Hierro konfirmon portierin dhe sulmuesin për ndeshjen ndaj Rusisë

502
Sigal

Fernando Hierro rikonfirmoi vendosjen e David De Geas mes shtyllave të dielën, në një përballje të vështirë që i rezervon Botërori 2018. Trajneri i kombëtares spanjolle votëbesoi portierin e Manchester United për sfidën ndaj vendit organizator, Rusisë, ndërsa la të kuptohej gjithashtu se me të njëjtën bindje do të hedhë nga minuta e parë edhe sulmuesin më efikas, Diego Costa.

“Ne e kemi gjithçka të qartë për të dielën. Kuptojmë debatet dhe i respektojmë ata që mendojnë ndryshe, por kemi vendimet tona dhe 11 lojtarët që do të luajnë do të bëjnë më të mirën. Në portë nuk do të ketë ndryshime. Edhe në sulm është e dukshme, pasi kemi një lojtar që në 3 ndeshje ka shënuar 3 herë”, tha trajneri i Spanjës për futbollistin e Atleticos së Madridit.

Hierro iu përgjigj edhe kritikave ndaj një skuadre, të cilën ai e mori në drejtim vetëm një ditë para se të niste Botërori i futbollit.

“Ne barazuam 3-3 ndaj Portugalisë dhe njerëzit thonë se ishte ndeshja më e mirë e fazës së grupeve. Por kur mundëm 1-0 Iranin thanë se trajneri nuk po bënte autokritikë, dhe e gjithë kjo ndaj një rivali që tregoi se ishte në të njëjtin nivel me Portugalinë. Tani kemi përballë Rusinë, që në çdo krosim në zonë sulmon me 5 lojtarë, luan në stadiumin e saj dhe ka dëshirë”, tha Fernando Hierro.