Hamdi Salihi drejt firmës me Nantës

550
Sigal

Sulmuesi i Kombëtares ka marrë një ofertë nga skuadra franceze e Ligës 1. Lajmi nga “L’Equipe”

Hamdi Salihi është shumë pranë transferimit te Nantës, skuadra franceze e Ligës 1, duke u bërë kështu lojtari i tretë shqiptar në një ekip francez, pas Lorik Canës (PSG, Olimpik Marsejë) dhe Edvin Muratit (PSG, Lilë). Lajmi konfirmohet nga prestigjiozja franceze “L’Equipe”, që u referohet lëvizjeve më të fundit te skuadra që renditet në vendin e 6 në Ligën e parë. Shtypi lokal francez shkruan se, Salihi është në provë te Nantë, që është në kërkim të një sulmuesi për t’i paraprirë largimit e Filip Xhorxheviçit në fund të sezonit. Drejtuesit e Nantës kanë vendosur t’i besojnë sulmuesit shqiptar, i cili nga e marta duhet të bindë trajnerin Mishel Der Zakarian, para se të hedhë të  zezën mbi të bardhë. Shkodrani 30-vjeçar, i cili ka shënuar 11 gola në 47 ndeshje me Kombëtaren shqiptare, së fundi luajti në Kinë me Jiangsy Saintu. Gjithsesi, të Nantës nuk janë të sigurt se kanë bërë zgjedhjen e duhur me Salihin, që nuk ka qenë në kontakt me futbollin europian që prej shkurtit të 2012, kur u transferua në MLS te DC Junaitid e më pas në Kinë te Iangsu Sainty. Mediat franceze kanë kontaktuar edhe me ish-futbollistin e kombëtares, Edvin Murati, për mësuar të diçka më shumë rreth “bomberit” shqiptar dhe sigurisht opinioni i tij i ish-mesfushorit të Paris Saint Germain ka qenë pozitiv. Francezët i ngroh më shumë fakti se Salihi është golashënuesi më i mirë i Shqipërisë në aktivitet me 11 finalizime si dhe karriera e tij e shkëlqyer në Austri me Riedin dhe Rapidin e Vjenës. Gjithsesi, Ligue 1 mbetet një provë e vështirë për shkodranin, i cili duhet të tregojë se nuk e ka humbur instinktin e golit. Transferimi i Salihit në Francë do të ishte një lajm i mirë edhe për kombëtaren shqiptare, që kohët e fundit ka vuajtur shumë në fazën sulmuese me Edgar Canin jashtë formë dhe Erjon Bogdanin që nuk shkel prej gati 8 muajsh në fushën e blertë. Hamdi Salihi ka veshur fanellën e shtatë klubeve, dy prej tyre në Shqipëri, Vllazninë (35 gola); Tiranën (49 gola), si dhe pesë jashtë vendit: Panionos (Greqi); Sv Ried (42 gola), Rapid Vienë (57 gola), të dyja këto në Austri. Ai ka luajtur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me D.S.Junaitid (7 gola) dhe në Kinë, me Jiangsu Sainty (12 gola). Ai konsiderohet si një gjahtar goli, ndërkohë që gjatë karrierës së tij ka shënuar vetëm në kampionate, jo pak, por 204 gola në 393 ndeshje.

Klubet e Salihit

Vllaznia              Shqipëri 35 gola

Panionios            Greqi            0 gola

Tirana          Shqipëri 49 gola

SV Ried       Austri    42 gola

Rapid Ëien          Austri    57 gola

D.C. United SHBA          7 gola

Jiangsu Sainty    KINË           1 gola

Gilman Lika, në udhëkryqin e merkatos

 Mesfushori Gilman Lika mbetet emri më i rëndësishëm i merkatos dimërore shqiptare. Shkodrani, i cili pjesën e parë të sezonit e shpenzoi në Arabinë Saudite me Al-Faisalin, ende nuk ka vendosur se ku do ta vijojë karrierën gjatë pjesës së dytë të sezonit. Për shërbimet e tij interesohen emrat më të mëdhenj të Kategorisë Superiore, si Partizani, Tirana dhe Skënderbeu, por për shkodranin primare mbetet nënshkrimi jashtë Shqipërisë, ku ditët e fundit ka dalë në skenë Slask Vroklav në kampionatin polak, që drejtohet nga ish-trajneri i Skënderbeut, Stanislav Levi. Aktualisht 26-vjeçari ndodhet në Shkodër, në pritje të zhvillimeve të reja, por koha po shtrëngon, ndaj ai duhet të vendosë sa më parë për të ardhmen e tij. Gilman Lika pohoi për mediat se, brenda dy ditësh do të marrë një vendim përfundimtar, që do të varet nga ofertat që do të vijnë në drejtim të tij. Sipas shkodranit, përtej interesimit të klubeve shqiptare nuk ka oferta zyrtare nga kampionati ynë, edhe pse në media përfliten shumë të ndryshme. Në përfundim të derbit miqësor, Partizani–Dinamo, drejtuesit e kuq i anashkaluan komentet mbi mundësinë e blerjes së Likës, duke lënë të nënkuptohet se nuk u ka pëlqyer qëndrimi 26-vjeçarit për të luajtur në shumë porta, derisa t’i plotësohen kushtet financiare që kërkon. Gjithsesi, çështja “Lika” do të mbyllet shumë shpejt, pasi vetëm katër ditë deri në mbylljen e merkatos dimërore.

Besnik Hasi: “Dua të bëhem trajneri i Anderlehtit”

 Besnik Hasi nuk është se argëtohet shumë duke qenë trajneri i dytë te Anderlehti, pasi kosovari ëndërron të bëhet trajneri i parë. “Edhe një klub të vogël, ose dhe këtu, nëse Anderlehti e do këtë” Sipas portalit belg, dh.be, ai është një ndër më të kërkuarit në merkaton e trajnerëve në Belgjikë. Hasi i kishe të gjitha mundësitë të bëhej tekniku i parë i Malinesit, por presidenti i Anderlehtit, Rozher Vanden Shtok, i tha jo. Hasi iu bind, dhe arsyet e “po”-së së tij  ai e tregoi gjatë një interviste për portalin belg.

 – Besnik, a ju zhgënjeu refuzimi i presidentit tuaj?

– Jo. Të gjithë ishin korrekt në këtë çështje. Klubet e Malinesit, Anderlehtit dhe unë. Presidenti vuri veton e tij, pra çështja u mbyll. Nga e kundërta, ka një gjë që më shqetëson. Kam përshtypjen se, presidenti mendon që unë kam dashur ta detyroj atë të largohem dhe më kanë shërbyer gazetat. Kështu i kanë thënë njerëzit ati, por unë them se është e gabuar.

– Na e shpjegoni?

– Nuk kam qenë ai që ka publikuar interesimin e Malines në gazeta. Unë kam një kartë celulari GSM që i përket klubit. Ata mund ta verifikojnë. Unë jam duke jetuar sezonin tim të 12-të te Anderlehti: gjashtë si lojtar, dhe pesë vjet e gjysmë si trajner. Unë kam qenë gjithmonë luajal. Përse kësaj radhe të mos isha? Unë jam me të vërtetë një njeri i klubit. Anderlehti është shtëpia ime. Nuk do ta braktis atë kurrë. Nëse klubet e tjerë do të vinë dhe Rozher Vanden Shtok do të thotë “jo”, unë do të qëndroj.

– A do të jeni ju pasuesi i Van den Bromit kur ai nuk do të jetë më trajneri i Anderlehtit?

– Unë nuk kam folur për të ardhmen me presidentin. Kam akoma një kontratë edhe për 2 vjet e gjysmë si trajneri i dytë, unë jam në dispozicion dhe e quaj veten të nderuar. Por, natyrisht që dua qartësisht të shoh nëse Anderlehti i bën llogaritë me mua si trajner në të ardhmen.

– Verkauterni dhe Zhakobsi, paraardhësit tuaj si trajner të dztë, janë bërë trajnerë të parë te Anderlehti…

– Po, por Zhakobvsi ishte tashmë 54 vjeç. Dhe Franki kishte qenë tashmë trajner i parë me Xhan Doks. Qëllimi im nuk ka qenë kurrë për të thënë një ditë, unë do të jem trajneri i parë i Anderlehtit. Ditën që, unë do të vendos të bëhem trajneri i parë, unë do ta pranoja në një klub të vogël. Por, nëse Anderlehti më thotë: A je gati të bëhesh tek ne, atëherë kjo ndryshon gjithçka.

– Xhon van den Brom ka akoma dhe një vite e gjysmë kontratë…

– Dhe unë shpresoj të qëndroj akoma më gjatë. Është e mrekullueshme të punosh me të. Ai më ka dhënë shumë liri. Unë nuk jam një ndihmës i thjeshtë. Unë nuk jam për atje për të vendosur konet në stërvitje. Me Ariel Zhakobs, unë isha një debutues. Unë isha nxënës i Arielit.