Sigal

Në ceremoninë që organizoi presidenca në mbrëmjen e djeshme, brezat e futbollit shqiptar u bënë bashkë, madje atje kishte më shumë se 65 vite futboll. Padyshim që përshëndetja e Presidentit Ilir Meta mbeti e veçantë, jo vetëm për kujtesën e respektin, por edhe për mesazhet që ai përcolli në fjalën e tij. “Është e veçantë për mua si President i Republikës, që në vitin e Skënderbeut të nderoj figura të mëdha sportive si skuadra e 17 Nëntorit të Tiranës, dhe i madhi Skënder Halili. Skënderbeu mbetet figura më e madhe që përcaktoi identitetin e Kombit shqiptar, ndërsa kështu ka ndodhur edhe me futbollin. Kujtoj barazimin e Kombëtares sonë me Gjermaninë Perëndimore në vitin 1967, dhe pesë vite më pas atë ndeshje të madhe të 17 Nëntorit me Ajaksin. Ishte koha e një gjenerate që edhe pse me shumë vështirësi, kishin një ambicie sportive të jashtëzakonshme. Ndërkohë që, edhe pjesëmarrja e Kombëtares sonë në “Euro 2016”, ishte një vazhdim i kësaj madhështie”, kështu theksoi dje në përshëndetjen e tij Presidenti Ilir Meta, i cili këtë dekorim ua dedikoi edhe atyre futbollistëve që bënë emër në atë ndeshje, por që sot nuk janë mes nesh, duke i përqendruar edhe te figura e Skënder Halilit. “Tirana e asaj periudhe nuk mund të ndahet nga emri i Skënder Halilit, një autoritet i jashtëzakonshëm dhe një Legjendë që shkroi histori të madhe në futbollin shqiptar. Eleganca, saktësia, virtuoziteti i tij janë të gdhendur në futbollin shqiptar si një futbollist i madh dhe i mrekullueshëm”. Me një stil tepër sportiv, dje Presidenti Meta kërkoi që vlera të tilla si ndeshja 17 Nëntori-Ajaks, të jenë momente bashkimi në promovimin e vlerave të futbollit tonë. “Kjo histori e suksesit bardheblu, dëshiroj që të jetë një mesazh i madh për të gjithë sportin shqiptar, dhe futbollin në veçanti. Një mesazh edhe për skuadrën e Tiranës ndër vite deri më sot, të cilët këtë histori ta çojnë në nivele edhe më të larta. Kjo histori e 17 Nëntorit 1970, ishte një model i një futbolli të sakrificës, një moment bashkimi për promovimin e vlerave të futbollit tonë”. Ceremoni vazhdoi me përshëndetje nga protagonistë, biseda e kujtime nga ajo ndeshje e madhe.

Niko Xhaçka (Ish-sulmues i 17 Nëntorit 1970)

“Në emrin e të gjithë shokëve të asaj skuadre të madhe që luajti me Ajaksin, unë e falënderoj Presidentin e Republikës, zotin Ilir Meta, për këtë nder që i bëhet Tiranës. Mendoj se ky është një mesazh për të gjithë brezat, aq më tepër për këta sot, se ky vlerësim i bëhet gjithë sportistëve të Shqipërisë. Ajo ndeshje nuk harrohet lehtë!”.

Mihallaq Ikonomi (Ish-portier i 17 Nëntorit 1970)

“Ajo ndeshje ka pasur emocione shumë të mëdha, sepse Ajaksi i asaj periudhe ishte ekipi që bëri ndryshim të madh në futboll. Unë luajta për 70 minuta, dhe gjatë gjithë ndeshjes e ndieja madhështinë e kundërshtarëve. Por, atë sezon Ajaksi fitoi Kupën e Kampionëve, ku u ndesh me Olimpiakosin, dhe rrugëtimin për në Greqi e bëri nga Shqipëria”.

Luigj Bytyçi (Ish-sulmues i 17 Nëntorit 1970)

“Unë edhe sot i heq kapelen Tiranës kur e shoh atë ndeshje. Na ka dhënë shumë emocion, edhe pse 17 Nëntori atëherë kishte shumë ndeshje ndërkombëtare me skuadra të tjera të Evropës. Por ajo ndeshje me Ajaksin ishte kulmore. Falënderoj Presidentin e Republikës, Ilir Meta, që atë brez që bëri ndeshjen e madhe, e nderon sot në këtë ceremoni!”.

Arben Çela (Ish-futbollist i 17 Nëntorit 1970)

“Ndeshja me Ajaksin u zhvillua me një lojë të ekuilibruar. Në golin e parë që shënoi Surbir, ai më kaloi mua dhe kur hyri në zonë unë i thashë Lllaqit (portierit Ikonomi) që të mos dilte. Por ai ishte lojtar i madh dhe shënoi. Ne e gjetëm veten në pjesën e dytë, dhe pasi shkurtuam me Kazanxhiun, kënaqësia erdhi në fund me golin e barazimit. Ishte një ndeshje e madhe”.

Iljaz Çeço (Ish-lojtar në ndeshjen 17 Nëntori-Ajaks)

“Unë në atë ndeshje isha në përforcim nga Dinamo si lojtar rezervë, dhe me vete kisha këpucë Adidas. Para se të fillonte takimi, zëvendëstrajneri, Enver Shehu më komunikon se do të luaja titullar. Dhe pse” Sepse Kazanxhiu i madh i kishte këpucët me gozhdë. Kjo ka qenë një nga ndeshjet e mia më të mëdha ndërkombëtare me klubet ku kam luajtur”.