Hamdi Salihi: “Golin tim e kam sjellë nga Amerika”

440
Sigal

Hamdi Salihi mbërriti në rezidencën e Kombëtares, në Durrës, 24 orë pasi kishte shënuar në Uashington, për ekipin e tij amerikan, DC Junajtid, në fitoren 1-0 kundër Torontos. Salihi është në preferencat e trajnerit italian, pasi ai e vlerëson si një sulmues me nuhatje të madhe për gol. Shkodrani ishte shënuesi më i mirë i Shqipërisë në eliminatoret e Euro 2012 (3 gola), ndërsa nuk mundi të shënojë kundër Qipros, ndërsa ndaj Zvicrës mbeti në stol. Tani ai pret minutat e tij në ndeshjen kundër Islandës. “Ne duhet të fokusohemi sidomos te sfida ndaj Islandës, që është edhe më e rëndësishmja, pastaj për Slloveninë”, – tha Salihi nga rezidenca e Kombëtares.

– Salihi, po shënoni si të gjithë sulmuesit, duke ia vështirësuar zgjedhjen trajnerit për vijën e parë. Nuk luajtët kundër Zvicrës, a i prisni minutat tuaja?

– Ne ndodhemi të gjithë këtu pasi trajneri na ka parë dhe ka parë që po kalojmë një moment të mirë, ndaj edhe na ka grumbulluar. Është gjithmonë e mirë për një skuadër kur shënojnë të gjithë, ndaj dhe duhet të jemi gati. Por, konkurrenca nuk vlen vetëm në sulm, por edhe në repartet e tjera si mesfusha, mbrojtja, por edhe porta, ku duhet thënë se kemi tre portierë të shkëlqyer. Por, ai që do të vendosë është trajneri.

– Ndeshja me Islandën paraqitet e vështirë sidomos për faktin se ata janë një skuadër e cila bazohet sidomos në aspektin fizik të tyre. Si e vlerësoni kundërshtarin?

– Le të themi që çdo kundërshtar ka një filozofi të tijën, por ne duhet të luajmë ashtu si dimë dhe duke mos ndryshuar stil, apo metodë. Duhet të krijojmë një fizionomi loje dhe të mos ndikohemi shumë nga kundërshtari, por të vëmë në përdorim karakteristikat që kemi.

– Pas katër muajsh pa gol, jeni zhbllokuar në Amerikë, ku i keni dhënë fitoren skuadrës tuaj, DC Junajtid, me një gol në fund. A është ky një ogur i mirë për Salihin?

– Sigurisht që është diçka pozitive të zhbllokohesh dhe shënosh, por kurrë s’kam luajtur me ndjenjën e presionit, por kam qenë i lirshëm në fushë, ashtu si edhe ndaj Qipros, ku iu afrova disa herë golit. Për një sulmues është e rëndësishme që të krijojë shumë raste, sepse nëse nuk krijon, atëherë është shumë më keq.