Hetimet e FIFA-s dhe metodat për të gjurmuar korrupsionin

518
Shumë kriminelë si dhe biznesmenë të ligjshëm që nuk dëshirojnë të informohet qeveria amerikane për aktivitetin e tyre financiar përdorin një taktikë të thjeshtë: i shpërndajnë depozitat e tyre dhe kryejnë tërheqje parash në shuma nën 10 mijë dollarë. Në realitet, kjo taktikë shpeshherë mund t’u kthehet kundër. Një praktikë e tillë mund të tërheqë vëmendje më të madhe, si nga bankat ashtu edhe nga autoritetet federale të zbatimit të ligjit, thonë zyrtarë amerikanë. Në një rast të tillë morën një mësim të rëndë ish-kreu i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Dennis Hastert, si dhe Daryan dhe Daryll Warner, djemtë e ish-zëvendës presidentit të FIFA-s, Jack Warner.
Të tre këta persona gjatë javës së kaluar u mësua se akuzohen për kryerjen e një krimi financiar të quajtur nga ligjet federale si “strukturim”. Zoti Hastert, që u largua nga Kongresi në vitin 2007, akuzohet nga prokurorët se ka strukturuar tërheqjen e më shumë se 950 mijë dollarëve në shuma të vogla dhe se ka gënjyer FBI-në. Zoti Hastert nuk ka bërë asnjë deklaratë publike që kur u ngritën javën e kaluar akuzat federale. Vëllezërit Warner dhe ortakët e tyre depozituan në vitin 2011 më shumë se 650 mijë dollarë në degë të ndryshme bankash në Nju Jork, Majami dhe Las Vegas, duke e shpërndarë shumën në transaksione më të vogla nën 10 mijë dollarë.
Dosja hetimore e vitit 2012 u bë publike javës që kaloi. Të dy u vetëdeklaruan fajtorë dhe po bashkëpunojnë me prokurorët për të goditur korrupsionin në FIFA. Ndërkohë, babai i tyre, i cili ka mohuar të ketë shkelur ligjin, akuzohet për marrjen e 10 milionë dollarëve nga qeveria e Afrikës së Jugut. Nuk dihet nëse ishin bankat që i raportuan Departamentit të Thesarit strukturimin nga zoti Hastert apo vëllezërit Warner, duke iniciuar kështu hetime penale. Me ligj bankat nuk mund të tregojnë nëse i kanë raportuar këto aktivitete tek autoritetet apo jo.
Arsyeja pse trafikantët e drogës dhe të tjerë mbajnë depozita dhe kryejnë tërheqje nën 10 mijë dollarë është pasi ligji amerikan kundër pastrimit të parave, u kërkon bankave t’i raportojnë Departamentit të Thesarit vetëm transaksione mbi 10 mijë dollarë. Ajo çka shumë njerëz nuk dinë, është se vëmendja e zyrtarëve të zbatimit të ligjit ngjallet nëse p.sh. dikush mundohet ta evitojë raportimin nga bankat duke shpërndarë shumat e transferuara nën 10 mijë dollarë. Një punonjës në sektorin privat që nuk pranoi të identifikohet, u shpreh se shmangia e këtij limiti realisht tërheq më shumë vëmendje se sa kur e kalon atë.
Bankat paraqesin një raport të ashtuquajtur Raporti i Aktivitetit të Dyshimtë, kur dyshojnë nëse një klient mund të ketë bërë diçka jo të qartë, si p.sh. shpërndaja e depozitave. Kongresi e ka klasifikuar si krim penal me Ligjin për Sekretin Bankar të viteve ’80-të, pasi në atë kohë trafikantët e drogës në Majami përdornin ushtri të tëra personash që udhëtonin nga një bankë tek tjetra për të kryer depozita të vogla. Ky lloj krimi dënohet me deri në 5 vjet burgim dhe konfiskim të parasë në fjalë. Statistikat tregojnë se në periudhën 2009 – 2014, Departamenti amerikan i Drejtësisë hapi 787 çështje hetimore ku përfshiheshin 1126 të akuzuar.
Agjensitë ligjzbatuese përdorin masivisht raportimet e bankave për strukturime, me qëllim krijimin e rasteve hetimore ndaj shkelësve financiarë, i tha agjensisë Reuters, Richard Weber, shef i hetimit penal në agjensinë amerikane të taksave, IRS. “Të dhënat e përftuara në bazë të Ligjit për Sekretin Bankar kanë qenë prej kohësh të dhëna të vlefshme për të sinjalizuar tek autoritetet në lidhje me ndonjë aktivitet strukturimi. Madje në disa raste mund të shërbejnë edhe si tregues për krime të tjera financiare”, thotë zoti Weber. Sipas statistikave, në periudhën mars 2012 – mars 2015, bankat dorëzuan mbi 500 mijë raportime ku paralajmërohen autoritetet për mundësinë e strukturimit, si dhe rreth 40 milionë raportime për depozitimet në para të thata.
Bankat gjurmojnë transaksione strukturimi nëpërmjet arkëtarëve të tyre dhe sistemeve automatike kompjuterike, përfshirë veprimet në ATM. Disa programe munden madje të gjurmojnë aktivitete të tilla si p.sh. edhe brenda anëtarëve të së njëjtës familje.
Këto programe kompjuterike ofrohen nga disa kompani, si Oracle Corp., Nice Systems, dhe SAS. Të pyetur prej agjensisë Reuters, asnjë prej specialistëve të këtyre kompanive nuk komentoi për parametrat e sistemeve të tyre, pasi këto detaje mund të bien në duart e kriminelëve. “Monitorojnë përgjithësisht për transaksione të përsëritura në nivelin 9 mijë deri në 10 mijë dollarë”, thotë Rob Rowe, një ish-zyrtar bankar dhe tashmë jurist në Shoqatën Amerikane të Bankierëve. Ai madje shton se nëse kanë të bëjnë me klientë që konsiderohen me risk të madh, bankat kanë mundësinë të gjurmojnë çdo aspekt tjetër.
Kur një arkëtar ose një program automatik vëren aktivitet të mundshëm strukturimi, llogaria e klientët në fjalë shënohet me ngjyrë të kuqe dhe fillon një hetim. Gjatë kësaj periudhe, banka do kontaktojë klientin dhe do t’i drejtojë pyetje në lidhje me transaksionin, dhe nëse përgjigjet nuk janë të kënaqshme, atëherë përgatitet një raportim. Sistemet automatike janë bërë shumë më të sofistikuara dhe madje munden ta ndihmojnë bankën për të vendosur nëse përgjigjet e klientit janë legjitime apo jo, thotë Michael Zeldin, ish-zyrtar i Departamentit amerikan të Drejtësisë. Ai thotë se p.sh. një pronar dyqani lulesh mund të prentendojë se ka bërë depozita të rregullta prej 9 mijë dollarësh pasi kjo është shuma e të ardhurave që gjeneron biznesi i tij çdo javë. Por, sisteme të mira kompjuterike mund ta krahasojnë rastin me të ardhura të depozituara nga dyqane të ngjashme lulesh dhe kështu të gjykohet nëse klienti ka të drejtë.
Sigal