Hernandez kalon te West Ham

486
Javier Hernandez do të prezantohet gjatë ditëve në vijim si një futbollist i ri i skuadrës së West Ham, pasi klubi britanik ka arritur akordin me skuadrën gjermane të Bayer Leverkusen, për transferimin e futbollistit meksikan. 29-vjeçari pritet kështu të rikthehet në Premier League, pas eksperiencës së mëparshme 2010-2014 të kaluar te skuadra e Manchester United. Vetë klubi londinez, në një deklaratë për mediat ka informuar: “West Ham United dhe Bayer Leverkusen kanë gjetur akordin për transferimin e Javier Hernandez në ‘London Stadium’. Ish-sulmuesi i Manchester United dhe Real Madrid do të fluturojë drejt Londrës gjatë ditëve në vijim për të finalizuar detajet dhe termat personale të kontratës, sikurse dhe për të zhvilluar testimet mjekësore me ‘Hammers’. Hernandez, i njohur në të gjithë globin me epitetin ‘Chicharito’ në maj të këtij viti u bë futbollisti që ka shënuar më shumë gola në historinë e Meksikës”.

Mediat britanike bëjnë me dije se West Ham është gati të paguajë klauzolën e shitjes që është në shumën £13 milionë e ekuivalentuar në rreth 14.5 milionë euro. Sulmuesi meksikan pritet të firmosë kontratën me klubin londinez gjatë ditëve në vijim. Tifozët e West Ham presin me padurim transferimin e një sulmuesi të bujshëm, dhe Chicharito, me 39 gola të realizuar gjatë dy sezoneve të fundit në Bundesliga është një blerje vërtetë premtuese për Hammers-at.
Sigal