Histori dhe shumë gola, PSG-ja kërcënon Realin. Në vitin 1993 e përmbysë me 4-1

654
Historia në futboll është kapriçoze, ashtu siç ka qenë me Realin e Madridit në shumë raste. Spanjollët do të luajnë mbrëmjen e sotme kundër PSG-së në ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampionëve për fazën e 1/8-ave. Në historinë e përballjeve mes tyre ka një fakt interesant dhe shumë të frikshëm për “galaktikët”. 25 vite më parë, në 18 mars të vitit 1993, Reali humbi me rezultatin 4-1 dhe u eliminua nga Kupa UEFA. Si për çudi, në ndeshjen e parë kishte fituar 3-1. Ashtu si në këtë vit, korrespondon gjithçka: muaji, fitorja, golat e shënuar dhe ata të pësuar. Një fakt që mund të peshojë në radhët e skuadrës së Zidanit, por mund të motivojë dhe të karikojë ambientin e PSG-së përpara misionit të madh për ta përmbysur ekipin kampion të Europës.
Historia- Në ndeshjen e parë të luajtur në Spanjë në vitin 1993, Reali fitoi falë golave të Butragenjos, Miçelit dhe Ivan Zamoranos, ndërsa Ginola shënoi golin e nderit për PSGnë. Gol, i cili shërbeu shumë për sfidën e kthimit. U duk se Reali do ta kishte shumë të lehtë dhe në fakt për shumë minuta ishte në avantazh falë ndeshjes së parë. PSG-ja shënoi me Xhorxh Ueah në minutën e 35-të, ndërsa dyfishimi i rezultatit erdhi në të 80-ën me Ginolën. Valdo shënoi në minutën e 87-të duke i dërguar shifrat në 3-0, por goli i Zamoranos në minutat shtesë qetësoi Realin dhe u vendos barazimi i përkohshëm.
Fundi i ndeshjes ishte dramatik sepse Antuan Kumbare shënoi në minutën e 96-të dhe i dha kualifikimin PSG-së, duke bërë përmbysjen e madhe. Diçka që do ta tentojnë edhe djemtë e Emerisë ditën e sotme.

Ekip efektiv- Nuk është vetëm historia që bën me krahë PSG-në përpara kësaj ndeshjeje, por edhe statistikat janë në favor të francezëve. Ata janë ekipi më efektiv në Ligën e Kampionëve dhe çdo 4.08 goditje drejt portave kundërshtare arrijnë ta shndërrojnë në gol.
Kjo do të thotë se Reali është i kërcënuar dhe duhet të marrë masat për të ndalur sulmin atomik të francezëve. Megjithatë, mungesa e Nejmar sigurisht që e ul efektivitetin e skuadrës së Emerisë në repartin e sulmit. Pa brazilianin në fushën e lojës, PSG-ja shënon më pak, por lojtarët e tjerë janë të sigurt se po të bëjnë maksimumin në fushën e lojës mund t’ia dalin ta përmbysin Realin. Edinson Kavani do të udhëheqë ekipin francez drejt ëndrrës së madhe, ku në 51 ndeshje ka shënuar 31 gola. Por përballë është një skuadër kampione që transformohet kur dëgjon himnin e Ligës së Kampionëve. Ronaldo me shokë janë gati për të vazhduar ëndrrën dhe mbi të gjitha për të shpëtuar sezonin.
Sigal