Hasan Lika: “Derbi me Tiranën është më shumë se një ndeshje!”

524
Sigal

Trajneri i Partizanit ndez atmosferën: “Ne jemi ndërtuar, për të fituar. Nuk e mendoj humbjen”

Të premten do të luhet derbi Tirana-Partizani, një ndeshje e shumëpritur në kryeqytet, pavarësisht pozitave në renditje të dy skuadrave. Pas 17 ndeshjeve të luajtura, Partizani ndodhet në vendin e dytë, me pikë të barabarta me Teutën, nga 27, ndërkohë që Tirana mbyll tabelën e klasifikimit. Të dyja skuadrat vijnë nga barazimet e bardha: Tirana me Kastriotin në Krujë, ndërsa Partizani me Kukësin në “Qemal Stafa”. Në fazën e parë, Partizani fitoi 1-0 me goli e shqiptarit nga Maqedonia, Artan Demiri. Në prag të ndeshjes, trajneri i Partizanit, Hasan Lika, tha në konferencën tradicionale për shtyp se, “derbi është gjithmonë i paparashikueshëm”.

 – Lika, të premten do të jetë derbi i shumëpritur me Tiranën. Si është gjendja e Partizanit?

– Mendoj se, kemi një gjendje të mirë, pavarësisht e nuk kemi fituar në ndeshjen e fundit, kemi treguar rritje në lojë dhe kjo na bën më optimist që në ndeshjen e radhës do të paraqitemi siç duhet.

Derbi konsiderohet gjithmonë si i paparashikueshëm, Duke parë pozicionet e ekipeve në renditje, a mund të themi se Partizani është favorit?

–  E konsideroj më tepër si një ndeshje ndaj një kundërshtari tradicional. Nuk duhet të shohim vetëm pikët e pikët e kundërshtarit. Duhet të vlerësojmë faktin që kemi përballë Tiranën.

– Tifozët kërkojnë fitoren nga skuadra. Për lojtarët e ardhur në merkaton e janarit ky do të jete derbi i parë…

– Ne kemi disa futbollistë, që luajnë për herë të parë në një ndeshje të tillë. Ka nga ata që e kuptojnë se, është më shumë se një ndeshje dhe mendoj se janë gjëra pozitive.

– Dy skuadrat janë në pozita krejt të kundërta, me Tiranën që lufton për mbijetesë. A trembeni asaj?

– Jo, nuk i trembemi kundërshtarit. Në derbi kemi gjithmonë respekt për të dhe do të kërkojmë të japim maksimumin, pasi e thashë edhe më lartë që është më shumë se një ndeshje, në aspektin e asaj që krijon.

– Në derbin e parë në fushë, Partizani fitoi me një gol të Demirit, por mungoi spektakli…

– Në një ndeshje derbi mendoj se më i madh është emocioni përpara takimit. Ndërsa gjatë ecurisë së ndeshjes shpresojmë që lojtarët të japin më të mirën. Por, në fund të fundit është një ndeshje si gjithë të tjerat.

– E pranoni barazimin si një rezultat të pranueshëm?

– Në derbi, humbjet nuk janë asnjëherë të pranueshme.

-Te Partizani flasin për titullin, a është gati skuadra për një gjë të tillë?

– Ne luajmë për të fituar dhe nëse dalim me sukses, natyrshëm që mund t’i afrohesh titullit. Ne jemi ndërtuar për të fituar, si çdo ekip tjetër që ka objektivat e caktuara. Ne synojmë, pasi kampionati është i gjatë dhe çdo gjë mund të ndodhë.

– Sulmuesi Migen Memelli, për shkak të problemeve shëndetësore nuk luajti kundër Kukësit. A do ta shohim atë kundër Tiranës?

– Memelli nuk është 100% i gatshëm. Do të shohim deri në premten se si do të reagojë, por edhe nëse do të luajë nuk do të jetë nga fillimi.

– Sulmuesi Nderim Nexhipi ishte blerja e orëve të fundit gjatë merkatoss. A ka ardhur momenti i debutimit të tij?

– Nexhipi është pjesë e rëndësishme e skuadrës, por janë ditët e para dhe gjendja jo 100% e tij nuk e mundëson aktivizimin nga minuta e parë. Megjithatë do të jetë i gatshëm.

– Sa presion kanë lojtarët?

– Ne kemi në përbërje lojtarë që nuk e dinë ndjeshmërinë e kësaj skuadre pasi janë të rinj në skuadër dhe ky është një problem. Por nuk mendoj se do të ketë shumë presion.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XVII

Tirana-Partizani

Lushnja-Kastrioti

Kukësi-Bylisi

Flamurtari-Besa

Laçi-Skënderbeu

Vllaznia-Teuta

RENDITJA

1 Skënderbeu      17   +13 36

2 Partizani    17   +3   27

3 Teuta         17   +4   27

4 Laçi           17   +3   26

5 Kukësi             17   +1   26

6 Flamurtari*      17   +4   25

7 Besa          17   -3    22

8 Bylis         17   +2   22

9 Vllaznia    17   +0   21

10 Lushnja          17   -10  18

11 Kastrioti  17   -6    17

12 Tirana            17   -11  13

* Flamurtarit i janë zbritur tri pikë nga Komisioni i Disiplinës

Në 136 ndeshje të luajtura, të kuqtë kanë regjistruar 54 fitore, ndërsa bardheblutë 42. 40 barazime

 Tirana-Partizani, 64 vjet histori

 Derbi i madh i kryeqytetit, Tirana-Partizani apo Partizani-Tirana, konsiderohet si një nga më të bujshmit në Shqipëri, pasi përballen midis tyre dy nga skuadrat më të famshme në vendin tonë, e që kanë shkruara së bashku faqet e historisë së futbollit shqiptar, qysh nga viti 1947, kur Partizani fitoi me rezultatin 4-2 (mars 1947), ndërkohë që po atë kampionat (i 10-ti për nga radha), Partizani fitoi 8-0 e që mbetet një rekord i pathyeshëm edhe në ditët e sotme. Dominimi i Partizanit, por edhe i Dinamos, në vitet 1950-1990 ishte i dukshëm dhe pavarësisht ndonjë “kryengritjeje” të Tiranës në mesin e viteve 1960 dhe 1980. Pikërisht, në sezonin 1985-1986, Tirana arriti një fitore historike ndaj Partizanit me rezultatin e thellë 7-3, ndeshje kjo që ka mbetur në memorien e tifozëve të futbollit si një nga sfidat me spektakolare të zhvilluar mes dy ekipeve kryeqytetase. Në 64 vjet histori të derbit Partizani-Tirana, janë luajtur 136 ndeshje, me të kuqtë vijojnë të jenë dominues në statistika me 54 fitore, 40 barazime dhe 42 humbje. Gjithsesi, bardheblutë kanë fituar 24 tituj kampionë, 9 më shumë se të kuqtë, që janë në shifrën e 15 titujve.

Bilanci i skuadrave 39 tituj kampionë, 30 Kupa dhe 12 Superkupa

 Partizani-Tirana do të “sjellë” në “Qemal Stafa”, as më pak dhe as më shumë, por 81 trofe të fituara nga të dyja skuadrat së bashku: 39 tituj kampionë, 30 Kupa dhe 12 Superkupa të Shqipërisë. Partizani vërtet ka fituar 15 tituj kampionë, ndërsa Tirana 24, por bardheblutë i kanë fituar shtatë kampionate para Luftës së Dytë Botërore, të zhvilluara në vitet 1930-1937, teksa Partizani është themeluar në vitin 1946. Dy skuadrat e kanë fituar secila nga 15 herë Kupën e Shqipërisë, ndërkohë që Tirana e ka fituar 10 herë Superkupën e Shqipërisë, ndërsa Partizani vetëm 2 herë. Gjithsesi, “Demat” kërkojnë të hakmerren ndaj Tiranës,  me të cilën kurrë nuk kanë pasur raporte të mira, kjo edhe për të treguar supermacinë e tyre në kryeqytet. Në kampin e kuq mendojnë se ky është momenti i duhur.

KATEGORIA SUPERIORE

SEZONI 2013-2014

Partizani-Tirana 1-0

SEZONI 2008-2009

Tirana-Partizani 2-1

Partizani-Tirana 2-2

Partizani-Tirana 2-2

SEZONI 2007-2008

Partizani-Tirana 0-0

Tirana-Partizani 1-4

Partizani-Tirana 0-0

SEZONI 2006-2007

Partizani-Tirana 0-2

Tirana-Partizani 3-2

Tirana-Partizani 1-0

SEZONI 2005-2006

Tirana-Partizani 1-0

Partizani-Tirana 1-0

Tirana-Partizani 1-0

Partizani-Tirana 2-2

SEZONI 2004-2005

Partizani-Tirana 2-5

Tirana-Partizani 3-3

Partizani-Tirana 0-1

Tirana-Partizani 4-0

SEZONI 2003-2004

Partizani-Tirana 3-1

Tirana-Partizani 1-0

Partizani-Tirana 0-1

Tirana-Partizani 0-0

SEZONI 2002-2003

Tirana-Partizani 0-2

Partizani-Tirana 1-3

SEZONI 2001-2002

Partizani-Tirana 0-0

Tirana-Partizani 2-0

 “Ultras Guerrils” vs. “Tirona Fanatics”,

 Derbi i vetëm i kryeqytetit nuk do të luhet vetëm në terrenin e lojës, por dhe në tribunat e impiantit ndërkombëtar “Qemal Stafa” dhe aty do të ketë një bukuri të veçantë. Koreografi, spektakël, këngë, kore tifozësh, por dhe sharjet do t’ia shtojnë më shumë adrenalinën derbit. Të dyja grupet, për të treguar se kush e komandon kryeqytetin. Dashamirësit e kuq jo vetëm që premtojnë pjesëmarrjen në stadium me një koreografi të mrekullueshme, ku lajtmotivi i përgatitjeve për këtë derbi është se janë ata që “komandojnë” qytetin. “Ne jemi Partizani dhe këtë gjë e kemi treguar kudo e kurdoherë”. Kjo është shprehja e tifozëve të kuq.

Disa tifozë kanë premtuar se do të japin edhe premio për ekipin vetëm e vetëm që fitorja të mos diskutohet. Edhe “Tirona Fanatics”, pavarësisht ndonjë kontestimi për formën që kanë treguar ndaj formës së dobët të skuadrës, gjithmonë kur është luajtur kundër Partizanit, janë bërë njësh duke dëshmuar forcë dhe grintë në shkallët e tribunave.