Hamdi Salihi “ndan” më dysh Amerikën

559
Sigal

Sulmuesit shkodran të DC Junaitid i anulohet një gol i rregullt. Media amerikane, pro dhe kundër gjyqtarit

Hamdi Salihi, sulmuesi shkodran i skuadrës amerikane, DC Junaitid, ishte në qendër të vëmendjes së mediave të Shtetet e Bashkuara. E gjitha lidhet me një vendim të diskutueshëm të gjyqtarit Mark Gejxhër, i cili gjykoi ndeshjen DC Junaitid-Filadelfia Union (1-1), një takim që pati tre kartonë të kuq dhe dy gola të anuluar, por dhe një penallti të humbur në minutën e 90-të nga De Rozario i DC Junaitid. Salihi hyri në lojë si zëvendësues në minutën e 62-të, dhe në të 64’, Boshkoviç dha një top për kapitenin e Junaitid, Duajn De Rozario në anën e djathtë të zonës së penalltisë, dhe ky i fundit e gjuajti topin, që nuk bllokohet mirë nga portieri MekMath. Pikërisht në aksion hyn Salihi, i cili kapi topin e rikthyer, por shkodrani u rrëzua së bashku me topin nga një mbrojtës i Filadelfias, por brenda vijës së portës. Ndërhyrja e portierit kundërshtar ishte një faull i pastër, pasi ky u fundit nuk e kishte nën kontroll topin, dhe sipas mediave amerikane, së paku duhej dhënë penallti, por gjyqtari i takimit, Gejxher, kishte një ide tjetër. Ai dha faull ndaj Salihit, duke gjykuar se Salihi ishte përplasur në ecje e sipër me portierin e Filadelfias, duke ia anuluar golin. Edhe situata e dytë shumë e diskutuar ka në qendër të vëmendjes po Hamdi Salihin, dhe një tjetër gol të anuluar nga gjyqtari i takimit. Pasi Pontius u rrëzua në zonë gjyqtari dha penallti, De Rozario mori përsipër ekzekutimin duke i dhënë avantazhin 2-1 Junaitid. Por, goli u anulua, pasi arbitri Gejxhër gjykoi se një nga shokët e De Rozarios e kishte kaluar gjysmërrethin e zonës së penalltisë, në kohën kur Rozario mori hov për të gjuajtur. (Sipas rregullores, asnjë lojtar nuk mund të hyjë në zonë e penalltisë apo në gjysmërrethin pranë saj, deri sa topit të jetë gjuajtur). Pikërisht, kjo situatë, kur Salihi nuk e kishte kryer veprimin ishte në qendër të vëmendjes, ku specialistë të gjykimit, gazetarë dhe drejtues të klubeve, ndanin gjykime të ndryshme në rastet në fjalë, ku sipas më të shumtëve goli duhej lejuar.

______________________________________

 Xhani De Biazi voton: “Juve, favorit për titull!”

 Trajneri i Kombëtares shqiptare, italiani Xhani De Biazi, është një nga opinionistët më të njohur sportivë në Itali. Tekniku kuqezi, i cili në të kaluarën ka drejtuar midis klubeve të tjera edhe Torinon, dha mendimin e tij në lidhje me sezonin e ri të Serisë A. “Favorite për titull? Sigurisht Juventusi. Bardhezinjtë janë forcuar shumë së fundi, kanë ndërtuar një grup lojtarësh dhe sipas meje, janë favoritët numër një. Edhe për faktin se, objektivisht, me duket se deri tani konkurrenca është dobësuar. Shikoni Milanin, për shembull, që ka humbur Ibrën dhe Tiago Silvën; dhe Interin që ka ndërmarrë një operacion për rinimin e të skuadrës, por që do të vlerësohet në kohë e sipër. Shikoj edhe Torinon. Jam i bindur se, nëse do të niset fort skuadra e Venturës mund t’u japë shumë kënaqësi tifozëve të saj”.

__________________________________

 Siena konfirmon Bogdani në vijën e parë

 Siena dhe sulmuesi shqiptar Erjon Bogdani do të përballen me një sezon të vështirë në Serinë A, pasi skuadra do ta nisë kampionatin me -6 pikë dhe toskanëve u duhen të bëjnë të paktën 46 pikë për të shpëtuar. Siena shiti bomberin e saj, Destron, dhe tani Bogdani do të ketë më shumë përgjegjësi dhe një rol më të madh në skuadër. Trajneri Serse Kozmi ka ndërtuar një mbrojtje solide dhe një mesfushë që të jep besim, ndërkohë që në sulm, çifti do të përbëhet nga Kalajo-Bogdani. Sezonin e kaluar, Bogdani luajti pjesën e parë me Kievon, ndërkohë që në të dytën me Sienën. Veterani 34-vjeçar ndodhet në një formë të mirë fizike dhe së fundi ishte në Shqipëri, ku u aktivizua me ekipin Kombëtar në ndeshjen miqësore kundër Moldavisë. Të dielën, Siena fitoi 4-2 me Viçencën në Kupën e Italisë.