Haxhiosmanoviç: “Jemi ende në luftë për mbijetesë!”

440
Sigal

Shkodranët fitojnë 2-0 me kryeveprat e Krujës e Shtubinës dhe çojnë Tiranën në “zonën e kuqe”

Vllaznia mori tri pikë të arta në fushën e vështirë të Laçit, falë dy eurogolave të realizuar nga Kruja e Shtubina, ndërkohë që suksesi i tretë në transfertë përkoi edhe me ndeshjen e parë të trajnerit malazez Dervish Haxhiosmanoviç. Kuqeblutë përfitojnë nga ndalesa e Tiranës në derbi me Partizanin, për t’i spostuar bardheblutë në vendin e 9-të, pikërisht në zonën e ftohtë të renditjes, duke e bërë edhe më të bukur garën në këtë fazë të tretë të kampionatit. “Kemi marrë një fitore mjaft me vlera sot e sigurisht kjo më kënaq mua e skuadrën. Kjo fitore ka vlera të mëdha sidomos për anën psikologjike të lojtarëve. U futëm në fushën e lojës për ta fituar këtë takim e ia dolëm të arrinim qëllimin tonë. Skuadra u vendos mjaft mirë në fushë duke bërë një ndeshje taktikisht perfekte. Duhet të vazhdojmë në këtë rrugë pasi mbijetesa do punë për tu arritur e skuadra duhet të vijojë të tregojë të njëjtën dëshirë e grintë si sot”, – tha pas ndeshjes trajneri i Vllaznisë, Dervish Haxhiosmanoviç, i cili është dhe fituesi i titullit të fundit të shkodranëve në sezonin 2000-2001. Shkodranët e dominuan takimin si të luanin në “Loro Boriçi”. Kuqeblutë e gjetën golin qysh në minutën e 8-të me një goditje spektakolare të Arsid Krujës nga jashtë zonës, duke e bërë të pavlefshëm reagimin e Edvan Bakajt. Laçi kundërpërgjigjet tre minuta më pas me Emiljani Çelën, që i paraprin ndërhyrjes së Vujadinovic, por topi përfundon jashtë. Kontakti ashpër mes mbrojtësit vendas dhe portierit malazez bën që loja të ndalet për pesë minuta, derisa Vujadanoviçi u ngrit në këmbë për të qëndruar në fushë deri në fund madje duke kryer disa ndërhyrje vendimtare në momentet e goditjeve standarde të Laçit. Një kombinim mes Beqirit dhe Bushiçit, për pak përfundon në rrjetë. Në minutën e 19-të, ndërsa Ndriçim Shtubina pas një inkursioni personal, mposht për herë të dytë Bakajn me një përkëdhelje të topit. Laçin bën gjithçka në fraksionin e parë për të ndryshuar shifrat, por kurbinasit edhe pse sulmojnë me shumë forca janë të paqartë në fazën përmbyllëse të aksioneve. Edhe në pjesën e dytë nismën e morën vendasit, por kuqeblutë ishin më të rrezikshëm nëpërmjet kundërsulmit, ku në tre raste Bushiç dhe Hajdari nuk mundën të thellonin diferencën. Vlen të veçohet rasti i minutës 74-t, kur tentativa me kokë e sulmuesit malazez u ndal në vijën fatale nga Sefgjini. Kjo ishte fitorja e 7-të në 25 ndeshje për Vllazninë, që javën e ardhshme do të presë Skënderbeun në “Loro Boriçi”. Korçarët kryesojnë kampionatin me 14 pikë më shumë se tre ndjekësit më të afërt, Partizani, Laçi e Kukësi, që kanë pikë të barabarta nga 40.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XXV

Dje, 23 mars

LAÇI-VLLAZNIA 0-2

Shënues: Kruja 5’, Shtubina 26’

KASTRIOTI-LUSHNJA 2-1

Shënues: Ferraj 4’, Bratiç 18’ / Canka 55’ (pen)

Të shtunën, 22 mars

PARTIZANI-TIRAAN 1-1

Shënues: Nexhipi 94’ / Morina 43’

KUKËSI-FLAMURTARI 4-2

Shënues: Cikalleshi 12’, 59’, Boja 61’, Smajli 86’/ Liçaj 25’, G.Lika 90’

Të premten, 21 mars

TEUTA-BESA 1-0

Shënues: Idrizaj 63’

SKËNDERBEU-BYLIS 3-0*

Fitore në tavolinë

RENDITJA
1 Skënderbeu      25   +23 54

2 Partizani    25   +7   40

3 Laçi           25   +6   40

4 Kukësi             25   +2   40

5 Teuta         25   +4   36

6 Besa          25   +2   34

7 Flamurtari 25   -2    31

8 Vllaznia           25   +0   29

9 Tirana       25   -7    28

10 Kastrioti  25   -9    26

11 Bylis       25   -10  24

12 Lushnja          25   -16  23

* Bylisi është përjashtuar nga kampionati

Kastrioti mposht Lushnjën

 Kastrioti fitoi 2-1 me Lushnjën në një betejë të vërtetë mbijetesë. Ferraj (4’) dhe Bratiç (18’) ishin dhe autorët e golave të krutanëve të drejtuar nga Nevil Dede. Lushnja shënoi golin e vetëm me anë të Mikel Cankës, që nuk gaboi nga pika e bardhë në minutën e 55-të. Vendi i fundit mbetet “pronë” e lagunarëve të Banos, që tashmë e kanë marrë rrugën për një kategori më poshtë. Tri pikët ringjallin shpresat e Kastriotit për mbijetesë, teksa mban vendin e dhjetë për momentin, me 26 pikë.

 Të mërkurën, gjysmëfinalet e Kupës

 Kukësi-Teuta dhe Flamurtari-Skënderbeu janë çiftet gjysmëfinaliste të edicionit të 62-të të Kupës së Shqipërisë. Ndeshjet do të luhen të mërkurën, ndërkohë që ato të kthimit do të zhvillohen më 9 prill. Nga katër skuadrat gjysmëfinaliste, vetëm Flamurtari dhe Teuta e kanë fituar nga tri herë Kupën e Shqipërisë, ndërkohë që nëse do ta fitonin, Skënderbeu dhe Kukësi do ta kishin për herë të parë. Më shumë trofe në Kupë kanë Partizani dhe Tirana, të dyja nga 15, por të dy ekipet kryeqytetase nuk ia dolën të shkonin as në çerekfinale.

KUPA E SHQIPËRISË

GJYSMËFINALET

NDESHJET E PARA

26.03.2014

Kukësi-Teuta

Flamurtari-Skënderbeu

NDESHJET E KTHIMIT

09.04.2014

Teuta-Kukësi

Skënderbeu-Flamurtari

Presidenti i FSHF-së viziton Kombëtaren U-17, para nisjes në Çeki për ndeshjet e “Elite Round”

 Duka: “Na nderoni në Europian!”

 Dje paradite, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, vizitoi ekipin Kombëtar U-17 në ambientet e Resortit “Tropikal” në Durrës. Ai u interesua nga afër për përgatitjet që ekipi po bën në prag të ndeshjeve të fazës “Elite Round” të Kampionatit Europian, që do të luhen këtë javë me Republikën Çeke, e ku marrin pjesë edhe Anglia me Italinë. “Ju keni vëmendjen tone maksimale, sepse jeni e ardhmja e futbollit shqiptar dhe FSHF-ja po punon e investon, që ajo të ketë, sa më shumë sukses. Nuk është e rastësishme që,  për dy edicione radhazi, ju jeni kualifikuar për në turin e dytë në Kampionatin Europian. Uroj të vazhdoni në këtë rrugë” – citohet Duka nga faqja zyrtare e FSHF-së. Trajneri boshnjak Xhemal Mustedanagiç e njohu Dukën me gjendjen e skuadrës dhe objektivat për këto ndeshje. Sot, skuadra do të udhëtojë drejt Republikës Çeke. Trajneri Mustedangiç ka grumbulluar 18 lojtarë, ku vetëm katër prej tyre luajnë në kampionatin shqiptar të moshave, ndërkohë që pjesa tjetër (14 lojtarë) luajnë në Greqi, Zvicër, Itali, Belgjikë, Austri e Kosovë.

KALENDARI I NDESHJEVE

“ELITE ROUND”, GRUPI 4

26 mars

Itali- Shqipëri

Ora: 14.00, Stadiumi: Letna

Angli-Republika Çeke

Ora: 17.00, Stadiumi: Stonky

28 Mars

Angli-Shqipëri

Ora: 14.00, Stadiumi: Stonky

Republika Çeke-Itali

Ora: 17.00, Stadiumi: Letna

31 Mars

Itali-Angli

Ora: 17.00, Stadiumi: Letna

Shqipëri-Republika Çeke

Ora: 17.00, Stadiumi: Stonky

LOJTARËT

Portierë

Elhan Kastrati     Teuta

Jorgo Muça         PAOK

Mbrojtës

Adrit Toli    Olimpiakos

David Domgjoni Shkëndija

Paulo Ivani  Shkëndija

Arbi Raxha         Olimpiakos

Ardit Muholli     Rapidi i Vjenës

Mesfushorë

Federiko Zenuni Torino

Ardit Deliu  Besa

Keidi Bare          Atletiko Madrid

Franc Bakalli      Steaua Bukuresht

Kevin Myftiu      Vicenca

Armand Gjokaj   Gent

Heroid Gjoshi     Grasshoper

Sulmues

Alesio Hyseni     Peruxhia

Axhelo Zoizi      Breshia

Ardit Granica      Prishtina

Dinamo barazon me Mamurrasin

 Dinamo barazoi 0-0 me Mamurrasin, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 22-të të Kategorisë së Parë. Blutë u ngjitën në kuotën e 36 pikëve, tetë më pak se Apolonia e vendit të dytë. Kampionati kryesohet nga Elbasani me 46 pikë. Nga Kategoria e Parë në Superligë ngjiten vetëm dy vendet e para, që mbahen përkatësisht nga Elbasani dhe Apolonia.