Hamdi Salihi: “I dimë pikat e dobëta të Norvegjisë”

509
Sigal

 Sulmuesi i Kombëtares: “Ndeshje vendimtare. Të mos bëjmë gabimet që kemi bërë në të shkuarën”

Hamdi Salihi është nga ata që e di detyrën e tij: të shënojë gol. Sulmuesi shkodran ka luajtur vetëm në nga katër ndeshjet zyrtare, ato kundër Qipros dhe Zvicrës, ndërkohë që nuk u thirr nga trajneri De Biazi për sfidat me Islandën dhe Slloveninë. “Në dy ndeshjet kryesore duhet të jemi realistë që Norvegjia ka një ekip shumë të mirë, lojtarë shumë të talentuar dhe nuk do jetë ndeshje e lehtë. Në ekip është rritur vetëbesimi dhe ka shanse të bëhet diçka ndryshe nga ajo që kemi bërë edicionet e kaluara”, – tha  Salihi gjatë konferencës për shtyp. Salihi tani luan në Kinë, me ekipin Jiangsu Sainty, teksa ka shënuar në Ligën e Kampionëve të Azisë, kampionatin kinez dhe në Superkupën e Kinës, madje fitoi edhe trofeun kundër Guanzhou Evergrande të Marçelo Lipit.

  – Salihi, ndeshja kundër Norvegjisë vlerësohet tepër kyçe nga trajneri De Biazi. Si dot a vlerësonit?

– Është e vërtetë ajo që thotë trajneri që këto dy ndeshje me Norvegjinë radhazi janë vendimtare për ecurinë e eliminatoreve tona. I kemi vënë vetes objektiv që të bëjmë gjëra ndryshe nga herët e tjera. Të provojmë të paktën. Jemi në rrugë të mirë përderisa kemi ardhur në këtë pikë dhe të gjithë do të mendohemi të mos e shpërdorojmë. Është një shans i mirë është në dorën që ta shfrytëzojmë. Nuk po bëjmë diçka ndryshe nga herët e tjera, përgatitja është e njëjtë por do të mundohemi të mësojmë nga gabimet që kemi bërë në të shkuarën.

 – Çfarë ndeshje prisni?

 – Do të jetë ndeshje shumë e vështirë, duhet të jemi realistë që Norvegjia ka një skuadër shumë të mirë. Kemi pa edhe ndeshjen e tyre kundër Zvicrës. Zvicra për mua është pretendente kryesore për të kaluar grupin si e para, por Norvegjia zhvilloi një ndeshje shumë të mirë kundër tyre. Ka lojtarë të talentuar. Por edhe ne jemi rritur, kemi shanse për të bërë më shumë se në edicionet e kaluara.

– Me trajnerin Josip Kuzhe, luanit më shumë dhe ishit golashënuesi kryesor i ekipit. Me Xhani De Biazin luani më pak, vetëm dy ndeshje zyrtare. Është çështje largësish apo nuk përputheni me atë që kërkon trajneri aktual?

  – Që nga momenti kur ka ardhur De Biazi në skuadër, unë kam qenë duke kaluar momente tranzicioni. Çështje ekipesh, ndryshime kontinentesh. Kemi rënë dakord që në ndeshjet miqësore unë të mos vi, duke qenë se grumbullimi është vetëm dy ditë dhe nuk kam kohë që të rikuperoj nga udhëtimet. Dy ditë më pas duhet të udhëtoj sërish për në klubin tim. Është realisht e vështirë të jem në formë. Kemi rënë dakord që të marrim maksimumin në ato ditë që jam këtu. Në ndeshjet eliminatore është e vërtetë që kam luajtur pak, nuk kam shënuar por rastet i kam pasur thuajse në të gjitha ndeshjet që kam luajtur. Por ky është një vit i ri dhe shpresojmë që ta nisim me këmbë të mbarë, në këtë ndeshje të parë për mua në 2013-ën.

– Norvegjia është një skuadër që ka cilësi fizike. Si mund t’i përballojmë norvegjezët?

 – Ndeshjet nga ndeshjet janë të ndryshme dhe ekipet nga ekipet janë të ndryshme. Ne i dimë pikat e forta të Norvegjisë dhe siç thashë më lart po përgatitemi që të mos bëjmë gabimet që kemi bërë në të shkuarën në ndeshje të ngjashme. Të bëjmë maksimumin që të neutralizojmë ato pika të forta që ka Norvegjia. Se sa do t’ia arrijmë do ia lëmë ndeshjes.

 FIFA, dritë jeshile për Migjen Bashën

 Migjen Basha mori lajme të gëzuara. Komiteti i Statusit të Futbollistit ka pranuar kërkesën e mesfushorit të Torinos për të luajtur me Shqipërinë. Në këtë mënyrë ka përfunduar një kalvar i gjatë procedurash, që startuan në korrikun e 2010 me kërkesën për tu pajisur me pasaportë shqiptare dhe kanë përfunduar mesditën e 19 marsit në një nga zyrat e FIFA-s, që i ka dhënë të drejtë për të luajtur me kombëtaren e Shqipërisë.

 Dëmtohet Cana, rrezikon Norvegjinë

 Lorik Cana kapiteni i Shqipërisë dhe lojtari bazë në mbrojtje, rrezikon të mos luajë në sfidën me Norvegjinë. Gjithçka ka ndodhur në stërvitjen e paradites, kur lojtari shqiptar që luan tek Lacio është dëmtuar. Gjatë nxehjes së lojtarëve në stërvitjen e paradites, teksa stafi po jepte direktivat Loriku në stërvitje e sipër ka vënë keq këmbën dhe kavilja i është ndrydhur. Si stafi drejtues dhe ai mjekësor janë marrë gjatë me çështjen në fjalë.

 Lila: “Luajmë gjithmonë për të fituar!”

  Andi Lila e ruan ende të freskët në kujtesën e tij kartonin që mori në ndeshjen kundër Bosnjës, për eliminatoret e Euro 2012, të dhënë nga gjyqtari holandez Klom, ai që do të gjykojë edhe Norvegji-Shqipëri, por mbrojtësi i PAS Janinës në kampionatin grek është tërësisht i fokusuar në ndeshjen kundër “vikingëve”.

  – Lila, cilat janë pikat më të forta të Norvegjisë?

 – Janë të fortë fizikisht në luftën në ajër, në goditje standarde të fortë. Kanë lojtarë me eksperiencë, kanë lojtarë të mirë.

– Në cilin pozicion mund të luani?

– Mund të luaj kudo nuk e kam problem. Nuk e dimë sesi trajneri do i vendosë.

 – Çfarë rezultati mund të marrën në Oslo?

Futemi në fushë për të fituar, gjithmonë e bëjmë këtë. Si dihet futboll është siç u mundëm ndeshjen kundër Islandës ne, mund të bëjmë një surprizë në Norvegji.

– Mosha e lojtarëve është në fazë pjekurie. Lojtarët janë në formë optimale. Shpresojmë në një rezultat pozitiv?

 – Të gjithë lojtarët që vijnë në Kombëtare janë lojtarët më të mirë shqiptarë.

  – Do të ritakoheni me të njëjtin arbitër që ju nxori me karton të kuq në ndeshjen e eliminatoreve të shkuara me Bosnjën. Komenti juaj?

  – Realisht as që ja kisha idenë që ishte ai gjyqtari i ndeshjes. Unë jam një lojtar që kartonët, jo vetëm me holandezin por edhe me gjyqtarë të tjerë i kam marrë. Loja ime është e fortë. Në ndeshjen me Bosnjën në fakt kartoni ishte i padrejtë. Shpresoj të mos bëjë gabime të tilla në ndeshjen e ardhshme.

Mediat suedeze

“Fiasko norvegjeze me Shqipërinë”

 “Fiasko norvegjeze”. Kështu e titullonte gazeta suedeze “Expressen”, një artikull të saj, ku tallej me shitjen e paktë të biletave në Norvegji për ndeshjen kundër Shqipërisë, ndeshje kjo e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2014. Kjo për faktin se, në Suedi janë shitur rreth 50 mijë bileta për sfidën kundër Irlandës, ndërsa në Norvegji janë shitur rreth 9-10 mijë bileta. Lajmi ka bërë bujë dhe mediat e dy vendeve nordike kanë pasur shpesh qëndrime armiqësore dhe tallëse midis tyre. Suedia ka pasur një numër të konsiderueshëm shikuesish në ndeshjet e fundit, ku kulmon ajo kundër Anglisë, dhe fakti që vetëm për ndeshjen kundër Irlandës shet 50 mijë bileta konsiderohet si një sukses i madh. Gazeta “Dagbladet” vazhdon ironinë e saj që, ka të bëjë me kapacitetin e stadiumit “Uleval”, atje ku do të luhet edhe ndeshja kundër Shqipërisë. Stadiumi nxë afërsisht 25 mijë shikues, por atje nuk do të jetë as gjysma për ndeshjen e së premtes. Gjithsesi, ka shpresa për pak spektatorë më shumë. “Duke u nisur edhe nga fakti i ekskursioneve me rastin e festës së Pashkëve, që fillon të premten, 12 mijë shikues në stadium është një numër i kënaqshëm”, citohet zëdhënësi i shtypit të Federatës Norvegjeze, Yngve Haavik. Pikërisht, këtë fakt ka shfrytëzuar gazeta suedeze “Expressen”, që shkruan se norvegjezët më shumë janë të preokupuar për festën e Pashkëve sesa për ndeshjen më të rëndësishme të tyre. Në lojën e debateve për biletat hyri edhe gazetari i futbollit të gazetës “Dagbladet”, Morten Pedersen, i cili pohoi se, nuk është aspak i befasuar nga shitja e biletave, por ai vlerëson se nuk është e drejtë të bëhet barazi midis dy vendeve. “Unë e kuptoj që, Suedia shet bileta për stadiumin e tyre të ri. Ka një ekip të mirë, për të mos përmendur një lojtar si Zlatan Ibrahimoviç. Stadiumi ‘Uleval’ është aktualisht i ngjashëm me një kantier ndërtimi’, – argumenton Morten Pedersen. “Është për t’u ardhur keq që janë shitur rreth 9 mijë bileta, duke marrë në konsideratë faktin se, çfarë interesimi të madh ka pasur në të kaluarën. Ky ekip ka nevojë për më shumë se një fitore me Shqipërinë. Ne e shohim se ka më pak publik dhe në  shohim në Premier Ligë norvegjeze. Është kjo, ajo që po përjeton Norvegjia në këtë moment”, – shton Pedersen. Pedersen veçon faktin se, Suedia ka grumbulluar disa nga lojtarët që luajnë ndër ekipet më të mira në botë, çka ka rritur edhe interesimin për të parë ndeshjet e ekipit. Pederson beson se, fakti që do të ndeshen me një ekip si Shqipëria të premten, para Pashkëve, nuk është një opsion dhe aq interesant. Kur Sllovenia luajti në “Uleval”, shtatorin e vitit të kaluar, në stadium ishin rreth 11 mijë shikues. Zvicra është në krye të grupit tonë, me dhjetë pikë, tri më shumë se Norvegjia dhe katër më shumë se Shqipëria, me kuqezinjtë që renditen të tretë me gjashtë pikë pas katër ndeshjesh.

Presidenti i Norvegjisë: “Rruga për në Brazil kalon nga Shqipëria”

 Norvegjia nuk merr pjesë në finalet e një evenimenti të madh ndërkombëtar futbollistik, qysh nga Euro 2000, ndërkohë që ka qenë spektatore në Botërorët 2002, 2006 dhe 2010, si dhe në Europianët 2004, 2008 dhe 2012. Të premten, në “Uleval Stadium” , Norvegjia do të luajë kundër Shqipërisë për eliminatoret e Botërorit 2014. Presidenti i Federatës Norvegjeze të Futbollit, Ynge Hallen, duke folur për mediat e vendit të tij, la të kuptohet se “rruga për në Brazil kalon nga Shqipëria”. “Lufta është e madhe, por nuk duhet ta dramatizojmë shumë. Një nisje e mirë në fazën finale të eliminatoreve do të thotë shumë”, – tha presidenti i Federatës Norvegjeze. Në lidhje me një fitore të pritshme në ndeshjen kundër Shqipërisë, ai shtoi: “Ne e kemi të qartë se, nuk është dhe aq e lehtë”. Hallen theksoi faktin e mungesës së Norvegjisë së tij, në evenimentet e mëdha. “Ne nuk kemi qenë qysh nga Kampionati Europian i vitit 2000. Pjesëmarrja në Kupën e Botës në Brazil do t’i jepte një shtytje të madhe futbollit norvegjez”, – përfundoi Hallen për portalin norvegjez “Vg.no”. Ndeshja kundër Shqipërisë vlerësohet si kyçe për Norvegjinë, pasi ajo do të luajë sërish kundër nesh, më 7 qershor në Tiranë.