Hasan Gurabardhi: Jemi në pritshmëritë tona, synojmë vazhdimësi të tillë

626
Nga Agron KAJA
VOLEJBOLL FEMRA/ Ekipi i Barleti Volej “Kampion i dimrit”, në fazën e parë nuk njeh humbje, trajneri premton vazhdimësinë
Për trajnerin e Barleti Volej, fitorja e të shtatë ndeshjeve në fazën e par, nuk ishte rastësi. Në intervistën e tij për gazetën “Telegraf”, Hasan Gurabardhi e quan sukses të të gjithë grupit, që sipas tij, ka funksionuar shumë mirë, me 21 sete të fituara dhe 3 të humbura. “Unë vlerësoj mbështetjen e madhe që na jep Presidenti Gafur Dudaj, tek të gjithë treguesit e nevojshëm që i duhen skuadrës. Kjo ka bërë që forca e grupit te Barleti Volej të spikasë në të gjitha ndeshjet, dhe me meritë të kryesojë vetëm me 7 fitore, pa asnjë humbje”, deklaroi trajneri i Barleti Volej, Hasan Gurabardhi.
Me fitoren e pastër 3-0 me Lushnjen, ndoshta i vutë “kapakun” fazës së parë?
Mendoj se nuk ka qenë një fitore e lehtë, edhe pse kishim përballë skuadrën që mbyll tabelën e renditjes. Rezultati ishte i pritshëm dhe i merituar për skuadrën, ndaj unë ndjehem optimist me këtë grup për vazhdimësinë.

Çfarë mendoni se shkoi mirë te skuadra juaj, në tërësi në këto shtatë ndeshje që keni luajtur?
Së pari, unë vlerësoj mbështetjen e madhe që na jep Presidenti Gafur Dudaj, tek të gjithë treguesit e nevojshëm që i duhen skuadrës. Kjo ka bërë që forca e grupit te Barleti Volej të spikasë në të gjitha ndeshjet dhe me meritë të kryesojë vetëm me 7 fitore, pa asnjë humbje.

Çfarë mangësie keni vërejtur te skuadra juaj në këto shtatë ndeshje të luajtura?
Nëse do ta quaja mangësi besimin e tepruar, vetëm këtu mendoj se duhet të përmirësohemi për pjesën tjetër të sezonit. Edhe pse ato i njohin mirë vlerat e çdo kundërshtari, ndoshta duhet që siguria e besimi të mos e kalojnë masën. Gjithsesi, është një tregues që do përmirësohet.

Ju përmendët forcën e grupit, cilat janë lojtaret që kanë spikatur në këto ndeshje të luajtura deri tani?
Në grup, natyrisht që të gjitha kanë qenë në ritmikën e nivelit të skuadrës. Por, që kapitenia Braho, së bashku me Prengën, Gjermenin, Tucin, Agollin, Fushën, Ibraimin, Xhelilaj e më të rejat, ka djersitur më shumë, ato nuk shkëputen nga forca e grupit.

Nga skuadra juaj janë grumbulluar disa vajza, sa vlejnë këto për Barleti Volej?
Ky është një vlerësim, pasi kur grumbullohen vajza nga ekipi ynë në Kombëtare, jo vetëm se tregojnë vlerat e skuadrës, por edhe pritshmëri më të mëdha personale. Besoj se ato do të alternojnë gjithçka të mirë që ka skuadra jonë, me ato vlera që të jep skuadra Kombëtare.

Mendoni se do ta vazhdoni këtë rrugë deri në fund të sezonit?
Patjetër që po. Ne jemi në këtë edicion si Kampionë në fuqi, dhe kështu po luajmë. Skuadra Barleti Volej synim ka fitoren e të gjithë trofeve të sezonit. Do punojmë që ky ritëm të jetë konstant në vazhdimësinë e sezonit, e brenda tij të marrim edhe rezultatet më të mira.
Unë vlerësoj mbështetjen e madhe që na jep Presidenti Gafur Dudaj, tek të gjithë treguesit e nevojshëm që i duhen skuadrës. Kjo ka bërë që forca e grupit te Barleti Volej të spikasë në të gjitha ndeshjet, dhe me meritë të kryesojë vetëm me 7 fitore, pa asnjë humbje 
Volejboll femra
Ndeshjet-Java e 7-të
Datë 16 nëntor 2017
Barleti Volej-Lushnja 3-0
Datë 18 nëntor 2017 
Skënderbeu-Vllaznia 3-1
Korabi-Partizani 0-3
Tirana-Teuta 3-1
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Barleti Volej 7 21
2. Tirana 7 18
3. Partizani 7 14
4. Teuta 7 13
5. Skënderbeu 7 9
6. Vllaznia 7 6
7. Korabi 7 3
8. Lushnja 7 0
Sigal