Hakmarrja e Barcelonës, katalanasit kërkojnë të afrojnë Angel Di Marian

569
Barcelona vijon të jetë në kërkim të zëvendësuesit të Neymar dhe ai mund të vijë pikërisht nga klubi ku aktualisht bën pjesë braziliani, PSG.

Liverpooli i ka mbyllur derën spanjollëve për Philipe Coutinhon, ndërkohë që edhe Borusia nuk kërkon të privohet lehtë nga Ousmane Dembele, për këtë arsye nën radarin e “azulgranëve” ka përfunduar Angel Di Maria. Ardhja e Neymar ka gjasa ti ngushtojë hapësirat e tij në formacion, për më shumë që Parisi kërkon të përfitojë të ardhura për ti rinvestuar në merkaton, me qëllim afrimin e Kylian Mbappes.

Vlera e argjentinasit kap shifrën e 60 milion eurove, një shumë që zotërohet nga Barça pas 222 milionëve të përfituara nga transferimi i Neymar në kryeqytetin francez, megjithatë mardhëniet mes dy klubeve nuk janë ndër më të mirat pas ndërlikimeve që pati transferimi i lejekalimit të sulmuesit brazilian nga Katalunja në Paris, lejekalim që tashmë ka mbërritur dhe Neymar është i gatshëm të zbresë në fushë kundër Guingampit.

Gjithsesi nuk përjashtohet aspak nisja e bisedimeve, Di Maria është një futbollist mjaft i vlerësuar nga ylli i Barçës, Lionel Messi i cili e ka shok ekipi në përfaqësuesen e Argjentinës, për më shumë që tifozët katalanas do të ishin të lumtur që një ish madrilen të vishte ngjyrat “azulgrana” dhe pse jo ti shënonte Realit të Madridit.
Sigal