Hasan Lika: Me Skënderbeun ishte fitore e rëndësishme, na duhet stabilitet për vazhdimësinë

135
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Për fitoren me skuadrën kryesuese të Superiores, flet për “Telegraf” trajneri i skuadrës së Luftëtarit
Dy ditë pas ndeshjes së javës së 17-të, është qetësuar skuadra dhe ju për rezultatin që arritët?
Fitorja me çdo skuadër nuk të qetëson shumë, por të motivon për ndeshjen e radhës. Sapo kemi nisur pjesën e dytë të sezonit dhe vetë kalendari i Kampionatit, i alternuar edhe me ndeshjet e Kupës, ka një ngjeshje mes tyre.

E prisnit atë fitore të pastër 2-0 me Skënderbeun ditën e premte?
Në psikologjinë e skuadrës së Luftëtarit, çdo ndeshje ka vlerësim maksimal, pavarësisht se cili është kundërshtari. Ne kishim synim vetëm fitoren dhe ia arritëm, por edhe barazimi me Skënderbeun ishte rezultat i mirë.

Gjithsesi, për Luftëtarin kjo fitore ka vlera në këtë periudhë?
Natyrisht që ka vlera, sepse ishte një fitore shumë e rëndësishme, jo vetëm se u arrit ndaj skuadrës kryesuese të Superiores, Skënderbeut, por edhe për faktin se këtë gjysmë të dytë të sezonit ne e nisëm me një ndeshje të mirë, e cila prodhoi atë rezultat të merituar.

Çfarë kishit ju më shumë nga Skënderbeu në fitoren e javës së 17-të ndaj tij?
Si trajner i Luftëtarit, do të thosha se skuadra e shfrytëzoi mirë momentin e kundërshtarit gjatë ndeshjes. Ishim më racionalë në lojën tonë, treguam stabilitet gjatë gjithë 90 minutave, njëherësh edhe shfrytëzuam me efektivitet rastet e shënimit. Skënderbeu, mendoj se u nënshtrua edhe nga presioni ynë.

Çfarë kishit ndryshuar te skuadra juaj, në raport me 16 javët e luajtura në gjysmën e parë të Kampionatit?
Ne kishim në formacionin titullar disa lojtarë që luanin për herë të parë me skuadrën, dhe duke qenë pozitive paraqitja e tyre, ata u përshtatën mjaft mirë në lojë. Por skuadra funksionoi mirë në grup, duke qenë se përballë kishim një kundërshtar të fortë.

Në këtë paraqitje ndaj Skënderbeut, mendoni se ka ndikuar edhe faza përgatitore që zhvilluat gjatë këtij muaji?
Natyrisht që ka ndikuar edhe kjo fazë stërvitore, e mbi të gjitha, ajo na ndihmoi të jemi aktualisht më të plotë në organikë. Sepse tashmë grupin e mendojmë të konsoliduar, ndërsa për vazhdimësinë do të kërkojmë që të ruhet kjo gjendje, sikundër ndaj Skënderbeut.

Ndeshjen e radhës në kampionat e luani në Lushnje, i trembeni kësaj skuadre, përpos gjendjes së saj në fundin e renditjes?
Unë ua deklarova më parë, se ne të gjithë kundërshtarët i vlerësojmë njësoj, pa u ndikuar nga pozicioni i tyre në tabelën e renditjes. Por, duke qenë se në mesjavë do të luajmë ndeshjen e parë të turit të çerekfinales në Laç.

Duke qenë ndeshja e parë e këtij turi të Kupës, çfarë synimi ka Luftëtari ndaj Laçit?
Kupa ka specifikë tjetër, ndryshe nga Kampionati. Natyrisht që e kemi vlerësuar si një kundërshtar të fortë, i vështirë gjithmonë në fushën e tij, por ne shkojmë me synim maksimal, të arrijmë një rezultat që në takimin e kthimit të jemi më të sigurt në kualifikimin tonë.
Kjo ishte një fitore shumë e rëndësishme, jo vetëm se u arrit ndaj skuadrës kryesuese të Superiores, Skënderbeut, por edhe për faktin se këtë gjysmë të dytë të sezonit e nisëm me një ndeshje të mirë, që prodhoi atë rezultat të merituar 
6 fitore
Në ndeshjen e javës së 17-të ndaj Skënderbeut, Luftëtari shënoi fitoren e 6-të në këtë Kampionat
KATEGORIA SUPERIORE
Rezultatet-Java e 17-të
Të premten, 26 janar 2018 
Kamza-Laçi 3-1
Teuta-Lushnja 2-2
Luftëtari-Skënderbeu 2-0
Flamurtari-Partizani 1-0
Vllaznia-Kukësi 1-3

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 17 37
2. Flamurtari 17 31
3. Kukësi 17 28
4. Laçi 17 27
5. Kamza 17 26
6. Partizani 17 24
7. Luftëtari 17 22
8. Teuta 17 16
9. Vllaznia 17 15
10. Lushnja 17 9