Hasan Lika: “Partizani është një emër i madh, ka objektiv Europën”

539
Sigal


 Trajneri i 15 herë kampionëve analizon tri javët e para: “Skuadra po konsolidohet. Në janar, përforcime”

 Trajneri i Partizanit, Hasan Lika, tha për gazetën “Telegraf” se, “Partizani ka gjithmonë objektiva të mëdha, dhe synimi ynë parësor është përfaqësimi në Europë”. Tekniku i 15 herë kampioneve analizoi edhe barazimin 2-2 me Bylisin për javën e 3-të të Superligës, teksa shprehu rezerva për gjykimin e kryesorit Laver Alla, në dëm të Partizanit. “Sigurisht që, gabimet e arbitrave mund të ndodhin kudo por, jo kaq të shpeshta”, – tha Lika pas ndeshjes. Partizani e pa veten në një dizavantazh disi të frikshëm 2-0 në “Qemal Stafa”, por arriti të vendosë ekuilibrat edhe pse luajti nga minuta e 73-të me 10 lojtarë, për shkak se mesfushori Maliqi mori kartonin e dytë të verdhë dhe rrjedhimisht të kuqin. Lika bëri edhe një analizë të tri javëve të para, gjatë të cilave Partizani i ka njohur të tri rezultatet: fitoren 2-0 me Kastriotin në Krujë, barazimin 2-2 me Bylisin në Tiranë dhe humbjen 1-0 me kurbinasit në Laç.

 – Ndaj Bylisit, një barazim dhe një pikë, por dhe me një gjykim që la shumë për të dëshiruar?

– Për hir të së vërtetës, ne nuk e filluam mirë ndeshjen. Gabuam shumë në aspektin mbrojtës si skuadër. Na ndëshkoi dhe fati në dy golat e parë. Aq më tepër që, pavarësisht se nuk dëshiroj të merrem me arbitrimin, pasi në “Qemal Stafa” gjyqtarët ndihen më pak nën presion, ndryshon nga ato në rrethe, dua ta theksoj se ndihemi pak të lodhur me të, si unë, ashtu dhe kolegët e mi, sportdashësit apo të gjitha ata që shohin futboll. Sigurisht që, gabimet e arbitrave mund të ndodhin kudo por, jo kaq të shpeshta.

– Pas fitores me Kastriotin dhe humbjes me Laçin, Partizani nuk arriti ta fitojë ndeshjen e parë në shtëpi. Cili është mendimi juaj për lojën e futbollistëve?

– Përtej rezultatit, unë dëshiroj të përgëzoj futbollistët për lojën që zhvilluan, aq më tepër kur ne ishin në dizavantazh 0-2 brenda në Tiranë dhe kur ne prisnim të shënonim ne të parët. Për këtë, lojtarët kanë një meritë të madhe, pasi barazuan rezultatin por dhe krijuan shanse reale për ta fituar ndeshjen.

– Çfarë i mungoi Partizanit, për të arritur fitoren?

– Mendoj se, duhet ta kërkonim golin më me ngulm, me më shumë besim, por nga ana tjetër duhet të vlerësoj edhe ekipin e Bylisit për lojën e zhvilluar. Do ta përmblidhja deri diku, një rezultat i pranueshëm. Nuk duhet të harrojmë edhe faktin se, e mbyllëm takimin me dhjetë futbollistë.

– Kanë kaluar vetëm 270 minuta kampionat, pra tri ndeshje. A e keni më të qartë idenë tuaj në lidhje me skuadrën, apo grupi ka nevojë akoma të konsolidohet?

– Sigurisht që, kemi pasur probleme gjatë gjithë kohës me ndërtimin e skuadrës, sidomos në repartin e sulmit. Gjithsesi, duke i bërë një analizë edhe këtyre tri ndeshjeve të para, kemi pasur përmirësime në të gjitha aspektet, përfshirë dhe atë fizik. Dua të theksoj një fakt se, vetëm në ndeshjen kundër Bylisit ishin në fushë shtatë lojtarë që luanin për herë të parë në “Qemal Stafa”, kështu që ishin edhe vështirësitë e ambientimit.

– Cilat janë objektivat e Partizanit në këtë edicion?

– Mendoj se, ne kemi një skuadër që mund të konkurrojë me çdo ekip në kampionat. Partizani ka gjithmonë objektiva të mëdha, dhe synimi ynë parësor është përfaqësimi në Europë. Në këtë pjesë të sezonit ne synojmë të marrim rezultate sa më të mira, për të ndërhyrë më pas në merkaton e janarit të ardhshëm.

– Në tri ndeshje, Partizani është paraqitur me formacion ndryshe…

– Po, është e vërtetë. Kemi probleme sidomos në vijën e sulmit, por mendoj se do të përmirësohemi. Punojmë mirë nga krahët, por vuajmë pak nga finalizimi. Kemi nevojë dhe për një lojtar që, luan pas sulmuesit. Do të na bënte më agresivë. Në gjendjen aktuale, skuadra duhet të japë më të mirën e saj dhe unë kam besim tek ajo. Kemi një skuadër të ekuilibruar dhe nuk jam i mendimi se, ajo duhet të luajë vetëm në sulm apo në mbrojtje. Duke i bërë dhe një analizë tri ndeshjeve të para dhe u ndalur në veçanti në takimin me Bylisin, na mungoi ekuilibri në njëzet minutat e para.

  Tre rezultate

 Partizani i ka njohur të tri rezultatet: fitoren 2-0 me Kastriotin në Krujë, barazimin 2-2 me Bylisin në Tiranë dhe humbjen 1-0 me kurbinasit në Laç. Pas tri ndeshjeve, Partizani ndodhet në vendin e katërt me katër pikë, po aq sa Bylisi, Laçi dhe Tirana, të cilët nga ana tyre kanë golaverazh më të dobët së të kuqtë.

Radha e Besës

 Ndeshja e radhës e Partizanit është ajo kundër Besës së vendit të fundit (vetëm 1 pikë në tri ndeshje). Të kuqtë, edhe pse do të luajnë pa spektatorë në Kavajë, duhet të jenë të kujdesshëm ndaj skuadrës kavajase që vjen pas barazimit po 2-2 me Teutën, por me durrsakët që barazuan me penalltinë e Tefik Osmanit në minutën e 95-të të ndeshjes.

KATEGORIA SUPERIORE

RENDITJA

1    Teuta           3    +2   7

2    Vllaznia        3    +4   6

3    Lushnja         3    +1   6

4    Partizani       3    +1   4

5    Bylis           3    +0   4

6    Laçi            3    +0   4

7    Tirana          3    -1   4

8    Flamurtari*     3    +1   3

9    Skënderbeu      3    -2   3

10   Kastrioti       3    -2   3

11   Kukësi          3    -2   3

12   Besa            3    -2   1

* Flamurtarit i janë hequr tri pik me vendim të Komisionit të Displinës

Klubi vlonjat e ankimoi në Apel vendimin e Komisionit të Disiplinës. “I fituam me djersë”

 Letra e hapur e Flamurtarit:

“Na ktheni tri pikët”

 Klubi i Futbollit Flamurtari protestoi ndaj vendimit të ashpër të Komisionit të Disiplinës, me heqjen e tri pikëve pas incidenteve të disa tifozëve me Presidentin e Skënderbeut, Artan Takaj, në ndeshjen e javës së dytë të Superligës. Jo vetëm kaq, por vlonjatët janë të detyruar të luajnë edhe katër javë në fushë asnjanëse. Klubi vlonjat e ankimoi vendimin e Komisionit të Disiplinës, duke iu drejtuar Komisionit të Apelit, ndërkohë që publikoi edhe një letër të hapur. “Stafi dhe skuadra e Flamurtarit i drejtohet opinionit futbolldashës shqiptar për të shprehur pakënaqësinë dhe zhgënjimin për vendimin e Komisionit Disiplinës. E kemi deklaruar edhe më parë, që distancohemi dhe e dënojmë incidentin, por sigurojmë se situata brenda fushës së lojës, ka qenë tejet normale në respektin reciprok. E kemi filluar këtë kampionat mes njëmijë vështirësive, si pasojë e krizës ekonomike që ka mbërthyer jo vetëm klubin tonë por të gjithë Shqipërinë. E megjithatë vendosëm të qëndrojmë. Të mblidhemi disa vlonjatë e të kontribuojmë me fanellën që na ka rritur pothuajse falas. Dhe në momentin kur po fillonim të besonim që duke vënë shpirtin në fushë, mund të vazhdonim të mbanim familjet tona, ju zotërinj të Federatës na ndëshkoni kaq rëndë, duke shumëzuar gjithçka me zero. Mos harroni zotërinj se ky është profesioni ynë që, na është dashur të sakrifikojmë rininë për ta arritur. Ky është profesioni ynë me të cilin sigurojmë familjet. Ky është profesioni ynë që ju s’mund të na i rrezikoni për një ngjarje që nuk ka as lidhje me atë çka ne demonstruam në fushën e lojës. Mos vallë bëmë gabim që mundëm kampionët? Si t’i rikuperojmë këto tri pikë që na i morët padrejtësisht? Mos vallë duhet që një nga drejtuesit tanë duhet të goditet e sakrifikohet nëpër tribuna dhe ne të fitojmë? Kujdes, zotërinj! Për ju është shumë e thjeshtë të merrni vendime, por për ne është e shumë e vështirë t’i rikuperojmë ato që humbasim. Duke kërkuar mirëkuptimin e të gjithë futbollistëve shqiptarë dhe të mbarë opinionit sportiv, urojmë që Komisioni i Apelit të rikthejë pikët e fituara me aq mund dhe djersë, për të mos krijuar kështu një precedent shumë të rrezikshëm në futbollin tonë”, – thuhej në letrën e klubit të Flamurtarit.

   Balaj, oguri i mbarë i Jagiellonias

 Jagiellonia e Bekim Balajt vazhdon paraqitjet e mira në kampionatin polak, kësaj radhe duke fituar 1-0 në transfertë kundër Podbeskidzie, ndeshje kjo për javën e 8-të Ekstraklasë. Sulmuesi shkodran luajti si zëvendësues nga minutat e 64-t, kur ishte fiksuar edhe rezultati 1-0 me golin e realizuar nga Plizga në të 41’. Duhet theksuar se, ekipi i Balajt luajti me dhjetë lojtarë nga minuta e 79-të. Pas tetë ndeshjeve të deritanishme, Jagiellonia ndodhet në vendin e 3-të me 14 pikë. Sulmuesi shqiptar mbetet në krye të renditjes së golashënuesve me 5 gola të realizuar, po aq sa Akahoshi i Pogonit, Dvalishivili i Legias dhe Vishnakovs i Vidzevit. Jagiellonia po bën një nga sezonet më të mira dhe një ogur i mbarë në suksesin e saj është dhe Bekim Balaj, i huazuar nga çekët e Spartës së Pragës.

  Amir Abrashi, drejt Bayer Leverkusen

 Skuadra zvicerane Grasshopper mund të humbasë së shpejti një prej futbollistëve të saj më të rëndësishëm. Fjala është për mesfushorin shqiptar, Amir Abrashi, i cili së fundmi ka veshur edhe fanellën e Kombëtares kuqezi dhe ka luajtur në ndeshjet e fundit eliminatore për “Brazil 2014”, ato kundër Sllovenisë dhe Islandës. Siç raporton “infoticker”, destinacioni i radhës i Abrashit mund të jetë Bundesliga gjermane. Gjithnjë sipas këtij burimi, thuhet se ekipi i mirënjohur Bayer Leverkusen po e vëzhgon prej kohësh dhe po përgatitë ofertën për të, pasi ju duhet një mesfushor pikërisht me tiparet që ka Abrashi. Lojtari kosovar ka një horizont të mirë taktik dhe është në mur i vërtetë në mesfushën shkatërruese.