Haxhija: Kampionati, evidentim i cilësisë

178
Noti shqiptar, të shtunën e të dielën në pishinën e shkollës jo publike “Nobis”, do të zhvillojë aktivitetin e dytë kombëtar. Bëhet fjalë për kampionatin kombëtar të të rriturve dhe të rinjve në pishinën 25-metërshe. Sekretarja e përgjithshme e Federatës Shqiptare të Notit, Suela Haxhija, në një intervistë për gazetën “Telegraf”, shpjegon të gjithë organizimin e këtij aktiviteti. Pritshmëritë e tyre për sportistë të veçantë të tillë si Franc Aleksi, Diana Basho, Deni Baholli, Nikol Merizaj dhe Aleksandër Ngresi. Por një talent të tillë si Deni Lazaj janë duke e pritur dhe nga Flamurtari. Janë të sigurtë se klubet e shoqatat e rretheve në mungesë të pishinave dimërore nuk mund të bëjnë shumë në këtë kampionart. Sikundër kundërshtohet dhe udhëzimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për ta përballuar nga grandi vajtjen në Lojërat Olimpike Evropiane në Baku. Ja dhe intervista e sekretares Haxhija për gazetën Telegraf.
– Jemi në prag të kampionatit kombëtar dimëror të të rriturve dhe të rinjve, cilat janë pritshmëritë e Federatës?
– Mbi të gjitha presim që të kemi thyerje të rekordeve, si dhe një evidentim më të madh të cilësisë së këtij sporti në vend. Mos harroni që deri më tani janë regjistruar për të marrë pjesë në këtë kampionat mbi 100 sportistë, të cilët do të përfaqësojnë 8 klube. Bën përshtypje Flamurtari, i cili ka regjistruar gjashtëmbëdhjetëvjeçarin Denis Lazaj, i datëlindjes 1998, që për moshën që ka me rezultatet që është deklaruar me kohë për t’u pasur zili. Në të tilla kushte duhet parë. Pra presim një pjesëmarrje të gjërë dhe me shumë cilësi.
– Është një kohë e gjatë që nga kampionati i të rriturve në shtator në këtë që do të bëni sivjet. Si janë përgatitur skuadrat?
– Problemi më i madh është për skuadrat e rretheve, sepse ekipet e Tiranës dhe të Durrësit, edhe duke u njohur me kalendarin, i kanë pishinat dimërore afër. Kurse rreth si Vlora, Saranda janë vetëm me pishina verore. Dhe për rrjedhojë gjatë gjithë kësaj kohe janë marrë më tepër me përgatitje fizike, ndoshta mund të kenë bërë ndonjë seancë stërvitore në pishina në Durrës. Kështu që nuk mund të pritet shumë nga skuadrat e rretheve, por vetëm ato që janë stërvitur gjerësisht në pishinat dimërore.
– Jemi në prag të kampionatit ballkanik të të rinjve në Rumani. Kjo garë e fundit dimërore do të jetë evidentuese për elementët e kombëtares?
– Së pari, edhe për mungesë të fondeve, ne këtë aktivitet ia kemi deleguar klubeve, të cilat nëse dëshirojnë do t’i mbulojnë vetë shpenzimet. Megjithatë kandidaturat janë evidentuar, por do të shihen dhe më mirë në këtë garë. 
– Ka pasur një udhëzim nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit që vajtja në Lojërat Olimpike Evropiane në Baku të përballohet me fondet e Federatave. A është normale?
– Sigurisht që jo, sepse vajtja në një aktivitet të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar përballohet financiar nga Komitetet Olimpike përkatëse dhe jo nga Federatat. Aq më tepër që kur kemi bërë dhe shpërndarjen e grandit ne nuk e kemi planifikuar një gjë të tillë. Ne kandidaturat i kemi përcaktuar që janë Franc Aleksi dhe Diana Basho, por udhëzimi për t’i çuar me shpenzimet tona nuk është normal.
– Një javë më parë keni pasur dhe kampionati e fëmijëve, çfarë u arrit?
– Në radhë të parë ishte masiviteti. Në radhë të dytë dhe rritja cilësore e mbi të gjitha u thyer 39 rekorde kombëtare, që nuk është gjë e vogël për një kampionat fëmijësh.
– Së fundi, cilët janë sportistët nga të cilët prisni më shumë?
– Mbi të gjitha Franc Aleksi, Deni Baholli, Diana Basho, Nikol Merizaj dhe Aleksandër Ngresi. Pse jo dhe Denis Lazaj siç dhe ju thash
.
Kampionati i fëmijëve
Aktivitetet kombëtare të notit shqiptar, në përfundim të kampionatit kombëtar të të rriturve dhe të rinjve në pishinat e mbyllura, do të mbyllen për dy muaj. Dhe gjithçka do të kthehet më 2-3 korrik me kampionatin e fëmijëve, i cili do të zhvillohet në pishinën e Akuadromit në Tiranë. Nisur dhe nga viti i kaluar, atje ku ka dominuar Te Stela, pritet që një gjë e tillë të ndodhë dhe tani, sikurdër dhe shoqërimi me një numër rekordesh kombëtare. Dhe në fakt, ndoshta dhe nga ky aktivitet i fëmijëve, do të mund të dalin dhe kandidatët për pjesëmarrjen në Festivalin Evropian rinor, i cili zhvillohet në Tbilisi të Gjeorgjisë.
Kupa e Shqipërisë
Kupa e Shqipërisë për të rritur është aktiviteti i dytë kombëtar, që në verë do të zhvillohet po tek Akuadromi i Tiranës. Madje është lënë më 29-30 korrik, ndërsa mes kampionatit të fëmijëve dhe Kupës së Shqipërisë, noti shqiptar do të marrë pjesë në dy aktivitete ndërkombëtare. Së pari është fjala për Kupën Komen, e cila do të zhvillohet në Greqi, më 4-5 korrik. Dhe së dyti për Kampionatin Botëror të notit në Kazan të Rusisë, më 24 korrik-9 gusht. Këisoj pritet që të jetë një aktivitet me shumë rezultate pozitive, edhe sepse notarët do të jenë të karikuar nga garat ndërkombëtare
Kampionati i të rriturve
Dhe veprimtaria e fundit, e cila do të mbyllë dhe sezonin kombëtar 2015, do të jetë kampionati kombëtar i të rriturve, të rinjve dhe veteranëve. Kjo garë do të zhvillohet më 3-4 shtator në Akuadromin e Tiranës, që do të jetë dhe fundi i garave kombëtare për këtë vit. Ajo që duhet theksuar është dhe fakti se një tjetër veprimtari ndërkombëtar do t’i vërë vulën aktiviteteve. Bëhet fjalë për Kampionatin Evropian të Notit në pishinat e mbyllur në Herzilia të Gjeorgjisë, më 2-6 dhjetor. Që do të thotë një vit i ngjeshur në aktivitete. 
Federata zbardh udhëzimin e garave
Federata Shqiptare e Notit prej ditësh ka lajmëruar klubet dhe shoqatat, anëtare të saj, se më 4-5 prill në pishinën e mbyllur “Nobis”do të zhvillohet kampionati kombëtar i të rriturve dhe të rinjve. Për rrjedhojë ka bërë dhe udhëzimin për garat, bashkangjitur me datëlindjet përkatëse. Kështu për të rritur do të konkurrojnë grup-moshat e datëlindjes 1996 e më të mëdhenj, kurse për të rritura 1998 e më të mëdhenj. Për të rinj është vendosur datëlindja deri më 1997, kurse për të reja do të jenë deri më 1999. Pishina e Nobis është me gjashtë korsi, ndërsa do të ketë vetëm një bateri në këto gara. Ndërkohë që një notar mund të marrë pjesë deri në katër gara individuale, si dhe 5 stafeta. Një skuadër ka të drejtë të regjistrojë deri në tre sportistë në një garë, ndërsa nuk do të lejohen sportistët jashtë garës. Sipas programit në ditën e parë garat nisin në ora 09:00 paradite, kurse pasdite në ora 15:00. Kurse në ditën e dytë garat do të nisin në ora 10:00. Pikëzimi është i tillë, vendi i parë 8 pikë, i dyti 6 pikë, i treti 4 pikë, i katërti 3 pikë, i pesti 2 pikë dhe i gjashti 1 pikë. Për notarin, apo notaren më të mirë do të përdoren pikët e FINA-s (Federata Botërore e Notit), kurse tre fituesit e garave do të kenë diploma Ekipi kampion do të ketë dhe kupën. Gjithashtu dhe rekordmenët do të nderohen me diploma
Programi i garave të kampionatit kombëtar të të rriturve
Dita e Parë (4 prill 2015)
Meshkuj
200 m katërnotim
200 m stil i lirë
100 m stil delfin
100 m bretkosë
50 m shpinë
400 m stil i lirë
200 m stil bretkosë
4×200 m stil i lirë
400 m katërnotim
4×50 m stil i lirë
100 m stil shpinë
50 m delfin
200 m stil delfin
100 m stil i lirë
200 m shpinë
4×100 m stil i përzier
Femra
200 m katërnotim
4×50 m stil i lirë
50 m bretkosë
100 m stil i lirë
200 m stil delfin
100 m shpinë
400 m stil i lirë
4×200 m stil i lirë
400 m katërnotim
200 m stil i lirë
50 m stil shpinë
100 m stil bretkosë
100 m stil delfin
200 m stil bretkosë
50 m stil delfin
4×100 m stil i përzier
Dita e dytë (5 prill 2015)
Meshkuj
4×50 m stil i përzier
1500 m stil i lirë
100 m katërnotim
50 m stil i lirë
50 m stil bretkosë
4×100 m stil i lirë
Femra
4×50 metra stil i përzier
800 m stil i lirë 
200 m stil shpinë 
50 m stil i lirë 
100 m katërnotim 
4×100 m stil i lirë