Hamide Xhaja: Tiransja “flutur” në pista e në pedana, e tillë edhe në jetë

852
Nga Bedri ALIMEHMETI
Dossier/ Sportistja rekordmene që garoi me sukses në disa gara atletike edhe në moshën e tretë
Nëse në arkivin e gjallë të atletikës shqiptare kërkon një nga emrat më të shquar të saj, nuk quhet rastësi që Hamide Xhaja renditet në krye rekordmenëve që i sollën ndryshim dhe dhanë bukurinë këtij sporti “Mbretëreshë”. Edhe sot, pasi ditë më parë i ka lënë 76 vitet e jetës, ajo do të kujtohet si “flutura” në pista e në pedana, që asnjëherë nuk u “rrëzua” në gara ku me dinjitet mori pjesë, duke u shpallur 13 herë Kampione Kombëtare, nga këto 7 herë në kërcim së larti, 2 herë në 80 m/pengesa, 2 herë në pesëgarësh, 2 herë në stafetën 4X100m. 
NISJE NGA PISTA NË PEDANA
Në lagjen tonë ne krenoheshim e mburreshim me futbollistë të tillë të njohur si, Shyqyri Rreli, Osman Caslli, Robert Jashari, Met Metani, Remzi Bulku etj, dhe nuk donim t’ia dinim për sporte të tjerë. Hamidenë e kishim po aty në lagjen tonë, fundi bulevardit “Zog I” (sot lagja nr.9), përditë e shihnim me çantë sporti në krah dhe çuditërisht nuk e pyesnim me ç’sport merrej. Por, një ditë, fund i viteve 50-të, kur pamë foton e saj në gazetën sportive të kohës “Sporti popullor”, u gëzuam pa masë. Hamideja ishte shpallur kampione e rekordmene e vendit në kërcimin së gjati. Dhe që prej asaj dite, ajo u bë pjesë e mburrjeve dhe e krenarisë sonë. Dëshira e saj ishte të vraponte, por trajnerët e njohur Tajar Pipa e Belul Hatibi, që e qëmtuan, ngulmuan që ajo të shkonte në pedanat e kërcimit së larti e së gjati. Dhe jo më kot, pasi në ato vite, rezultatet e atletikës tonë në këto disiplina ishin tejet të ulëta. Dhe ajo nuk zhgënjeu. 

REKORDMENE NË MOSHËN E TRETË
Edhe pasi doli në pension, Hamideja nuk iu nda garave. Ajo jo një herë ka përfaqësuar vendin tonë në gara ndërkombëtare të veteranëve, ku ka fituar gjashtë medalje ari. Ndërkohë në këto gara ajo ka vendosur edhe rekorde ballkanike, si në garën e kërcimit së gjati. Në vitin 2000 në Greqi, për moshën 55-59 vjeç kërceu 7 m. Në Beograd në vitin 2001, për moshën 60-64 vjeç kërceu 6,56 m. ndërsa në vitin 2002 në Stamboll, Hamideja theu rekordin ballkanik, nga 6,56 në 7,14 m. 

PËR TALENTET E REJA
Pas ndërprerjes së aktivitetit vetjak, Hamideja iu përkushtua përgatitjes së atleteve të reja. Falë pasionit e punës së kujdesshme ajo arriti të qëmtojë e përgatitë atlete të tilla të nivelit të lartë si E. Spaho, L. Shehu, S. Laze etj, të cilat i çuan edhe më tej në nivele vërtet të lartë rezultatet e atletikës sonë në vitet ’70-të. Madje, u bën atletet më të njohura të vendit tonë. Fakt ky, që e gëzonte shumë.
Nga rrobaqepësia, te rekordet kombëtare
Hamideja është vajza tiranase, e cila i ngriti rekordet kombëtare në nivelet e duhura për kohën. Ende e re në moshë, ajo kishte nisur punë në një nga rrobaqepësitë e Tiranës, ku punoi jo pak, por 12 vjet, ndërkohë tek stërvitej e prekte rezultatet e larta si në pedanat e kërcimit, ashtu edhe në pistën e vrapimit në garat e shpejtësisë 80 m/p dhe stafetën 4X100 m. Gjatë kësaj periudhe, ajo kreu shkollën e mesme të fizkulturës, dhe më pas ILKF “Vojo Kushi”. Pas largimit si atlete, Hamideja ushtroi profesionin e mësueses së edukimit fizik në shkollat e Tiranës.
Hamideja është vajza tiranase, bijë e një familjeje të nderuar e të respektuar autoktone, fituese e përhershme gjatë gjithë karrierës së saj. Sot ajo ndihet e lumtur dhe krenare për rezultatet e larta që i ka dhuruar qytetit të Tiranës, njëherësh edhe atletikës shqiptare

Skeda
Hamide Xhaja
Datëlindja: 10.12.1941/ Vendlindja: Tiranë
Arsimimi: ILKF “Vojo Kushi”, dega mësuesi
Sporti që ka ushtruar: Atletikë e lehtë
Ka garuar si sportiste: Kërcim së larti, kërcim së gjati, 80 m me pengesa, pesëgarësh
Arritjet si atlete: 13 herë Kampione Kombëtare, nga këto 7 herë në kërcim së larti, 2 herë në 80 m/pengesa, 2 herë në pesëgarësh, 2 herë në stafetën 4X100m.
Karriera si trajnere: Në periudhën 1970-1980 me femrat e KS 17 Nëntori, në periudhën 1974-1976, trajnere e ekipit kombëtar të reja
Poste drejtuese: Anëtare e Kryesisë së KS 17 Nëntori, Anëtare e KP të BFSSH, Sekretare e kolegjiumit te FSHA, Anëtare e kolegjiumit të gazetës “Spoti Popullor”
Vlerësime: “Mjeshtre Sporti”, urdhrin “Naim Frashëri” klasi II, “Medalje e Artë”


Sigal