëmarrjeve, me katër të tilla: “Sidnej 2000”, “Athinë 2004”, “Pekin 2008” dhe “Londër 2012”, por në Lojërat britanike atletja u tërhoq pa e kryer garën. Emri i saj u fshi dhe nga databaza e Olimpiadës, kështu që zyrtarisht ajo është pjesëmarrëse në tre të tilla. Tetë sportistë kanë marrë pjesë nga dy herë: qitëset Enkelejda Shehu dhe Diana Mata; peshëngritësit Ilirjan Suli e Gerti Trasha, notarët Rovena Marku dhe Sidni Hoxha, mundësi Sahit Prizreni dhe hedhësi i çekiçit Dorian Çollaku. Për fatin tonë të keq, nuk kemi mundur të fitojmë asnjë medalje, teksa vendin më të mirë e ka zënë peshëngritësi Ilirjan Suli, i 5-ti në “Sidnej 2000”, në Australi.

 “MUNIH 1972”

 Shqipëria mori pjesë për herë të parë në Lojërat Olimpike, në “Munih 1972”, të zhvilluara në Gjermaninë Perëndimore, më 26 gusht deri 11 shtator 1972. Vendi ynë u përfaqësua më pesë sportistë, katër meshkuj (Beqir Kosova, Ymer Pampuri, Fatos Pilkati, Ismail Rama) dhe një femër (Afërdita Tusha). Flamurmbajtëse e delegacionit shqitpar është Afërdita Tusha. Olimpistët tanë u përfaqësuan në dy sporte: katër në qitje, dhe një në peshëngritje. Qitësi Ismail Rama ishte dhe sportisti më i vjetër pjesëmarrës, 36 vjeç e 300 ditë. Në këtë Olimpiadë, peshëngritësi ynë 28-vjeçar, Ymer Pampuri, i cili garoi në peshën 60 kg, shkaktoi surprizën më të madhe, duke udhëhequr Lojërat Olimpike, në stilin e forcës, madje theu edhe rekordin botëror në stilin e forcës duke ngritur 127.5 kg. Në fakt, në atë kohë, në Shqipëri praktikohej vetëm stili i forcës, dhe jo ato në shkëputje (90 kg) dhe në shtytje (125 kg), kështu që Pampuri, që punonte në Shqipëri, si një kloun cirku, nuk kishte eksperiencë në ato stile, duke zënë përfundimisht vendin e 9-të nga 14 sportistë, duke ngritur në total 342.5 kg. Medaljen e artë e mori bullgari Norayr Nurikyan me 402.5 kg, që vendosi dhe një rekord të ri botëror. Qitësi Ismail Rama zuri vendin e 22-të nga 101 sportistë, duke grumbulluar 594 pikë në 50 metra pushkë me kalibër të vogël. Po në këtë garë, qitësi Beqir Kosova zuri vendin e 66-të nga 101 sportistë, duke grumbulluar 578 pikë. Kampioni koeranoverior, Li Jo-Hun, grumbulloi 599 pikë nga 600 të mundshmet. Qitësi Fatos Pilkati zuri vendi e 24-t nga 59 sportistë, në 50 metra pistoletë, duke grumbulluar 546 pikë. Qitësja Afërdita Tusha u rendit e 51-ta nga 59 qitës, duke grumbulluar 522 pikë, por në një garë unike për të, dhe ndoshta në botë, pasi ajo ishte e vetmja femër në atë garë ku 58 të tjerët ishin meshkuj! Në këtë garë, kampion doli suedezi Ragnar Sanaker (572 pikë). Në “Munih 1972” morën pjesë 7113 sportistë (6053 meshkuj dhe 1060 femra), nga 121 vende. Më shumë medalje grumbulloi Bashkimi Sovjetik (99).

“BARCELONA 1972”

 Shqipëria nuk morri pjesë në 20 vitet e ardhshme, më shumë për arsye politike (absurde) nga regjimi komunist. Rikthimi i vendit tonë në Lojërat Olimpike daton në vitin 1992, pas ndryshimeve demokratike. Olimpiada u zhvillua në Barcelonë të Spanjës, 24 korrik-9 gusht. Shqipëria mori pjesë me 7 sportistë (5 meshkuj dhe 2 femra), ku më i riu ishte peshëngritësi Sokol Bishanaku (21 vjeç e 58 ditë), ndërkohë që më i vjetri ishte qitësi Kristo Robo (43 vjeç e 235 ditë). Flamurmbajtëse e delegacionit shqiptar është Enkelejda Shehu. Vendi ynë mori pjesë në katër disiplina: peshëngritje (3: Sokol Bishanaku, Fatmir Bushi dhe Dedë Dekaj), qitje (2: Kristo Robo dhe Enkelejda Shehu), atletikë (1: Alma Qeramixhi) dhe not (1: Frank Leskaj). Edhe në “Barcelona 1992”, Shqipëria nuk arriti të marrë asnjë medalje. Peshëngritësi Sokol Bishanaku mori pjesë në 57 kg, duke zënë vendin e 11-të nga 18 sportistë (3 nuk u klasifikuan), pasi ngriti në dygarësh 290 kg,

kur kampioni olimpik Israel Militosyan ngriti 337.5 kg. Diferenca është e qartë. Sokol Bishanaku po në këtë peshë zuri vendin e 13-të, me 282.5 kg në dygarësh. Dedë Dekaj mori pjesë në 110 kg, duke zënë vendin e 9-të nga 24 peshëngritës, duke ngritur në dygarësh 380 kg (kampion doli gjermani Roni Veler me 432.5 kg). Notari Frank Leskaj mori pjesë në tri gara: 50 metra stili i lirë (i 50-ti nga 75 notarë), në 100 metra stil i lirë (i 62-ti nga nga 75 notarë) dhe në 100 metra bretkosë (i 56-ti nga 59 notarë). Atletja Alma Qeramixhi mori pjesë në shtatëgarësh, por nuk arriti të kualifikohej, ashtu si gjashtë pjesëmarrëse të tjera, ku në total ishin 33 sportiste. Qitësi Kristo Robo (565 pikë) zuri vendin e 30-të, po nga aq sportistë (pra i fundit, në garën 25 metra me pistoletë, me breshëri të shpejtë. Enkelejda Shehu zuri vendin e 14-të (nga 41 qitëse) në 25 metra me pistoletë sportive.

“ATLANTA 1996”

Shqipëria bëhet pjesëmarrëse e rregullt e Lojërave Olimpike, dhe në “Attanta 1996”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (20 korrik-4 gusht 1996) ajo u paraqit po me 7 sportistë, ku mbizotërojnë për herë të parë femrat (4), ndaj meshkujve (3). Sportistja më e re është Mirela Manjani, 19 vjeç e 218 ditë, që garon në hedhje shtize (Olimpiada e fundit për të më Shqipërinë, pasi në dy pasardhëset, “Sidnej 2000” dhe “Athinë 2004”, durrsakja garon për Greqinë). Risi olimpike për ne janë sporti i çiklizmit (me Besnik Musain) dhe mundja (me Shkëlqim Troplinin), pasi qitja, atletika dhe peshëngritja ishin bërë të zakonshme. Flamurmbajtëse e delegacionit shqiptar është Mirela Manjani. Atletja Vera Bitanji zuri vendi e 25-të në trehapësh, nga 31 sportistë, duke mos u kualifikuar në gjysmëfinale. Hedhësja e shtizës, Mirela Manjani, ende pa një eksperiencë ndëkombëtare, edhe pse një sportiste premtuese, zuri vendin e 24-t nga 32 sportistë, pavarësisht se katër vjet më pas (me Greqinë) mori medaljen e argjendtë në “Sidnej 2000”. Qitësja Diana Mata zuri vendin e 38-të nga 41 sportistë në 10 metra pistoletë ajër, me 363 pikë, kur në këtë garë, Enkelejda Shehu zuri vendin e 21-të (me 377 pikë). Në garën 25 metra me pistoletë sportive, Diana zuri vendin e 20-të 575 pikë, ndërkohë që Enekelejda, të 15-tin me 576 pikë. Çiklisti Besnik Musaj nuk arriti të kualifikohej në garën individual, me një gjatësi prej 228.1 km, e ku morën pjesë 183 çiklistë nga 57 vende, ku vetëm 111 prej tyre arritën ta përfundonin garën. Peshëngritësi Ilirjan Suli (77 kg) zuri vendin e 14-të nga 24 sportistë, duke ngritur në dygarësh 322.5 kg: 147.5 kg në shkëputje/ 175 kg në shtytje (vendi i tretë ngriti 357.5 kg, koreanojugori Çon Ço-Hol). Mundësi Shkëlqim Troplini u rendit i parafundit në nga 19 sportistë, në stilin e lirë, pesha e rëndë (100 kg), ku kampion doli amerikani Kurt Engëll.

 

“SIDNEJ 2000”

Shënon numrin më të vogël të sportistëve, me të cilët Shqipëria ishte prezantuar ndonjëherë në Lojërat Olimpike: vetëm 4, dy meshkuj (peshëngritësi Ilirjan Suli dhe atleti Oltion Luli), si dhe dy femra (qitësja Diana Mata dhe atletja Klodiana Shala). Flamurmbajtës është peshëngritësi Ilirjan Suli. Pikërisht në këtë Australinë e largët, Shqipëria regjistron edhe suksesin më të mirë në Lojërat Olimpike”: vendi i pestë i peshëngritësit Ilirjan Suli, i cili në dygarësh ngriti 355 kg. Në Kampionatin Europian, Ilirjan Suli kishte zënë vendin e 3-të me 306 kg, duke qenë dhe shpresa e madhe e Shqipërisë. Nga vendi i 14-të në “Atlanta 1996” (në peshën 77 kg), Ilirjan Suli, tashmë më i pjekur (24 vjeç) zuri vendin e pestë në “Sidnej 2000”, nga 17 sportistë, duke ngritur 355 kg (162.5 kg shkëputje/ 192.5 kg shtytje). Në këtë garë, shqiptari i natyralizuar si grek, Viktor Mitro (alias Viktor Mitrou) zuri vendin e dytë (medalje e argjendtë) me 367.5 kg në dygarësh (rekord olimpik), por që e humbi medaljen e artë, për shkak të peshës trupore më të madhe sesa Zhang Zugang (po 367.5 kg). Rezultatet e tjera janë për të ardhur keq. Qitësja Diana Mata u rendit në vendin e 21-të nga 45 sportiste, në 10 m pistoletë me ajër (378 pikë, vendi i parë kinezja me Tao Luna me 488.2 pikë: 388+100.2). Në 50 metra pistoletë sportive, Diana Mata zuri vendin e 11-të nga 42 sportiste, duke grumbulluar 579 pikë. Atletja Klodiana Shala mori pjesë në garën e 400 metrave, duke mos u kualifikuar në çerekfinale. Ajo zuri vendin e fundit në baterinë 5, me kohën 56 sekonda e 41 të qindtat, dhe të 49-tin në total nga 55 atlete. Sprintieri shqiptar i 100 metrave, Oltion Luli, regjistroi kohën 11.08 sekonda (i parafundit në baterinë e tij), duke u eliminuar qysh në raundin e parë, por duke lënë pas 13 atletë, e duke u renditur në vendin e 83-të. Moris Grin i Shteteve të Bashkuara të Amerikës fitoi medaljen e artë me 9.87 sekonda.

“ATHINË 2004”

 Shqipëria mori pjesë në “Athinë 2004” me shtatë sportistë, pesë meshkuj dhe dy femra. Lojërat u organizuan nga 11-29 gushti i vitit 2004. Peshëngritësi elbasanas, Gerti Trasha, regjistroi edhe rekordin si olimpisti më i ri në moshë shqiptar, pasi mori pjesë në garë në moshën 16 vjeç e 199 ditë. Kjo është olimpiada shënon edhe rastin e parë kur në të morën pjesë dy vëllezër: Gerti dhe Theodhoris Trasha, që të dy peshëngritës, 16 dhe 19 vjeç. Flamurin e delegacionit shqiptar e mbajti atletja Klodiana Shala (hera e dytë për të në Olimpiadë, e që stërvitej prej një kohe të gjatë në Greqi). Hedhësi i çekiçit, Dorian Çollaku, u rendit i 31-ti nga 34 sportistë, duke e kapur rezultatin 70.06 metra (i fundit në grupin B). Kampion doli japonezi Kori Mijofushi me 82.91 metra. Notari 21-vjeçar Kreshnik Gjata u rendit në 50 metra stil i lirë në vendin e 66-të nga 83 sportistë, duke fiksuar kohën 26.61 sekonda ( i 4-ti në baterinë 3). Kampion doli amerikani Geri Hill (21.93 sekonda). Notarja Rovena Marku doli e 60-ta në 50 metra stil i lirë, nga 73 sportiste, me kohën 30.51 sekonda (kampionia holandeze Inge de Bruin me kohën 24.58 sekonda). Mundësi Sahit Prizreni regjistroi një rezultat zhgënjyes, duke u renditur i 17-ti nga 19 sportistë, duke i humbur të dy takimet me grekun Bezik Aslanvili dhe iranianin Masoud Gokar, në grupin E. Atletja Klodiana Shala (rekordmene në Shqipëri) garoi në 400 metra me pengesa dhe vendin e 28-të nga 33 sportistë dhe (koha: 1 minutë, e fundit në baterinë 3). Peshëngritësi Gerti Trasha u rendit i 13-ti në peshën nga 20 sportistë, në peshën 62 kg, dhe po në vendin e 13-të u rendit vëllai i tij, Theodhoris Trasha, nga 25 shtangistë, në peshën 77 kg.

“PEKIN 2008”

 Lojërat Olimpike “Pekin 2008” regjistrojnë dhe numrin më të madh të sportistëve tanë, me 11 të tillë, por dhe vendin më të mirë përsa i përket sportistëve femra: peshëngritësja Romela Begaj zuri vendin e 6-të, në 58 kg. Lojërat u zhvilluan nga 6-24 gusht 2008. Delegacioni shqiptar përbëhej nga 7 meshkuj dhe 4 femra: më i riu, notari Sidni Hoxha (16 vjeç e 222 ditë), dhe më i vjetri, qitësja Lindita Kodra (46 vjeçe e 95 ditë). Flamurmbajtës ishte mundësi Sahit Prizreni, vendi i tretë në botë. Peshëngritësja 21-vjeçare, Romela Begaj, dikur një artiste cirku, zuri vendin e 6-të nga 12 sportistë, duke ngritur në dygarësh 216 kg (98 kg në shkëputje (e 5-ta) dhe 118 në shtytje (e 6-ta), ndërkohë që kampionia olimpike, kinezja Çen Janging ngriti në dygarëh 244 kg. Peshëngritësi Erkand Qerimaj, i cili festoi 20-vjetorin në fshatin olimpik, zuri vendin e 13-të nga 27 sportistë në peshën 77 kg, duke ngritur në dygarësh 341 kg (154 kg + 187 kg). Vendin e parë e zuri koreanojugori Sa Jae-Hyok me 366 kg. Peshëngritësi Gerti Trasha nuk u klasifikua në dygarësh, pasi nuk realizoi asnjë provë në shkëputje, duke qenë një dështim i plotë. Mundësi i stilit greko-romak, Elis Guri, u rendit i 8-ti, duke mbërritur deri në çerekfinale, ku humbi me gjermanin English. Mundësi i stilit të lirë, Sahit Prizreni zuri vendin e 16-të nga 20 sportistë. Hedhësi i çekiçit, Dorian Çollaku, zuri vendin e 28-të (70.98 metra) nga 33 sportistë, duke u eliminuar qysh në raundin e parë kualifikues. Notari i ri i talentuar Sidni Hoxha doli i 63-ti nga 97 pjesëmarrës, në 50 metra stil i lirë me kohën 24.56 sekonda (rekord kombëtar), ndërkohë që Rovena Marku doli e 58-ta nga 90 notare në 50 metra stil i lirë (28.15 sekonda), duke u eliminuar qysh në raundin e parë. Qitësja Lindita Kodra, që mbërriti në Pekin me statusin e kampiones së Europës, u rendit e 40-ta nga 44 sportistë në 10 metra pistoletë me ajër (370 pikë) dhe e 35-ta nga 41 sportiste në 25 metra pistoletë sportive, pra dy rezultate shumë të dobëta. Xhudisti Edmond Topalli u eliminua qysh në raundin e parë, duke humbur me portugezin Neto, dhe u renditur i 21-ti nga 33 sportistë. Atletja Klodiana Shala, që vendosi rekordin përsa u përket numrit të pjesëmarrjeve për një sportist shqiptar (mbërriti me ftesë në “Pekin 2008”), duke zënë vendin e 47-të nga 50 sportistë.

“LONDËR 2012”

 Shqipëria zyrtarisht nisi në “Londër 2012”, 11 sportistë, por në fakt garuan vetëm nëntë: peshëngritësi Hysen Pulaku u përjashtua nga për përdorim dopingu, ndërkohë që atletja Klodiana Shala u tërhoq nga kompeticioni për shkak të një dëmtimi. Rezultatet janë totalisht zhgënjyese. Rezultati më i mirë i Shqipërisë në “Londër 2012” është vendi i 9-të i Briken Caljes në peshëngritje, i 11-ti i Romela Begajt po në peshëngritje dhe hyrja në 16-she nga ana e xhudistes Majlinda Kelmendi. Në not, Noel Borshi zuri vendin e 40-të nga 42 sportiste; Sidni Hoxha doli i 37-ti nga 60-të konkurrues në garën e 100 metrave stil i lirë. Qitësi Arben Kuçana doli i 20-ti nga 44 konkurrues në garën 10 metra pushkë-ajër. Qitësi Arben Kuçana ishte sportisti i fundit i delegacionit olimpik shqiptar, që garoi në Lojërat Olimpike “Londër 2012”. Adriatik Hoxha, rekordmeni shqiptar i hedhjes së gjyles, ishte zhgënjimi i radhës i ekipit olimpik kuqezi në “Londër 2012”. Përfaqësuesi i vetëm i atletikës sonë – pas tërheqjes së vrapueses Klodiana Shala – u rendit i 37-ti nga 40 pjesëmarrës, por i fundit sipas rezultatit teknik, pasi 3 sportistë u skualifikuan për gabime teknike gjatë hedhjes. Lushnjari Hoxha e hodhi gjylen 17.58 metra. Edhe Kuçana nuk i shpëtoi sëmundjes së dështimit, duke u renditur 37-ti nga 38 qitës në garën 50 metra pistoletë, duke grumbulluar 524 pikë, po aq sa dhe malazezi Nikola Saranaviç. Atletja Klodiana Shala u tërhoq nga gara, ndërkohë që peshëngritësi Daniel Godelli u skualifikua, pasi nuk realizoi asnjë provë në peshën deri në 69 kg. I turpshëm mbetet përjashtimi i peshëngritësit Hysen Pulaku, për shkak se rezultoi me doping.

 

 

 

 

 

PJESËMARRËSIT NË LOJËRAT OLIMPIKE

 

“MUNIH 1972”

 

Sportisti            Mosha Sporti         Vendi Pjesëmarrës

1. Beqir Kosova      23   Qitje           66         101

2. Ymer Pampuri      28   Peshëngritje    9          14

3. Fatos Pilkati           21   Qitje           24         59

4. Ismail Rama       36   Qitje           22         101

5. Afërdita Tusha    26   Qitje           51         59

Pjesëmarrës: 5 sportistë (4 meshkuj/1 femër)

 

“BARCELONA 1992”

 

Sportisti            Mosha Sporti         Vendi Pjesëmarrës

1. Sokol Bishanaku   21   Peshëngritje    13         18

2. Fatmir Bushi      28   Peshëngritje    11         18

3. Dedë Dekaj        22   Peshëngritje    9          24

4. Frank Leskaj      21   Not             50         75

5. Alma Qeramixhi    28   Atletikë        Nuk u kualifikua

6. Kristo Robo       43   Qitje           30         30

7. Enkelejda Shehu   23   Qitje           14         41

Pjesëmarrës: 7 sportistë (5 meshkuj/2 femra)

 

“ATLANTA 1996”

 

Sportisti            Mosha Sporti         Vendi Pjesëmarrës

1. Vera Bitanji      27   Atletikë        25         31

2. Mirela Manjani    19   Atletikë        24         32

3. Djana Mata        35   Qitje           20         37

4. Besnik Musaj      22   Çiklizëm        Nuk u kualifikua

5. Enkelejda Shehu   27   Qitje           15         37

6. Ilirjan Suli      20   Peshëngritje    14         24

7. Shkëlqim Troplini 29   Mundje          18         19

Pjesëmarrës: 7 sportistë (3 meshkuj/4 femra)

 

 

“SIDNEJ 2000”

 

Sportisti            Mosha Sporti         Vendi Pjesëmarrës

1. Oltion Luli       31   Atletikë        83        96

2. Diana Mata        40   Qitje           11         42

3. Klodiana Shala    21   Atletikë        49         55

4. Ilirjan Suli      24   Peshëngritje    5         17

Pjesëmarrës: 4 sportistë (2 meshkuj/ 2 femra)

 

 

“ATHINË 2004”

Sportisti            Mosha Sporti         Vendi Pjesëmarrës

1. Dorian Çollaku    27   Atletikë        31         34

2. Kreshnik Gjata    21   Not             66         83

3. Rovena Marku      17   Not             60         73

4. Sahit Prizreni    22   Mundje          17         19

5. Klodiana Shala    24   Atletikë        28         33

6. Gert Trasha       16   Peshëngritje    13         20

7. Theoharis Trasha  19   Peshëngritje    13        25

Pjesëmarrës: 7 sportistë (5 meshkuj/ 2 femra)

 

 

“PEKIN 2008”

Sportisti            Mosha Sporti         Vendi Pjesëmarrës

1. Romela Begaj      21   Peshëngritje    6          12

2. Dorian Çollaku    31   Atletikë        28         33

3. Elis Guri         25   Mundje          8          20

4. Sidni Hoxha       16   Not             63         97

5. Lindita Kodra           46   Qitje           35         41

6. Rovena Marku      21   Not             58         90

7. Sahit Prizreni    26   Mundje          16         20

8. Erkand Qerimaj    19   Peshëngritje    13         27

9. Klodiana Shala    28   Atletikë        47         50

10. Edmond Topalli   28   Xhudo           21         33

11. Gert Trasha      20   Peshëngritje    Nuk u klasifikua

Pjesëmarrës: 11 sportistë (7 meshkuj/ 4 femra)

 

“LONDËR 2012”

Sportisti            Mosha Sporti         Vendi Pjesëmarrës

1. Romela Begaj      25   Peshëngritje    11         19

2. Sidni Hoxha       20   Not             37         60

3. Arben Kuçana      46   Qitje           20         44

4. Noel Borshi       16   Not             40         42

5. Daniel Godelli    19   Peshëngritje    Nuk u klasifikua

6. Briken Calja      19   Peshëngritje    9          24

7. Endri Karina            28   Peshëngritje    14         21

8.Majlinda Kelmendi  28   Xhudo           16         32

11. Adriatik Hoxha   20   Atletikë        37         40

Pjesëmarrës: 9 sportistë (6 meshkuj/ 3 femra)

 

 

 

 

PJESËMARRJA NË TOTAL

 

Qitës                10

Peshëngritës         15

Not                  7

Atletikë             12

Çiklizëm             1

Mundje               4

Xhudo                2

41 sportistë/51 pjesëmarrje

 

 

Rekordi i Shalës

Klodiana Shala mban dhe rekordin përsa i kërket pjesëmarrëjeve, me katër të tilla: “Sidnej 2000”, “Athinë 2004”, “Pekin 2008” dhe “Londër 2012”, por në Lojërat britanike atletja u tërhoq pa e kryer garën. Emri i saj u fshi dhe nga databaza e Olimpiadës.

 

Lojërat dimërore

 

Përveç Lojërave Olimpike Verore, Shqipëria është përfaqësuar edhe në ato dimërore, me skiatorin Erjon Tola, që ka ka garuar në “Torino 2006” dhe “Vankuver 2010”. Lojërat e ardhshme dimërore janë ato “Sochi 2014”, që do të zhvillohen në Rusi.

7 herë

ka marrë pjesë Shqipëria në Lojërat Olimpike: 1972, 1992, 1996, 2000, 2004, 2008 dhe 2012.

11 sportistë

është numri më i madh i pjesëmarrëseve në një Olimpiadë, pikërisht në “Pekin 2008”.

 32 meshkuj

kanë marrë pjesë në Lojërat Olimpike për Shqipërinë

 18 femra

Kanë përfaqësuar vendin tonë në shtatë Olimpiadat

Flamurmbajtësit në Lojërat Olimpike

“Munih 1972”

Afërdita Tusha (qitje)

“Barcelona 1992”

Enkeleda Shehu (qitje)

“Atlanta 1996”

Mirela Manjani (hedhje shtize)

“Sidnej 2000”

Ilirjan Suli (peshëngritje)

“Athinë 2004”

Klodiana Shala (atletikë)

“Pekin 2008”

Said Prizreni (mundje)

 “Londër 2012”

Romela Begaj (peshëngritje)